09 agosto 2013

Skandal në Berat, makina të tonazhit të rëndë mbi Urën e Goricës


Skandal në Berat, makina të tonazhit të rëndë mbi Urën e GoricësBERAT
-
Nga: ABEDIN KAJA09 Gusht 2013 - 13:21Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës ka vendosur mbylljen përfundimtare të kalimit të automjeteve mbi Urën e Goricës, monument kulture i kategorisë së parë. Sipas specialistëve të kësaj drejtorie, kjo urë monument kulture po shkon drejt shkatërrimit të saj, për shkak të kalimit mbi të prej mjeteve me tonazh të rëndë. Ura e cila më herët ka qenë e bllokuar në të dyja anët me disa platforma hekuri që izolonin hyrjen e mjeteve në këtë urë, duke lejuar kalimin vetëm për kalimtarët, është hapur gjatë muajit qershor. Drejtori i DRMK-së Berat, Ilir Azizolli shprehet se hapja e Urës së Goricës gjatë fushatës elektorale është kryer në mënyrë arbitrare dhe për këtë është bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit, për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës për këtë veprim. Azizolli pohon se raportet nga specialistët vendas, por edhe nga ata të UNESCO-s, kanë konstatuar se Ura e Goricës, me vlera të papërsëritshme arkitektonike, rrezikon shkatërrimin dhe shembjen nëse nuk merren masa për parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme.
Ura Ura e Goricës e kthyer nga urë druri në urë guri në shekullin e XVIII, është ndërtuar më 1780 nën kujdesin e Ahmet Kurt Pashës dhe e rindërtuar në vitin 1920-1930. Ura është 129.3 m e gjatë, 5.3 m e gjerë dhe me një hapësirë mes harqeve nga 9-16.7 m. Kjo urë ngrihet 10 m mbi shtratin e lumit Osum dhe përbëhet nga 7 harqe. Sipas legjendës në këmbën e parë të saj në kohën e rindërtimit, ekzistonte një zgarrë dhe një kamare e madhe e mbyllur me hekura në të cilën do të ishte e mbyllur një vashë, e lënë të vdiste aty nga uria si fli për tu bërë ballë shpirtrave të këqij që nuk donin ndërtimin e urës. Në një tjetër këmbë gjatë restaurimit të saj u gjet një kokë femre e gdhendur në dru. Është një vepër e gjitha e ndërtuar me gurë të bardhë të skalitur dhe të punuar hijshëm. Ura ngrihet mbi një bazament të fuqishëm dhe shtrihet në të dyja pjesët e lagjeve muzeale “Mangalem” dhe “Goricë”. Kjo urë për disa shekuj ka shërbyer si nyje lidhëse e Shqipërisë së Mesme dhe asaj të veriut me jugun e Shqipërisë, Greqisë dhe gjithë Orientin. Është pikërisht kjo urë që ka pritur dhe përcjellë mijëra kalimtarë, të cilët i ka mbajtur mbi shpinën elegante të saj. Vitet e fundit ajo ka pasur dëmtime të mëdha në të gjithë trupin e saj, janë çarë këmbët dhe harqet e saj si dhe ka dëmtime të pjesshme në të gjitha pjesët e murit. Gjatë ndërtimit nuk ishte parashikuar që ura të mbante mbi shpinën e saj mjete të tonazhit të rëndë sikur të ishte një masë shkëmbore dhe jo vepër arti e llogaritur që në të, të kalonin vetëm këmbësorë dhe mjete me kapacitet të vogël transporti.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate