03 agosto 2013

Unesko: Rruga e re ka shkaktuar dëme të rënda në Butrint gusht/2013

Kulture NAG DHURATA HAMZAI
02 Gusht 2013 - 11:05


BUTRINT- “Rruga e re ka shkaktuar dëme të rënda në Butrint. Ka prishur peizazhin magjik historik të monumentit”. Ky është alarmi që vjen nga raporti i UNESKO-s, që ngarkon me përgjegjësi të rëndë institucionet shqiptare. Raporti i UNESKO-s prej 2010-s ka vënë si kusht 10 udhëzime për menaxhimin e pasurisë së Trashëgimisë Botërore dhe Parkut Kombëtar, por pala shqiptare nuk ka qenë bashkëvepruese, përkundrazi ka bërë dhe ka fshehur shkelje të rënda. Raporti ka identifikuar dëmet që janë bërë gjatë zhvillimeve të punëve për çeljen e rrugës së, duke mos u zbatuar Plani për Menaxhimin e Integruar të Butrintit (IBMP).

harta butrint
(FOTO: (Majtas) Legjenda e projektit për menaxhimin e Integruar të Butrintit)

Në raportin e UNESKO-s është bërë një analizë e hollësishme e aktorëve që kanë bashkëpunuar për Parkun Kombëtar të Butrintit, që kanë luajtur rol negativ në dëmet e mëdha që i janë bërë trashëgimisë. Në raportin e mëposhtëm kemi një listë të plotë e të argumentuar të shkeljeve të rënda dhe përgjegjësive që duhet të mbajnë institucionet shqiptare. Ja ç’shkruhet në këtë raport:   
 
“Në qershor  të 2010-s, përfaqësues të Fondacionit të Butrintit në qendrën e Trashëgimisë Botërore ICOMOS kanë konstatuar se projekti i rrugës që kalon përmes Parkut Kombëtar të Butrintit në jug të Ksamilit ka një efekt negativ mbi peizazhin “magjik” të Trashëgimisë Botërore. Për më tepër hapja e kësaj rruge, e cila është konsideruar se do të ketë një ndikim të tërthortë në menaxhimin e trafikut dhe të dyndjes së vizitorëve, nuk duket vërtetë se është pjesë e ndonjë zhvillimi të përgjithshëm strategjik për menaxhimin e vizitorëve brenda Trashëgimisë Botërore, pasi kjo zonë është tërësisht pasuri e Parkut Kombëtar.

Rruga e re, gjithashtu nuk duket se ka lidhje në asnjë aspekt me qasjen e vizitorëve, kur dihet që në lindje është hapur rruga e re e financuar nga BE-ja. Madje kjo rrugë në atë vend nuk përputhet as me Planin e Menaxhimit të asaj kohe. ICOMOS e mirëpriti faktin që projekti i rrugës mendohej të ndalej në pjesën jugore, ngaqë ajo ishte shumë afër sipërfaqes së pronës historike, por prej tij u rekomandua që duhej të ndalej gjithashtu edhe projekti i përgjithshëm që e çon rrugën deri në thellësi të pronës së Parkut të Trashëgimisë Botërore, duke dhënë edhe orientimet për strategjitë e menaxhimit të trafikut të dendur dhe të vizitorëve.

Kjo ndalesë do të lejonte zhvillimin e një projekti të ri që e kishte miratuar Komitetit i Trashëgimisë Botërore dhe organet  Këshillimore të tij përmes të cilit do të respektohej natyra jashtëzakonisht e ndjeshme e peizazhit të Butrintit. Kjo gjithashtu mund të japë atë që është më e mira në aspektin e burimeve të domosdoshme të kësaj zone, duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat dhe cilësitë e jashtëzakonshme të Butrintit. ICOMOS për më tepër ka rekomanduar që subjekti shtetëror duhej ta kishte marrë në konsideratë duke kërkuar një komision revizionimi që të shkojë për të vizituar pronën dhe për të diskutuar sesi mund të merren parasysh rekomandimet e ICOMOS.

faksimile butrint
Ky propozim u pranua nga ana e subjektit shtetëror dhe komisionit të këshillimit të dërguar nga UNESCO-ICOMOS në takimin që u zhvillua nga 24-26 gusht 2010, ku u mbajt edhe një raport ku përcaktoheshin 10 rekomandime. Subjekti shtetëror filloi të zbatojë rekomandimet e komisionit të revizionimit. Subjekti shtetëror  ka dorëzuar një raport zhvillimi pas një 1 shkurtit 2011 dhe më pas shkurt të vitit 2013 ka dërguar një raport tjetër.

PROJEKTI PA PLANIFIKIM ARKEOLOGJIK, RRUGA KA DEMTUAR PEISAZHIN HISTORIK
Nga shqyrtimi i Raportit të subjektit shtetëror të Parkut Kombëtar të Butrintit në Shqipëri në shkurt 2013, ku si kusht vihet që të zbatohet projekti rrugor, veçanërisht në lidhje me rekomandimet e Komisionit të Këshillimit të ICOMOS / UNESCO (24-26 gusht 2010), del se nuk janë zbatuar rekomandimet e tij. Komisioni Këshillues ka bërë 10 rekomandime, 4 prej të cilëve janë komentuar në këtë raport.
 
REKOMANDIMI 1
Komisioni i Revizionimit të ICOMOS/UNESCO-s ka rekomanduar që zgjerimi i rrugës duhet të ndalet dhe se nuk duhet të bëhet asnjë veprimtari në distancën përafërsisht 100 m nga zona parkimit të ri të autobusëve.
Raporti i subjektit shtetëror të 2013-ës nuk ka të deklaruar në mënyrë specifike se ky rekomandim është zbatuar, edhe pse ka disa fraza për efektin e rekomandimeve, ku përfshihen të dyja raportet e 2011-s dhe 2013-s, ku thuhet se është reflektuar për të gjitha rekomandimet në hartimin dhe implementimin e projekteve.  

Këtu nuk bëhet e qartë, nëse puna për rrugën u ndal në të vërtetë. Çështja ndoshta tani duket akademike, por për korrektesë subjekti shtetëror duhet të konfirmonte nëse ishte ndalur me të vërtetë puna për zgjerimin e rrugës.
 
REKOMANDIMI 2 
Komisioni i Revizionimit i ICOMOS / UNESCO-s ka rekomanduar që autoritetet kryesore shqiptare duhet të emërojnë një staf arkitektësh për të përcaktuar një zgjidhje të  përshtatshme që të përmirësohet peizazhi në territorin dhe në zonën e parkimit të ri për autobusët duke e pasur nën kujdes të gjithë linjën e re të rrugës.

Raporti i 2013-s i subjektit shtetëror konfirmon se, në sajë të mbështetjes financiare të Fondacionit Butrinti, ka qenë emëruar një firmë e arkitektëve nga Mbretëria e Bashkuar, The Landscape Agency. Bashkangjitur me raportin e këtij subjekti është edhe analiza e The Landscape Agency dhe Raporti i Studimit Propozimeve, të dyja dokumentet datojnë në Mars 2012 dhe të dyja këto dokumente janë për t’u përgëzuar.

Së bashku, ato japin një përshkrim të plotë të demit të rëndë të shkaktuar nga peizazhin e rrugës nga ndërtimet të cilat kanë rezultuar të jenë bërë në afërsi të pronës së monumentit dhe kanë shkaktuar degradimin e peizazhit. Rekomandimet e Përgjithshme të The Landscape Agency japinë një përmbledhje të shkurtër se të çfarë niveli janë shkaktuar dëmet duke marrë parasysh secilin prioritet për secilin nga 11 çështjet e identifikuara të dëmit të peizazhit të monumentit dhe jep sugjerime të qarta për zbutjen e dëmit.

Raporti i 2013-s i subjektit shtetëror thekson se zbatimi i këtyre 11 rekomandimeve është duke u zhvilluar, i financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Megjithatë raporti nuk jep asnjë hollësi të mëtejshme.
Nga pikëpamja e natyrës së këtij projekti të diskutueshëm, raporti do të jetë i dobishëm nëse subjekti shtetëror mund të sigurojë kopjet e një projekti të ngjashëm të detajuar dhe të zbatojë propozimet. Suksesi i këtij projekti do të jetë një mënyrë efektive për zbutjen e dëmeve, nëse ato vlerësohen siç duhet, duke siguruar fotografimin dhe dokumentimin e punëve të përfunduara nisur nga këndvështrimet fillestare, 2012, të Landscape Agency.   
 
REKOMANDIMI 3 
Ky rekomandim ka qenë për autoritet vendore shqiptare që duhet të vendosin shenjat e duhura rrugore të veçanta për këmbësorët dhe çiklistët, duke e bërë rrugën të përdorshme dhe të përshtatshme duke siguruar trotuarin dhe parmakun.
 
Raporti i 2013-s i subjektit shtetëror thotë se kjo punë është ndërmarrë dhe kur ka qenë e domosdoshme puna është kryer nën mbikëqyrjen e arkeologëve. Megjithatë, nuk ka të dhëna të detajuara. Ky raport mund të jetë i vlefshëm, vetëm nëse subjekti shtetëror do të dorëzojë fotografitë që e tregojnë rrugën që ka shenja dhe parmakë, ku të tregohet se ata me të vërtetë vlerësojnë vlerat e qytetit arkeologjik dhe rrethinave të tij.   
 
REKOMANDIMI 4
Ky rekomandim ishte për autoritet vendore shqiptare, të cilat duhet të sigurojnë ndriçimin e përshtatshëm për kalimin e këmbësorëve në një distancë prej rreth 1.2 km nga hyrja e parkut.
Raporti i zhvillimit të subjektit shtetëror për 2011-n Tabela 3, konstaton një seksion rrugor, ku shihet pamja e propozuar për dritat e rrugës dhe trotuarin.  

Raporti i 2013-s nuk jep asnjë informacion shtesë dhe nuk konfirmohet nëse kjo punë është kryer. Subjekti shtetëror duhet të ftohet për të siguruar më tej informacionin mbi hartimin dhe zhvillimin e kësaj pune.

REAGON FORUMI I TRASHEGIMISE: DO KERKOJME NDJEKJE PENALE PER APOLLON BACEN DHE YLLI CEROVEN
Në qershor 2012 konsulentët e ICOMOS me përfaqësues të Komisionit Këshillues dhe ekspertë të arkeologjisë e ruajtjes së mjedisit kanë vë re moszbatimin e rregullave dhe mungesën e detajizimit të projektit për zhvillimin e punëve në rrugën e re në Butrint.  “Që në 2010 ICOMOS rekomandoi që rruga të mos vazhdonte, por autoritet shqiptare nuk e kanë marrë parasysh këtë rekomandim dhe e kanë përfunduar rrugën, madje pa raportuar pranë strukturave te UNESCO-s, një detyrim i Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve përfaqësuar në këtë kohë nga drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës Apollon Baçe dhe ish drejtori i Parkut të Butrintit Ylli Cerova.

Ndërkohë që konstatohet se pala shtetërore nuk ka paraqitur ende as sot 3 vjet më vonë një plan menaxhimi për Butrintin i kërkuar në vitin 2010, anëtarët e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë kanë reaguar menjeherë pas publikimit të këtij raporti të UNESCO-s, duke theksuar se “do kërkojmë që të merren hapa ligjorë ndaj ish-drejtorit të Parkut Ylli Cerova dhe drejtorit të IMK Apollon Baçe që kanë përfaqësuar shtetin shqiptar në këtë çështje që edhe pas rekomandimeve për ta ndrerë projektin kanë vijuar punën pa i lajmuar anëtarët e Komisionit të Këshillimit të ICOMOS / UNESCO të sipas marrëveshjes sw bërë që në 24-26 gusht 2010).


Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 02.08.2013

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)
 - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/unesko-rruga-e-re-ka-shkaktuar-deme-te-renda-ne-butrint-170178.html#sthash.nyRW9ZRk.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate