Nga GAZETA TELEGRAF - Die Kor 28, 1:00 pm
Qyteti i Sarandës i pozicionuar ne jug të vendit, gëzon një pozitë mjaft të favorshme duke u ndodhur përballë ishullit grek të Korfuzit. Saranda njihet edhe si “porta detare jugore e Shqipërisë”. Ajo dhe zona përreth saj përbëjnë një prej burimeve më të rëndësishme turistike të Shqipërisë. Emri i sotëm i Sarandës rrjedh nga prezenca e një manastiri të hershëm kristian i “40 Shenjtorëve”. Rrënojat e këtij objekti ndodhen në Qafën e Gjashtës, në hyrje të qytetit. Saranda shtrihet përgjatë bregdetit të Jonit dhe ofron një shëtitore të këndshme me palma, si dhe plazhe të vegjël zallorë. Në qendër të saj
gjenden rrënojat e qytetit antik të Onhezmit, i shkatërruar në shek V-të nga dyndjet e
barbarëve. Së fundmi, në vitin 2002 është zbuluar dhe një sinagogë. Vetëm 2 km në jug të Sarandës, në një kodër dominante, ndodhet kalaja e Lëkursit. Fortifikimi u ndërtua nga Sulltan Sulejmani gjatë fushatës për pushtimin e Korfuzit. Tashmë, në kala ndodhet një restorant, i cili krahas kuzhinës së pasur, ofron edhe një pamje të mrekullueshme të blusë së thellë joniane. Në vazhdim të udhëtimit drejt jugut, bregdeti bëhet i larmishëm dhe ofron katër ishuj të vegjël te mbuluar me gjelbërim të përhershëm (zona e Ksamilit), faunë e florë të mrekullueshme detare. Në anën tjetër ndodhet liqeni i Butrintit me ujë të kripur, pasi është lagunë bregdetare me origjinë tektonike, që lidhet me detin nëpërmjet kanalit të Vivarit 3,6 km i gjatë. Në këtë lagunë folëzon një numër i konsiderueshëm shpendësh detarë.
Butrinti
Në jug të liqenit të Butrintit, rreth 18 km nga Saranda, shtrihet qyteti antik i Butrintit. Kjo
është pika më e rëndësishme arkeologjike e Shqipërisë, e cila që prej vitit 1992 ndodhet
në listën e UNESCO-s. Sipas Dionisit të Halikarnasit, krijimi i Butrintit lidhet me rrugëtimit e princit Trojan, Enea për në tempullin e Dodonës. Gjatë rrugëtimit të tij për në Tempullin e Dodonës, princi Enea sakrifikoi një dem (në greqisht BUTHROS), në vendin ku u ngrit qyteti i Butrintit. Vizita e Eneas në Butrint përmendet edhe nga poeti Virgjil tek “Eneida”. Objekte të tjera atraktive janë pikat e trashëgimisë kulturore e historike si: Tempulli i Asklepit (perëndia e shëndetit, shek. II-të B.C., teatri me 1.500 vende i shek III-të B.C., pagëzimorja (monument paleokristian), nymfeu, banjat, stoa, portat e
liqenit, porta e luanit, kalaja Veneciane e Ali Pashës, etj. Në Butrinit janë zbuluar objekte të tilla si “koka e Deas” (perëndesha e Butrinit), e cila më pas është identifikuar me kokën e Apollonit. Ky objekt “simbol” i zbulimeve arkeologjike ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Objekte të tjera janë portreti i Agripës, koka e Zeusit etj. Përveç vlerave historike, Butrinti shquhet për ekosistemin e mrekullueshëm. Rrënojat dhe ngrehinat e qytetit ndodhen në mes të një “xhungle” të vërtetë subtropikale, ku mbizotërojnë dafinat dhe drurë të tjerë të lartë.
Ksamili
Ksamili është fshat i vogël bregdetar në jug të Shqipërisë. Ndodhet në jug të qytetit të Sarandës, në dalje të rrugës për në Butrint dhe është pjesë e Rrethit të Sarandës. Është një nga vendpushimet bregdetare më të frekuentuara, nga turistët vendas dhe të huaj. Plazhi është i vogël, me ujë të pastër dhe me ishuj të vegjël ku janë vendosur kafetë dhe pranë tyre mjediseve të pastra. Ka një numër hotelesh të vogla dhe shtëpive për mysafir, disa janë të hapura gjatë gjithë vitit, por disa hapen gjatë verës.
Nessun commento:
Posta un commento