Në ditët e sotme, më shumë se kurrë, kemi lirinë të vizitojmë Shqipërinë dhe të themi që jemi freskuar nga uji i detit adriatik apo jonian, kemi prekur lartësitë e Llogarasë, apo thjesht kemi kaluar një fundjavë në një nga qytetet kryesore të shtetit amë. Nëse ju jeni mrekulluar nga pamjet që nëna natyrë ka rezervuar rrugës për ju, nuk do habiteshit nese ju themi se, në fakt, nuk keni parë asgjë.
Atë Shqipërinë tjetër të bjeshkëve, kanioneve apo plazheve të virgjera kanë pasur fatin ta vizitojnë pak veta, njerëz të etur për të zbuluar çdo pëllëmbë të Shqipërisë e që merren me sporte jo të lehta. Këtë fat ka pasur edhe një djal nga Gjakova i cili fakton çdo ditë, përmes fotove të tij, udhëtimet në ato pjesë të Shqipërisë dhe jo vetëm, që urojmë ta vizitojmë shpejt.
Nëntor Oseku mban emrin e muajit në të cilin lindi, një muaj që, për shkak të ngjarjeve të ndodhura brenda saj ndërvite, ka një rëndësi për gjithë shqiptarët. Ai ka një rreth të gjer shoqërorë dhe ata kryesisht e njohin atë për dashurinë e madhe që ka për eksplorimin e vendeve shqiptare. Nga e hëna në të premte ai është një djal i ngarkuar me ligje dhe nene, pasi ka studiuar per juridik dhe aktualisht punon në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, por në fundjavë është njeri i aventures, të cilin do të mundohemi ta njohim përmes këtij shkrimi.
“Unë fillimisht jam marrë me sportin e skijimit për disa vite. Gjatë studimeve e kam bërë ngjitjen e parë në bjeshkë, në majen e Titos në Maqedoni e cila gjendet në lartësi mbidetare 2747 metra dhe është në kufirin mes Maqedonisë dhe Kosovës. Atë ngjitje e kam bërë së bashku me 5 profesora dhe tre studentë tjerë”, kujton Nëntori fillimet e tij në “pushtimin” e majeve më të larta.
Maja e Titos – Maqedoni – 2747 metra
Edhe pas diplomimit ai kishte vazhduar me skijimin derisa i ndodhi një aksident që do ta largonte atë nga aktivitetet sportive për një vit kalendarik e nga skijimi përgjithmonë. Pas kësaj periudhe, ai kishte rënë në kontakt me Besnik Dujakën nga Gjakova dhe i kishte treguar për një shoqëri bjeshkatare që bënte udhëtime çdo fundjavë.
“Në momentin kur i informova për SHBA “Pashtriku” u regjistrova menjëherë dhe që nga ajo kohë bëj udhëtime çdo fundjavë. Dua t’i falenderoj sepse më ndihmuan të zbuloj pasionin tim për natyrën dhe fotografinë”, tregon Nëntori.
Ai me anëtarët tjerë të “Pashtrikut” do t’i bënte ngjitjet e para në Kosovë dhe në pjesen veriore të Shqipërisë si Valbonë, Theth dhe vende tjera. “Tek shoqata kam takuar shumë njerëz të mirë dhe të përgatitur si kryetari i saj Skender Sina, i cili ka njohuri të thella mbi bjeshket dhe malet shqiptare dhe ato ndërkombëtare”, thotë 29 vjeçari.
Pas disa vitesh ngjitje, Nëntori do të binte në kontakt me Fation Plakun, alpinistin i cili u ngjit në majen më të lartë në botë, atë të Everestit, për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. “Në kontakt me Fationin, vendosëm ta bëjmë për herë të parë një ekspeditë në Kanonin e Erzenit, i cili gjendet rrugës për Elbasan nga Tirana e që të ofron një pamje mahnitëse. Kemi ecur rreth 2 orë ku kemi pas mundesi ta vizitojmë edhe Shpellen e Pëllumbasve e cila gjendet mu te Kanioni i Erzenit”, kujton Oseku.
Kanioni i lumit Erzen
Ekspedita e dytë në Shqipëri do ta bënte prapë me Plakun. Kësaj rradhe destiancion ishte Kanioni i Brarit. “Edhe ky kanion është afër Tiranës, karakteristike e këtij kanioni ishin ca gurë të mëdhenjë dhe disa shpella me ujë të cilat ishin të mrekullushme”, tregon ai.
Kanioni i Brarit
Me miqtë e tij, Oseku do të vazhdonte ekspeditat e rradhës. Ata kanë vizituar edhe Kepin e Rodonit në Durrës që shtrihet në formë trekëndëshi midis Gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. “Tek Kepi i Rodonit gjendet edhe një kala që quhet Kalaja e Rodonit e që u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë janë bërë punime plotësuese edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit”, rrëfen Nëntori.
Gjiri i Grames i cili gjendet në Gadishullin e Karaburunit në Vlorë do të ishte një nga plazhet e para të virgjëra që Nëntori do të vizitonte. I shoqëruar nga Fation Plaku, Lekë Sina dhe Gerti Sqapi ata do të bënin rreth 30 kilometra vajtje-ardhje në këmbë për të parë gjithë bukuritë e kësaj ane.
Gjiri i Grames
“Ekspedita është bërë në muajin mars. Jemi nisur në oren 5 të mëngjesit nga Llogaraja. Mali i Llogarase ishte i mbuluar me dëbore dhe ecjen e kemi bërë në ato kushte deri në qafë të Llogarasë. Pastaj kemi filluar zbritjen nga një lartësi 800 metra ne 0 metra. Në Grama kemi arritur diku rreth orës 12, që do të thotë se gjithsej ecje në këmbë nga Llogaraja deri në Gjirin e Grames kemi bërë 7 orë”, tregon Nëntori.
Ai tregon se në Karaburun nuk kishte burim të ujit kështu që përveç pajisjeve tjera ata janë detyruar të marrin edhe ujë, ndërsa karaktersitikë e këtij udhëtimi ishte se kishin përjetur dy stinë brenda ditës. “Grama ishte nje mrekulli. Atë ditë kemi bërë plazh dhe kemi fjetur një natë në çadra në Gjirin e Grames. Karakteristike ka qenë që brenda dites i kemi përjetuar dy stinët ekstreme, dimrin dhe verën, saktësisht deboren dhe plazhin e detin”, shprehet ai.
Kthimin e kishin bërë përgjatë bregdetit nga Gjiri i Grames deri tek plazhi i Palasesë poshtë Llogarasë dhe kishte zgjatur më pak se shtatë orë. “Gjatë rrugës së bregdetit kemi parë ca kanione dhe e kemi eksploruar Gjirin e Shën Andreut, i cili është më i vogël sesa Gjiri i Grames dhe ka nje ngjyrë të kaltër në të mbyllte në krahasim me Gramen e cila e kishte ngjyren e detit blu te perzier me jeshile”, mbyll tregimin për këtë udhëtim Oseku.
Shen Andreu- Gadishulli i Karaburunit
Pas një periudhe, Nëntori me shokë do të ktheheshin prap në Karaburun, por tashmë për të eksploruar Gjirin e Bristanit. Karakteristike e kësaj zone është se ka gurë shkëmborë, të cilët e bëjnë ecjen shumë të vështirë po ashtu dhe të rrezikshme. Ndërsa rreziku tjetër qëndron tek gjarpërinjtë të cilët në mungesë edhe të ujit, janë shumë të pranishëm në këtë zonë. Gjithësej ecje vajtje-ardhje për në Bristan grupi ka bërë rreth 10 orë.
“Ekspediten e kemi bërë në vjeshtë dhe nisjen e kemi bërë nga Baza Ushtarake “Pasha Liman” në Orikum. Fillimit kishim problem pasi që nuk kishim leje të futeshim në baë ushtarake dhe në bisedë me disa epror ushtarak, ju treguam që jemi turistë dhe kemi dëshirë t’a eksplorojmë Gjirin e Bristanit, e më në fund ata na japen leje. Filluam ecjen nga aty , e bëm një ngjitje në Karaburun dhe pastaj e kemi bërë zbritjen drejt Gjirit te Bristanit”, thotë Nëntori.
Gjiri i Bristanit
Ai në vazhdën e eksplorimeve do të vizitonte edhe Kanionin e Osumit që gjendet në afërsi të Skraparit, në Berat. “Dëgjova që aty bëhet rafting nga një grup shume i pergatitur i Beratit i quajtur “Albania Rafting Group” kështu që vendosa të shkoj atje”, tregon Oseku duke shtuar se deri tek lundrimi ka kaluar në një proces njohje të thellë për zonën falë bisedave me presidentin e grupit të rafting-ut, Zamo Spathara.
“Filluam rrugëtimin me makinë nga Berati deri në Skrapar. Arritëm në Çorovodë ku kemi bërë një pauzë të shkurtër e më pas drejt në Osum. Kur arritem në cak u pajisem me mjetet e nevojshme deri tek veshja dhe na u dhanë instruksione për t’iu shmangur rrezikut. Filluam ‘rafting-un’ ndërsa gjatë lundrimit pash disa pamje të kanionit, që nuk i kisha parë asnjëherë me parë as në filma. Nuk mund ta imagjinosh që je në Shqipëri”, rrëfen eskperiencen në Osum, Nëntori.
Rafting në Kanionin e Osumit
Verën e kaluar ‘djali i drejtësisë’ si pjesë e një grupi nga Tirana do të shkonte në Gjirin e Gjipesë të cilit kishte kohë që “ia kishtë vënë syrin”. Kur të arrinin atje ata do flenin një natë në çadra ndërsa kthimi do të bëhej për 4 orë ecje dhe kacaverrje (climbing).
“Kanioni kishte pamje të mrekullueshme dhe karakteristike ishte që kishte shumë pjesë të mira për kacaverrje (climbing) për turistët e huaj dhe vendorë. Ngjitja u bë e sukseseshme deri tek rruga kryesore Dhërmi – Jalë. Aty na shikonin gjithë turistët të cilit iknin për Jalë, Himarë dhe Sarandë, të çuditur, sepse nuk dinin nga kishim dal deri në rrugë”, tregon duke qeshur Oseku, i cili thotë se përme këtij udhëtimi kishte përjtuar një ekperiencë shumë të veçantë me gjithë ato pamje aq të bukura dhe shpella të çuditshme që ishin brenda kanionit.
Gjiri i Gjipesë
EKSPEDITA NË BJESHKËT E SHQIPËRISË
Thethin e kishte parë në televizion, po ashtu edhe Valbonen. Bukuritë e transmetuara nga ekrani i vogël e kishin mahnitur Nëntorin i cili po priste rastin e parë të ofruar për të vizituar këto vende. Fati i tij ishte që SHBA “Pashtriku” e futi në axhenden e saj udhëtimin në këto dy vende që sigurisht ai nuk do e humbiste.
“Nisja u bë nga Gjakova me makina deri në Valbonë. Aty i përgatitem çantat dhe u nisem gjithë anëtarët e SHBA “Pashtriku” drejt Thethit në këmbë. Nisja u bë nga Fusha e Gjesë në Valbonë. Kur arritem te burimi i Valbones aty e bëm një pushim më të gjatë, aty pamë se nga buron Valbona dhe ujin e kristalt të Valbonës. Pastaj u nisem drejt Qafës së Valbones ku edhe u ndalm për pushimin tjetër dhe shikuam se si ndahet Valbona nga Thethi mu te qafa. Kishte pamje shumë të bukura të Luginës së Valbonës. Pas arritjes në Theth m’u kujtuan pamjet nga emisioni që kisha parë”, tregon me buzëqeshje Nëntori.
Thethi
Pasi kishin fjetur një natë në Theth, të nesërmen ata vizituan Kullen e Ngujimit, Ujvaren e Grunasit dhe Majen e Rosit në 2523 metra lartësi mbidetare. “Historia e kullës më dukej më shumë si një mit sesa një histori e vërtetë. Ujvara e Grunasit më kujtonte ujvarat e Austrisë dhe Zvicres, aq të bukura ishin. Ndërsa Maja e Rosit të ofronte pamje të mrekullushme, pasi nga aty shikoje Malin e Zi, Kosoven dhe Shqiperinë”, rrëfen eksperiencen Oseku.
Maja e Rosit
Ngjitja më e vështirë në alpet shqiptare është ajo për në majen e Jezerces me lartësi mbidetare 2694 metra. Aty ka shumë histori aksidentesh si rrëshqitje të dëbores, humbje shtegut apo dhe rrëeshqitje të gurëve, por kjo nuk e kishte penguar Nëntorin që të bënte ngjitjen.
“Të favorizuar nga moti i mirë bashkë me një grup që vinin ngja gjitha trevat shqipfolëse por edhe të huaja u ngjitëm me sukses në majën e Jezerces. Nga aty ne kishim pamje që nuk kisha parë ndonjëherë nga ndonjë maje të bjeshkës. Nga ajo pikë mund t’i shikonim dhe shumë maje tjera, por edhe Luginen e Valbones nga prapa”, thotë Nëntori.
Maja e Jezerces
Një tjetër aventurë e bukur ishte drejt zonës Nikaj-Mertur e cila përbëhet nga 12 fshatra. Me një hartë në dorë, trë shokë, Albion Currin Ilir Perteshonin dhe Lekë Sinen, e shumë ushqime që bashkë me pajisjet tjera bënin një peshë të madhe, Nëntori u nis drejt cakut pa pasur asnjë informacion.
Fillimisht kishin hasur në fshatin Shengjergj ku kishin takuar banorët e zonës dhe kishin shkëmbyer biseda të këndshme. Më pas, gjatë ecjes kishin arritur Betoshë në të cilin i ishin hapur dyert nga një familje dhe nga i zoti i sëcilës kishin mësuar historinë e zonës. Atë natë kishin hapur çadrat dhe kishin fjetur në atë fshat, në një kodër ku shihej një pejsë e mirë e zoëns Nikaj-Mertur.
Të nesërmen kishin vazhduar ecjen dhe rruga e gjatë shoqëruar nga vapa dhe ulje-ngritjet në 400 metra të terenit kishin shkaktuar një lodhje të madhe tëk grupi. Ata kishin aritur në fshatin Mulaj, fshat i cili ishte tërësisht i braktisur nga banorët, nuk kishte rrjete të telefonisë mobile të Shqiperisë e nuk kishte as furnizim me energji elektrike.
Eksplorimet në zonën Nikaj – Mertur
Rruga që vazhduan i çoi në fshatin Kuq, për të vazhduar pastaj për në Qeresh në të cilin kishin ndaluar për të pushuar. Edhe ky ishte një fshat i braktisur, por fati rastisi të takonte me një familje që po bënin pushimet dhe aty i udhëzuan për rrugën deri tek Curraj i Epërm.
U deshen edhe një orë rugë për të parë gjurmët e cakut, më në fund kishin arritur në qafë të Curraj të Epërm i cili kishte rezervuar pamje të mrekullushme. “Si fillim të jepte përshtypjen që je në Alpet e Zvicres a po Austrisë për bukurinë që kishte. Pastaj filluam zbritjen drejt fshatit e cila zgjati rreth një orë dhe kur arritem në fshat kuptuam se për një ditë nga fshati Betoshë deri në Curraj të Epërm kishim bërë 12 orë ecje”, tregon Nëntori.
Aty panë bukurinë e një fshati, shtëpi dhe kulla të vjetra malore, kishen, Kullen e Ngujimit, lumin që kalonte mes për mes dhe mikpritjen shqiptare që u rezervua për grupin. “Në Curraj të Epërm u takum me një familje të Kol Ded Prebibaj. Aty na ftuan për darkë dhe Kola filloi të peshkonte në lum disa trofta me pika të kuqe që nëna e tij na gatuante aty për aty”, thotë Nëntori të cilit i kishte bërë përshtypje mikpritja për të cilin fliste shumë gjatë bisedes sonë.
Fshati kishte 150 shtëpi dhe ishte i braktisur nga banorët, atë natë ishin vetëm 15 banorë të cilit kishin ardhur për pushime, mikpritësi i grupit Kola ishte njëri prej tyre i cili qëndroi me grupin deri vonë duke treguar historinë e këtij fshati.
Të nesërmen ata kishin marrë rrugën e kthimit nga një shteg tjetër i cili kishte zgjatur rreth 8 orë. Në tri ditë ata kishin bërë 35 kilometra ecje. Ndërsa gjatë rrugës për në shtëpi kishin ndjerë keqardhje për këtë zonë e cila ishte lënë pas dore, që nuk ishte investuar të pakten në infrastrukturë për të ndihmuar tursitët për të vizituar këtë pjesë shqiptare, që për Nëntorin mbetet njëra ndër më të bukurat që kishte vizituar./radiogjakova/
Gjeravica - maja më e lartë në Kosovë
Paragliding
Ideal Gola
Nessun commento:
Posta un commento