e Enjte, 29 Gusht, 2013 | 14:31 pm
Bujtinat e fshatit presin ende vizitorë përpara borës.
Vaskat e gurit, bukuritë e fshehura të natyrës në Ndërlysën e “Shtegun e Dhive”
Siç thuhet, nëmja nuk është kuptimi fetar i mallkimit. E megjithatë, vrazhdësinë e Bjeshkëve të Namuna (maleve të mallkuara) nuk mund ta ndash nga Krijuesi.
Kanë qenë njerëzit që ua kanë dhënë këtë emër një pjese të alpeve shqiptare, mbase pa menduar se brenda kësaj fjale, gjithsesi të ashpër, po fusnin edhe karakteristikat e tyre. Sepse ato male, qoftë edhe vetëm me oshtimat e natës, me zhurmat e kudogjendshme të degëzimeve të lumit dhe me heshtjen e ditës, i kanë formuar. Sot, thuajse të gjithë u janë larguar, i janë afruar qytetërimit e janë shpërndarë për të banuar në të gjithë Shqipërinë, por zërat e malit i kanë kudo me vete. Mjafton të takosh të moshuarit sybardhë, kur kthehen të verojnë në vendin e tyre, pas dimrit që kanë kaluar pranë fëmijëve në Shkodër a gjetkë, për të parë se si u krijohen në iris konture hijesh me format e majave të thepisura.
Jemi në Theth, në luginën e thellë rrethuar prej majash të larta. Parafytyrimin e asaj çka të pret mendon se do ta kesh të përafërt vetëm për vendmbërritjen. Por është rruga ajo që të shkund veshkat e parashikimit. E nëse ju themi që njëra nga rrugët e Thethit, në hartën e tij, quhej “Shtegu i dhive”, panorama mbase mund të jetë më e kuptueshme. Të mbërrije deri atje duhet të kishe përshkuar më parë rreth tri orë rrugë-çakëll, me shpejtësi të makinës jo më tepër se 20km/h (në vendet më të mira). Nëse do ishe aq me fat sa të të niste edhe shi, ngjante e gjitha me një film pa zë, fundin e të cilit nuk mund ta dije. Zhurmat e kokës së këtyre orëve kalojnë vetëm në darkë, në rastin kur pas udhëtimit ju ka zënë pasditja në Theth. Atëherë, pas ushqimit karakteristik të shtëpive të gurta ku bujtin turistë, merr përshëndetjen e vërtetë të vendit: Të ftohtin!
Dy batanije, në ditët e fundit të gushtit, edhe mund të mos mjaftonin për të kaluar natën në dhomë. Pas zgjimit me aromë djathi të bardhë, sikur bëheshe pjesë e atyre kreshtave të jeshilëta, dhe dita niste më mirë…
Vizitat e një dite
Sipas atyre që e kishin kaluar këtë aventurë, ato që quhen vaska guri në fshatin Ndërlysë, menjëherë pas Thethit, ishin më përfaqësueset ndër bukuritë natyrore. Rruga prej tyre nga lugina e thellë e Thethit mund të bëhej me makinë për më pak se një orë, ndërsa ky dukej se ishte kufiri i fundmë ku mund të mbërrinin automjetet. Pjesën tjetër do ta shihje në këmbë. Prezantimin e parë të vaskave e bënte “Pusi i Zi”, menjëherë pas tij gjendeshin pikturat e Zotit. Rrjedha e lumit të Ndërlysës pengohej nga disa gurë që krijonin katër a më shumë rrjedha të dendura e të rrëmbyeshme uji, që pasi bashkoheshin sërish, nisnin e shpërndaheshin në drejtimet e ndryshme të vaskave që “gjeniu” u kishte caktuar. Në këto gropa guri, uji i së cilave arrin mesatarisht deri në supe, mund të lahesh o “të kurohesh”, siç thonë banorët e pakët të zonës. Nëse do të ishin shumë të frekuentuara, siç ndodh zakonisht të shtunave të pesë muajve me vizita të dendura të këtij vendi gjatë verës (maj-shtator), ndoshta vetëm do të shiheshin me sy, por në një ditë kur nuk arrin të shohësh asnjë njeri të cilit t’i shkosh pas për të gjetur vendin e duhur, mundesh të qëndrosh për orë të tëra. Të paktën për aq sa ta lejon dielli që përshtatet po aq me ashpërsinë e vendit sa edhe dukuritë e tjera natyrore përreth. Në ditë të nxehta vere, hija vjen e rrumbullakos malet në Theth e zonat përreth, pa shkuar ora 19:00, ndërsa në dimër, ata pak guximtarë që mbërrijnë, tregojnë se koha e drekës është sinjali i fundit i dritës. Pas vaskave, do të vijosh të ndjekësh rrugën e malit për të mbërritur te “Syri i Kaltër” në Kaprre. Emërtimi i njësojtë me atë të Sarandës është edhe në imazh. Përveç vështirësisë së rrugës në këmbë, që zgjat përreth 1 orë nga vaskat, pamja që të pret është po ajo.
Do të kthehesh sërish nga ke ardhur, do ta lësh makinën në mesin e rrugës për të parë Ujëvarën e Thethit dhe kanionin e Grunasit.
Përpara të gjitha pikave që vizitoheshin, gjendeshin kioska kashte që më shumë se për të bërë tregti me pijet e ftohta, shërbenin si udhërrëfyese. Njëra nga këto ishte “vajza e ujëvarës”, që u shkëput nga “dyqani” për të na drejtuar drejt ujit të rrjedhshëm majë mali. E bënte këtë gjë ndoshta për tri-katër herë gjatë ditës, duke mos u lodhur për të dhënë as buzëqeshje, as muhabet, e as farat e lulediellit që i përtypte si për të mos ndjerë përsëritjen e kësaj ngjitje-zbritje, disa herë, gjatë ditës.
Biondët/et e huaj
…Të mos ishte për ta, Thethi do të dukej edhe më i “namun” nga ç’koha e ka cilësuar. Ngjitja e tyre drejt malit e mandej zbritja drejt luginës vihej re qysh gjatë rrugës. Vetëm se, ndryshe nga shumica prej nesh, shkonin në këmbë apo me biçikleta. Banorët e Thethit ishin gati të të flisnin së pari anglisht (të paktën përshëndetjet e para) duke e kthyer kështu në gjuhën e më të rinjve të fshatit që vinin aty vetëm gjatë verës. Kaq të shpeshtë ishin biondët/et lëkurëbardhë që më shumë se gjithçka, kënaqeshin me paprekshmërinë e këtij vendi nga dora e njeriut. Ata nuk do donin asnjëherë që rruga nga Kopliku deri në Theth të ishte e lëmuar si ajo e maleve të tyre, përndryshe nuk do të ishte më aq e bukur. Gjatë dimrit, ishin po ata që eksperimentonin terrenin e vështirë e të zbardhur nga dëbora, ndërsa të veshur me veshjet e posaçme bënin ngjitje në mal apo ski. Banorët që i presin vizitorët e huaj gjatë muajve të acartë, në Theth apo fshatrat përreth, janë fare të pakët. Aq sa përshëndetja me një vendës nuk dihet kur mund të të qëllojë. Por, Thethi është më shumë se kaq. Malet e mallkuara vetmitare që do të nisin gjumin nga shtatori, edhe kur të zgjohen, sikur të mos ishin çlodhur, do të jenë sërish të ashpra. Kush mundet, së paku një herë duhet të shkojë, për të takuar aty mbase “tjetrin” e vetes, hija e të cilit pasqyrohet në vrenjtësinë e malit, ndryshe nga ç’ndodh me dritën e detit.
ANI JAUPAJ
http://www.panorama.com.al/2013/08/29/thethi-ashpersia-e-maleve-te-vetmuara-te-bjeshkeve/
Nessun commento:
Posta un commento