Sezoni i pushimeve është në pikun e tij, ndërsa pishinat dhe plazhet në vend kanë probleme me higjienën. Janë rreth 40 pishina përgjatë vijës bregdetare nga Durrësi në Qeparo, të cilat po i nënshtrohen inspektimit nga Instituti i Shëndetit Publik. Ndonëse raporti përfundimtar nuk është mbyllur ende, drejtori i ISHP-së, Ardian Hoxha, pohon për gazetën se janë vërejtur jo pak probleme sa i përket nivelit të klorit në këto mjedise mjaft të frekuentuara nga pushuesit. “Kemi ndeshur mjaft mangësi në lidhje me sasinë e klorit që përdoret për dezinfektimin e pishinave dhe për ato subjekte ku kanë përfunduar analizat janë lënë detyrat përkatëse”, thotë Hoxha. Sipas tij, në Durrës janë marrë mostra në 10 pishina, në Golem në 15 pishina, në Sarandë në 12 pishina. “Po kështu janë marrë mostra në Qeparo në 4 pishina, në Llogora në një pishinë, në Gjirin e Lalzit në një pishinë dhe në Velipojë në një pishinë. Ndryshe nga vitet e tjera, kur kontrollet i kanë kryer DSHP-të e rretheve, këtë vit për ne ishte prioritet garancia e higjienës për qytetarët”, tha Hoxha.
Plazhet e ndotura
Niveli i ndotjes në plazhe, pavarësisht përmirësimit, mbetet i lartë në disa pika. Nën monitorim janë 73 të tilla në të gjithë vendin, nga Velipoja deri në Borsh. “Problematike mbeten disa pika në Golem, pranë ish-Shkollës së Marinës në Vlorë dhe Kanali i Çukës në Sarandë”, thotë Hoxha. Ai shton se ndotja e lartë mikrobiologjike shkaktohet si pasojë e derdhjes së ujërave të zeza në det, pasi nuk ka përfunduar instalimi i impianteve. “Këto impiante janë zgjidhja përfundimtare për të garantuar plazhe me ndotje brenda normave të lejuara”, thotë drejtori i ISHP-së. Plazhet më të pastra, ndonëse me mjaft frekuentues gjatë këtij viti, mbeten Borshi, Velipoja, Himara dhe një pjesë e zonave të Vlorës e Sarandës.
Rikthehet klori në Tiranë
Për të gjithë ata që gjatë gushtit zgjedhin disa orë pushimi në pishinat e Tiranës, ISHP garanton se janë brenda standardeve. “Në korrik ne kryem inspektimin e parë dhe rezultoi se 20% e pishinave në kryeqytet nuk kishin fare klor, 3 prej tyre kishin ndotje bakteriale dhe 14% e kishin klorin më të ulët se norma. U morën mostra nga 35 pishina në total. Pasi lamë detyrat që duhet të zbatoheshin nga administratorët e subjekteve, u kthyem sërish në fillim të gushtit dhe na rezultoi se parametrat ishin brenda standardeve”, sqaron Hoxha. I pyetur për mbipopullimin e pishinave dhe zbatimin standardit të përcaktuar nga OBSH për hapësirat, Hoxha sqaron se nga inspektimet e kryera ka rezultuar se përgjithësisht sipërfaqja në metër katror për qytetar zbatohet në pishinat e kryeqytetit.
Pishinat
Tirana
35 pishina
Saranda
12 pishina
Vlora
6 pishina
Durrësi
10 pishina
Kavaja (Golemi)
12 pishina
Qeparoi
4 pishina
Llogoraja
1 pishinë
Velipoja
1 pishinë
Më pak pushues në pishina
Numri i frekuentuesve të pishinave gjatë këtij sezoni ka qenë më i ulët se të mëparshmit. Qytetarët preferojnë të shkojnë në plazhe. Një nga faktorët që ka ndikuar, sipas tyre, janë çmimet, të cilat për një pjesë të familjeve janë të papërballueshme. Për një person disa orë në pishina kushton nga 800-1000 lekë. Arsyeja tjetër pse vihet re një rënie e numrit të frekuentuesve është uji. Preferojnë të shkojnë më rrallë, por të paktën të lahen në ujë të kripur, e jo me klor.
ZIRINA LLAMBRO
http://www.panorama.com.al/2013/08/15/ishp-pishinave-ne-bregdet-u-hidhet-me-pak-klor-nga-norma/
Nessun commento:
Posta un commento