Nga Vehbi Furxhi
05 Gusht 2013 - 14:34
Kur mora ftesën për të marrë pjesë, si gazetar në udhëtimin studimor përmes Parqeve Kombëtare të Rezervës Ndërkufitare të Biosferës “Baseni Ohër-Prespë”, ndjeva në brendësinë e qenies sime një kënaqësi të veçantë e në çast m’u kujtua “Bilbili i poezisë shqiptare”, Naim Frashëri, me vargjet perlë të poemës së tij “Bagëti e Bujqësi”. O malet’ e Shqipërisë!/ e ju’ o lisat’ e gjatë!/ Fushat’ e gjera me lule!/ që u kam ndër mënd dit’ e natë/Ju bregore bukuroshe !/e ju lumenjt’ e kulluar! / Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar!/ Mëndje merr’ fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti...
Ishte 17 korrik 2013 ora 08:00, kur autobusi u nis nga qendra e qytetit të Korçës për në Ohër të Maqedonisë. Dielli shëndritse me tërë shkëlqimin e tij dhe ngjyra e gjelbër e theksuar mbizotëronte në të dy krahët e rrugës së asfaltuar kudo nga bimët e pemët e harlisuara të spërkatura nga vesa e mëngjesit. E gjelbra thyhej herë pas herë nga vilat e bukura, të reja me bashtat si të qëndisura. Kur autobusi zbriste “Plloçën”, pamja mahnitëse e liqenit të Pogradecit në këtë ditë të nxehtë vere reflektonte në faqen pasqyrë të ujit që kishte marrë ngjyrën bojëqielli në gri. Ky liqen është një nga perlat më të spikatura liqenore të Shqipërisë. Lamë pas në të majtë Pogradecin dhe mbasi mbaruam shpejt procedurat vetëm duke paraqitur kartat e identitetit në të dyja doganat, atë shqiptare dhe atë maqedonase, u futëm në rrugën që në krahë të majtë, shtrihej Liqeni i Ohrit dhe në të djathtë pyjet e harlisura të dushkut, që me të gjelbrën e tyre të bukur të çlodheshin sytë. Në qytetin turistik të Ohrit na pritën miqtë maqedonas dhe kështu së bashku gazetarë nga rajoni i Korçës, nga Bitola (Manastir) nga Ministritë e Mjedisit nga të dy vendet, bashkitë, nga administratë e specialistë të parqeve kombëtarë e të tjerë, së bashku me drejtuesit e aktivitetit, Thimaq Lako dhe Ardit Konomi, u nisëm për në parkun kombëtar “Galicica”. Në hyrje të parkut me sfond shumë të madh të pishave që konkurronin të zinin qiellin e kaltër ishte vendosur e skalitur në gur simboli i parkut “Rriqebulli”.
Në parkun kombëtar “Galicica” mbas përshëndetjes së mirëseardhjes së drejtuesit të parkut e mori fjalën Z.Wolfgang Fremuth, Drejtor i projektit: Rezerva ndërkufitare e Biosferës Prespa, mbështetje për parkun kombëtar të Prespës në Shqipëri, i cili prezantoi në mënyrë të hollësishme projektin, si dhe qëllimin e udhëtimit studimor përmes parqeve kombëtare të rezervës ndërkufitare të biosferës “Baseni Ohër-Prespë”. Më pas e mori fjalën Z.Oliver Avramoski, i parkut kombëtar “Galicica”–Maqedoni, i cili midis të tjerave theksoi: “Parku disponon 24151 hektarë. Ai nuk plaket, por sa vjen e zbukurohet, është i vizitueshëm dhe menaxhohet me vetëfinancim (një eksperiencë pozitive edhe për parqet e tjera). Ka dy qendra informimi me një biodiversitet të florës dhe faunës. Duke hyrë mes pyllit të dendur të pishave shumëvjeçare që përpiqeshin t’ia kalonin njëra-tjetrës për të kapur e thithur secila sa më shumë diell. Mushkëritë na mbusheshin me ozon, mendja e shpirti të qetësoheshin e ndjeje një qetësi, që të ripërtërinte e nuk të linte të shkëputeshe nga ky ambient, duke të mbajtur me vete si me magji. Të 40 pjesëmarrësit e aktivitetit studimor pyesnin, mbanin shënim, shkrepnin aparate fotografike, kamerat filmonin.
Nga “Galicica” autobusi mori rrugën e asfaltuar me dy korsi për në Stenjë. Nga të dy krahët e rrugës shpalosej si në një ekran të madh gjelbërimi pambarimisht i pishave, akacieve, dushkut, pemëve frutore dhe në veçanti të binin në sy kurorat si ombrella të mëdha e hijerënda të arave të kësaj peme të bekuar, që kishin frutifikuar frutat e tyre me shtresën e gjelbër ku fshiheshin guaskat e arës e brenda saj thelpinjtë e bardhë, por që duheshe kohë për t’u shkundur, ose rënë vetë në tokë ...
Nga Bitola (Manastir) vazhduam udhëtimin dhe pa rënë muzgu i mbrëmjes, kur dielli si një “kalorës” po kapërcente duke u fshehur prapa majës së malit Pelister, na shfaqet si papritur një godinë e bukur me një arkitekturë të veçantë, hoteli “Molika”, në sfond të saj një peizazh mahnitës i pyllit me pisha dhe më tutje sfondit maja e malit. Gazetarët me aparatet fotografikë në dorë, operatorët me kamerat e tyre, e të tjerë nxituan të fiksonin këtë pamje mahnitëse muzgmbrëmje e kuqërremtë në “Molika”.... Një kujtim, një mbresë, një ndjesi e veçantë shpirtërore, për t’u shijuar, por edhe për t’u treguar...
Një darkë e shijshme e shoqëruar me verën “Taga Zajug”, e një “gjumë si shqerrë” me dritare hapur, ku dhoma mbushej plot me oksigjenin tre atomik dhe erën e veçantë të rrëshirës së pishës
18 korrik 2013 Lindja e diellit është një mrekulli në këtë vend piktoresk. Unë kisha dëshirë t’a shihja prandaj u ngrita herët në mëngjes e dola në oborrin e madh, e u ula në një stol. Mbrapa kisha statujën simbol të parkut kombëtar “Pelister”, “Ariun”. Ktheva kokën në mënyrë instiktive për ta parë, ariu shikonte drejt pyllit të dendur shekullor të pishave e malit “Pelister”, mua më dukej ariu si i gjallë dhe sikur i kishte sytë të përmalluar dhe si me lot nga vesa...
Pastaj ktheva përsëri kokën nga pylli që kisha përkarshi. Dielli i fshehur prapa malit filloi të nxirrte rrezet e tij të arta e si shigjeta të holla, të kuqe në të verdhë, që shponin perden e errësirës e humbisnin në brendësinë të pafundme të pishave të larta... E kur isha si i përhumbur në këtë pamje mëngjesore, si për çudi nga drejtime të ndryshme nga “barku” i pyllit të qullur me djersë me aparate në duar, me kamera, dilnin kolegët.
Të gjithë ishin të qeshur e të gëzuar, me fytyra të freskëta dhe të kuqe si kokrrat e mollës, të ripërtërirë ...
E me vete thashë: “Naimi kishte të drejtë”. Mbasi hëngrëm mëngjes e pimë shtruar kafenë, u nisëm drejt pyllit “Molika” nëpërmjet shtigjeve malore. Mbasi kishim ecur nja 30 minuta, të gjithë u mblodhëm rreth një pishe të madhe, që të lodhej koka kur ta ngrije lart për ta parë, e shumë e trashë. Drejtori i parkut, Amet Haxhiu, shpjegon se kjo pishë është 200-vjeçare, të tjerat variojnë 150-180 vjeç. Pylli e pishat quhen “Molika” d.m.th 5 gjethe (hala).
Ameti vazhdoi qetësisht të shpjegojë në gjuhën shqipe: “Parku nacional “Pelister” në Maqedoni zë një sipërfaqe prej 17150 hektarë, dominon pisha “Molika” e cila zë 54%, zona rigorozisht e mbrojtur zë 33% dhe pjesa tjetër është e menaxhueshme aktive, ka 26 lumenj e përrenj. Mali që shihni aty lart quhet Pelister, ka dy liqene, ose dy sytë e pëllumbit, njëri liqen ka sipërfaqe 4 hektarë me thellësi 14 metra dhe tjetri 400 metra me thellësi 2 metra, në dimër zënë akull, do 4-6 orë të ngjitesh në këmbë në majë të malit ku janë 2 liqenet. Pylli ka bimë medicinale si çaj mali, zhumbricë, rigon etj (janë të certifikuara), ka 1240 specie. Metodat tradicionale të monitorimit do t’i zëvendësojmë me metoda të përparuara bashkëkohore, është qendër e vizitueshme, turistike, promocionale, si dhe në parqet e tjera po përmirësohet në vazhdimësi që edhe komuniteti të jetë edhe objekt, edhe subjekt e këtij procesi për mbrojtjen e ruajtjen e parqeve nacionale. Siç e patë vetë në park janë “shtegu i fëmijëve” ku fëmijët si sot, por edhe ditë të tjera bëjnë ekskursione e piknikë të vazhdueshëm e të bukur, ata nga dita në ditë po bëhen miqtë më të mirë të pyllit.
Ka dhe zona të “virgjëra”, që nuk lejohen të vizitohen. Gjatë udhëtimit për në park ishin vendosur stenda që tregonin për Luftën e Parë Botërore (1914-1918). Vasil Strejofski, që ka mbaruar master për histori, duke parë stendat me radhë tregon se këtu ka qenë fronti i Luftës së Parë Botërore, i cili u hap në 1915, front që shkonte nga “Pelister” këtu tek ne në Mal të Thatë, Prespë e deri në Selanik. Këtu ku jemi ne ka qenë ushtria franceze. Një shishe vere e gjetur është shitur 5 mije euro”.
19 korrik 2013 Mëngjes. Lëmë pas “Molika” duke marrë me vete mbresa e kujtime, gjallërinë e kënaqësinë që na dha me blloqet me shënime e aparatet e kamerat që fiksuan pishat, bimët, lule, shpendët. Autobusi mori rrugën me destinacion Prespën e Madhe me vendqëndrim: Parku Kombëtar i Prespës në fshatin Goricë e Vogël, një nga 9 fshatrat e komunës Pustec të minoritetit maqedonas të Prespës. Fshati Goricë e Vogël, i vendosur në një kodër të butë që i lag këmbët në buzë të liqenit, me shtëpi të reja të vendosura në mënyre rrethore, me bashta plot mollë e rrush, ku prespjotët sa vjen e më shumë po rritin me punën e tyre mirëqenien, po shkollohen fëmijët, jo vetëm në shkollën e tyre 9-vjeçare në fshat, por vazhdojnë dhe shkollën e mesme në Pustec, fshat në qendër të komunës dhe pastaj në Universitetin “Fan.S.Noli” Korçë, ose në universitet e Tiranës publike e private, ose në Maqedoni ose gjetkë e ardhmja e tyre është e mirë, por do të bëhet akoma më e mirë.
Në një godinë të bukur të Parkut Kombëtar të Prespës, në një nga sallat e saj, përgjegjësi i parkut Z.Olsi Duma, një njeri i apasionuar pas parkut, që i zë vend fjala e tij shkencore, me kompjuterin përpara tregon me anë të monitorit në ekran një “Ari i murrmë që lahet”, një fillim i bukur, interesant e i veçantë, por dhe mbresëlënës. Mbasandaj, ai tregon duke i ilustruar në ekran me foto, shifra e fakte: Liqenet e Prespës “Hot Spot” i biodiversitetit. Origjina është tektonike. Flora përbëhet nga 1500 lloje nga të cilat 19 endemike, 12 lloje endogjene peshqit, 4 specie, e 8 nënspecie janë endemike, 270 lloje shpendësh (pelikani specie e rrezikuar). Liqenet ndahen në tri shtete-Shqipëri-Maqedoni–Greqi. Më 1962-1975 liqenet komunikonin me njëri-tjetrin. Liqeni i Ohrit ndodhet 150 metra më poshtë e furnizohet me ujë nëpërmjet grykës së “Zaverit” të Prespës së Madhe, duke rrjedhur në disa vende në Tushemisht të Pogradecit. Me VKM.nr 80, dt.18.02.1999 shpallet Park Kombëtar, duke përcaktuar kufijtë e parkut. Parku ka 1061 lloje bimësh, 362 lloje kërpudhash, 83 lloje gjitarësh, 23 lloje reptilë, 132 lloje shpendësh, 11 lloje amfibësh. Fshati përkarshi është Kallamasi, ku nga gërmimet arkeologjike rezulton vendbanim i hershëm 7000 vjet përpara, ishulli “Golem Gradit” i përket Maqedonisë, ndërsa ishulli i “Mali Gradit” i përket zonës shqiptare të Prespës së Madhe e është më i vogël. Mbasandaj Olsi flet për mënyrat e monitorimit dhe menaxhimit të parkut e të tjera dhe u përgjigjet pyetjeve që ishin në auditor. Rruga e asfaltuar fillon nga Dogana e “Goricës se Vogël” e shkon deri në Zëmblak. Një foto e përbashkët tek Gryka e “Zaverit”, kur në sfond dukej liqeni i kaltër pasqyrë. Vazhdojmë rrugën për në fshatin Zaroshkë, një fshat turistik me rërë të imët ngjyrë floriri gjatë bregut të liqenit, me ujë të pastër qelibar, me shtëpi, vila e lokale shumë të mira për turizmin familjar e të tjera, ku gatuhej krapi i pjekur në skarë, tava e veçantë e krapit të Zaroshkës që të bën “të lëpish gishtërinjtë”. Në mesditë arritëm në Prespën e Vogël. Në vitin 1976 “mendje ndriturit” profanë të asaj kohe devijuan lumin e Devollit në Kanalin e Vendrokut për të rritur sipërfaqen e ujit, që ta kishin për vaditje. “Hesapet u bënë pa hanxhinë”. Lumi i Devollit nëpërmjet Kanalit të Vendrokut bashkë me ujin derdhte tinëzisht dhe aluvionet, të cilat dalë ngadalë dekantonin poshtë shtratit të liqenit, duke krijuar kushte të favorshme për rritjen shavarit, duke zvogëluar sipërfaqen ujore e krijuar kështu një krim ekologjik, ku gabimi është bërë faj. Shavari po merr nga dita në ditë sipërfaqen e ujit të liqenit.
Në Drilon Z.Leon Gjika, shef i seksionit të administrimit e menaxhimit në Drejtorinë Shërbimit Pyjor Pogradec, flet për monumente natyrore (17).Biomonumente–Gjeomonumentet, e të tjerë. Në krahun tonë notonin të qeta një grup mjellmash qumësht të bardha, që loznin njëra me tjetrën. Në krahun tjetër rosat e rosakët me gushën e tyre të bukur me ngjyra si të ylberit futnin kokën në ujë e zhdukeshin për disa sekonda, dilnin përsëri sikur kishin bërë dush e shkundin ujin nga puplat e pendët.
Tushemishti është një fshat i vogël, por që ka filluar të marrë një pamje të bukur me shtëpitë e tyre karakteristike të rregulluara e rrugët me kalldrëm. Kudo mund të drekosh me tërë të mirat, por koranin me pika të kuqe e të zeza origjinal të liqenit të Pogradecit nuk mund ta gjesh gjëkundi në botë, vetëm nëqoftëse mund të vesh në ndonjë restorant buzë liqenit të Bajkalit, por edhe atje nuk është si ky, sepse kjo korani ynë është specie endemike. Dhe më së fundi ishte përcjellja e miqve maqedonas. Aktiviteti përveç vlerave që përmendëm më sipër, forcoi bashkëpunimin e miqësinë, në mënyrë të veçantë ishte dhe mbresa që la njeriu që ne të gjithë e thërrisnim profesor Z.Wolfgang Fremuth, drejtor i projektit nga Gjermania, njeri i thjeshtë, i përpiktë në orar, një shkencëtar i vërtetë që më sjelljen, kulturën, përgatitjen e tij po bën aq shumë për realizimin me sukses të projektit dhe për nominimin e pjesës shqiptare të liqenit të Pogradecit nga UNESKO. Ai ishte një njohës i vërtetë i parqeve kombëtare, i rezervës ndërkufitare, Biosfera Baseni “Ohër Prespë”, por dhe të eksperiencës europiane e botërore. Ai ishte me një vullnet të hekurt që futej i pari në pyll e ngjitej malit, vrojtonte çdo bimë lule e dru, i kishte mbirë e qeshura në buzë, e dashuria me të gjithë. Mirupafshim përsëri së shpejti në FESTËN E NOMINIMIT!
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Nessun commento:
Posta un commento