Nga DHURATA HAMZAI
Deborah Rayner, zëvendëspreisdente e CNN International dhe Drejtoreshë e Zyrës për Europën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, për dy ditë rresht ka vizituar bregdetin shqiptar me anijen e saj me vela. Së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të stafit të një prej gjigantëve mediatikë CNN, ata u ankoruan në brigjet pranë Butrintit, ku burime nga bashkia e Sarandës na bënë të ditur se qëndruan një natë atje.
Qëllimi ishte të merrnin sa më shumë të dhëna nga pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit tonë, por ndërsa grupi i CNN vizitoi Butrintin dhe Kishën e Shën Kollit në Mesopotam, e njohur në rang ndërkombëtar si një nga monumentet kulturore më të famshme në Shqipëri, për fat të keq gjetën derën të mbyllur. Ky Monument Kulture vazhdon të qëndrojë i mbyllur prej 5 pesë vite resht dhe është bërë e pamundur hyrja në të, edhe në këtë sezon turistik.
Gjithsesi Zv.presidentja e CNN Internacional është një njohëse e mirë e Shqipërisë, pasi si gazetare ka mbuluar jo vetëm Luftën e Kosovës, por edhe trazirat civile të Shqipërisë ne 1997. Doli shumë zhgënjyese vizita e saj në këtë monument. Nuk e priste që pas 16 vjetësh ta shihte në këtë gjendje të Monumenteve të Kulturës në Shqipëri...!
MONUMENTI I KULTURËS 5 VJET PENG I TENDERËVE
Cilat janë arsyet që Kisha e Shën Gjergjit në Mesopotam qëndron prej 5 vjetësh e mbyllur?! Çfarë është bërë nga shteti për tenderuesit që e lanë në mes restaurimin, duke lënë pasojat e një dëmtimi shumë të rëndë të afreskut dhe të kupolës së kishës. Problemi i kishës së Mesoptamit ka qenë një nga më të diskutuarit edhe në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të drejtuar nga deputetja Valentina Leskaj, më 26 shkurt 2013.
Çështja u replikua me ish-ministrin e Kulturës, zotin Aldo Bumçi, për problemet e dala në mbrojtje të Monumenteve të Kulturës në zbatim të ligjit “Për trashëgiminë kulturore”, ku morën pjesë deputetët Mark Marku, Alfred Dalipi, Fatmir Toçi, Fidel Ylli, Luiza Xhuvani, Auron Tare, Fatbardh Kadilli, Rajmonda Bulku dhe Paulina Hoxha, etj. Pas shumë replikave ish-ministri i kulturës Aldo Bumçi është munduar të heq përgjegjësinë nga vetja duke ia kaluar këtë përgjegjësi një firme italiane, ku është shprehur në lidhje me Mesopotamin se “Është e vërtetë që Ministria i ka kushtuar fonde këtij monumenti dhe firma fituese nuk ka qenë e njëjtë gjatë gjithë kohës”, ndërsa ka shtuar se “firmës që restauronte i është pezulluar licenca nga ministria, për shkak të shkeljeve të kryera”.
Duke mos llogaritur shumën e 60.000 eurove të hedhura për tenderin, Bumçit i duhej të përballej me debatet për “shkak të një dështimi të turpshëm në zbatimin me korrektesë të planit për fillimin e ndërhyrjeve restauruese ndaj këtij monumenti”, siç do ta quante restauratori Reshat Gega, i cili ndërkohë është i akuzuar nga deputeti Auron Tare dhe pala italiane e restaurimit që drejtohej nga Prof.G.Machiarella.
Përfaqësueisi i palës italiane ka reaguar në një intervistë në shtypin e përditshëm ku akuzon Reshat Gegën për punën e bërë atje. Ndërkohë restauruesi italian përmendi se “një sasi totale prej më shumë se 60.000 eurosh në katër vjet u dha nga pala italiane për të mbështetur studimin shkencor në Mesopotam”. Ndërsa Gega e përzë palën italiane nga projekti, pala italiane këmbëngulte se "restaurimi i një ndërtese historike me një jetë të paktën 8-shekullore është një çështje shumë delikate. Shkatërrimi apo ndryshimi i atyre gjurmëve do të thotë t'i ndryshosh rrjedhën historisë, pa pasur siguri se pamja përfundimtare e supozuar e monumentit origjinal do të jetë ajo e duhura".
DEBATI TIRRET, MESOPOTAMI DEGRADON
Debati tirret edhe sot e kësaj dite për mënyrën e restaurimit të kishës së së Mesopotamit, ndërkohë që sot ajo ndodhet në rrezik shembjeje, pa rojë dhe pa asnjë përkujdesje tjetër, veç drynit që i është vënë derës. Degradimi sipas specialistëve ka filluar, që kur Reshta Gega kërkoi dhe bëri një ndërhyrje të ngutshme, gjë që çoi në çarjen e kishës, ndërsa pala italiane kërkonte të bëhej një ndërhyrje afatgjatë dhe e studiuar, siç shprehet më sipër edhe vetë Prof. Machiarella.
Monumenti është duke shkuar drejt degradimit ndërsa palët restauruese dhe ministri e kalojnë fajin degë më degë. Konkretisht Reshat Gega në një reagim për Shqiparja.com shprehet se Prof.G.Machiareles i kujtova se si drejtor i palës italiane nuk duhej të shkelte rregullat e bashkëpunimit dhe të botonte materiale, të cilat i ishin komunikuar nga unë më parë në lidhje me të rejat e arkitekturës të Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam.
Nuk duhej të botonin në mënyrë të njëanshme edhe punën e përbashkët që ne bëmë, veprim ky i cili në fund të fundit tregoj jo vetëm mungesë të sinqeritetit dhe respektit ndaj ligjeve, por edhe shprehje kapadaillëku e karshillëku ndaj palës tonë, e pse jo edhe një lloj fryme dhe kompleksi supermacie me ndikime e reminishenca të shumë kohëve përpara. GRindja mes palëve vazhdon dhe Kishës së Shën kollit tashmë i kanë rënë kupolat.
Specialistët thonë se “i është hequr kundra-forca që është hequr është pjesë historike e monumentit dhe ajo e ka mbajtur këtë monument në këmbë prej 300 vjetësh, sepse kundra-forca është vënë atëherë nga bizantinët, pasi kjo kishë duhet të jetë tronditur nga tërmetet. Ndërkohë restauruesi Gega e heq këtë masë mbrojtëse mbi 300-vjeçare dhe si pasojë erdhi çarja e kishës së Mesopotamit”. Auron Tare ka akuzuar duke treguar të dhënat edhe në raportin e italianëve që Reshat Gega i përzuri për paratë. Po ligji pse nuk flet?!
(Në foto: Debora Rayner, zv presidentja e CNN Internacional)
(Në foto: Kisha e Shën Kollit)
(Në foto: Afresku i degraduar në pritje të restaurimit në Kishën e Mesopotamit)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja (print) 20.08.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/drejtuesja-e-cnn-international-lihet-jashte-kishes-se-shen-kollit-172603.html#sthash.MxnwRRg8.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento