08 agosto 2013

Pse na duhen guidat e licencuara turistike

PROF.DR.DHIMITËR DOKA Për turizmin në Shqipëri është folur dhe shkruar shumë gjithë këto vite, duke e vlerësuar atë me të drejtë si një nga mundësitë më të mira për zhvillimin e vendit, e madje si promotorin e ekonomisë shqiptare. Një gjë e tillë bazohet si në potencialet e shumta natyrore dhe historiko- kulturore që ofron vendi në fushën e turizmit, ashtu dhe në interesin e shumë të huajve për të njohur një vend të izoluar, i cili, ndonëse më i vonuari në krahasim me gjithë vendet e tjera të Mesdheut, po i ofrohej tregut turistik rajonal pas “konsumit turistik” të shumë vendeve të tjera. Ndërkohë që zhvillimi turistik i Shqipërisë nuk do të ishte i lehtë në kushtet e vendit më të prapambetur të Europës, me mungesën e infrastrukturës turistike më minimale dhe kaosit që do të karakterizonte zhvillimet e pas vitit 1990. Në këto kushte, për më shumë se 20 vjet që nga ndryshimet politike të viteve 1990- 1991, zhvillimi turistik i Shqipërisë mund të krahasohet me një përpëlitje midis dëshirave, potencialeve e mundësive nga njëra anë, dhe vështirësive dhe pengesave, nga ana tjetër. Nëse do të bënim një bilanc të këtyre 20 viteve, zhvillimi i turizmit te ne do të tipizohej nga rritje e numrit të turistëve (vendas e të huaj), investime të shumta në këtë fushë, përmirësim të infrastrukturës turistike, por edhe si një zhvillim kaotik, prishje dhe dëmtime të potencialeve turistike në shumë zona, dilentalizëm në menaxhimin e shërbimeve turistike, ndotjet e shumta të ambientit etj. Midis këtyre problematikave të shumta që shoqërojnë zhvillimin turistik të Shqipërisë, duhet përmendur edhe njëra, e cila pak ose aspak ka qenë objekt i debateve të shumta që bëhen rreth kësaj teme. Është fjala për formimin dhe licencimin e guidave turistike shqiptare. Në këtë kuadër, Shqipëria është i vetmi vend në Europë, e ndoshta ndër të rrallat në botë, që nuk licencon guidat e saj turistike. Edhe pse pretendojmë se numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë po vjen gjithnjë duke u rritur, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme e tyre janë turistë të huaj, mungojnë guidat e mirëfillta turistike të licencuara për të drejtuar udhëtimet turistike sipas itinerareve të ndryshme. Në këto kushte, guidimi turistik i Shqipërisë përballet me dy problematika kryesore. E para lidhet me faktin se rolin e guidës turistike mund ta marrë kushdo, mjafton që të dijë disa fjalë në gjuhë të huaj, por pa pasur formimin e nevojshëm gjeografik, historik, kulturor dhe komunikues që kërkon një profesion i tillë. Kjo situatë shfrytëzohet keqas nga agjencitë turistike, të cilat punësojnë në të zezë në rolin e guidave turistike çdo lloj personi, mjafton që pagesa e tyre të jetë sa më e ulët. Shoqërimi i turistëve nga guida joprofesionale ka çuar në jo pak raste në pakënaqësinë e turistëve nga puna e tyre. Madje ka pasur edhe raste deri në protestë të turistëve për gjendjen e guidës dhe kërkimin e largimit të tyre. Problematika e dytë lidhet me faktin se në kushtet e mungesës së guidave shqiptare të licencuara dhe ku shteti lejon që punën e guidës ta bëjë kushdo, janë guidat e huaja që në shoqërim të grupeve turistike që vijnë në Shqipëri marrin edhe rolin e guidave turistike në vendin tonë. Nga njëra anë, në asnjë vend tjetër, madje as në vendet fqinje si Maqedoni apo Mal të Zi, nuk do të lejohej që frytet e një produkti të tillë turistik t’i gëzonin të huajt. Nga ana tjetër, sado të përgatitura të jenë guidat e huaja, ata nuk kanë njohjen, njohuritë dhe informacionin e nevojshëm për të bërë drejtimin e grupeve turistike nëpër Shqipëri. Kjo bën që turistët shpesh të keqinformohen, që situata e vendit të nxihet, ironizohet etj. Ngaqë unë vetë, krahas mësimdhënies në universitet të lëndës së Gjeografisë së Turizmit, merrem edhe me shoqërim të grupeve turistike, më ka rastisur disa herë që të përballem me guida të huaja që keqinformojnë turistët. Kështu p.sh., në njërin nga rastet ishte e pafalshme dhe madje shumë acaruese kur guida greke u shpjegonte turistëve gjermanë historinë e Dyrrahut, Apolonisë apo Butrintit, të manipuluar sipas këndvështrimit grek, apo kur guida të tjera të huaja (serbe, polake, çeke, bullgare etj.) flasin përgjatë bregdetit të gjirit të Vlorës se akoma edhe sot nga ky vend nisen çdo natë skafe me drogë, armë apo prostituta, apo kur temat kryesore me të cilat furnizojnë turistët nëpër Shqipëri është gjakmarrja, korrupsioni etj., duke vazhduar të prishin kështu keqas edhe më tej imazhin e vendit. Kësaj situate u shtohen edhe shumë gafa të tjera që bëjnë këto guida nga mosnjohja e vendit. Kështu ishte për të qarë e për të qeshur kur dëgjoje nga një guidë e huaj në Gjirokastër se Çerçiz Topullin e kishin vrarë malazezët, apo se Korça i ishte bashkuar Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, apo që lumi Drin kalon në Bosnjë etj. Në këto kushte, mendoj se është imediate përgatitja dhe licencimi i guidave tona, të cilat duhet të marrin në dorë drejtimin e udhëtimeve turistike nëpër Shqipëri. Me çfarë jam unë i informuar, ka pasur një përpjekje para disa vitesh për të hartuar një ligj në këtë drejtim, por ai tashmë i është lënë harresës. Po kështu, përpjekjet që janë bërë nga universitetet për hapjen e studimeve të nivelit “Master Profesional” në përgatitjen e guidave turistike nuk kanë gjetur mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Turizmit për t’i miratuar dhe mbështetur. Një iniciativë të tillë e ka marrë kohët e fundit universiteti jopublik “Pavarësia e Vlorës” dhe le të shpresojmë që këtë radhë do të ketë sukses. Në këtë mënyrë mund të përgatiten profesionalisht guidat e ardhshme turistike të Shqipërisë. Ndërkohë që licencimin e tyre duhet ta marrë në dorë shteti. Kështu, Ministria e Turizmit, nëpërmjet ngritjes dhe funksionimit të komisioneve të posaçme për këtë qëllim, duhet të krijojë mundësinë e licencimit të guidave turistike. Në vendet e tjera, duke përfshirë edhe ato fqinje, të drejtën e licencimit të guidave turistike e kanë pikërisht institucionet zyrtare, të cilat përcaktojnë edhe kriteret e një licencimi të tillë. Kështu, kandidatët që kërkojnë të licencohen duhet të kenë formimin e nevojshëm në fushën e turizmit me provime të fituara në fusha të tilla, si: gjeografi, histori, arkeologji, komunikim etj. Gjithashtu, niveli i njohjes së gjuhës së tyre të huaj duhet të vërtetohet nga institucionet përkatëse. Shumë vende përdorin për këtë qëllim dhënien e gjuhës në ambasadat e huaja. Rregullimi i këtij problemi nëpërmjet përgatitjes dhe licencimit të guidave turistike do t’i jepte një tjetër rëndësi dhe seriozitet zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Ndërkohë që nga ky proces do të ishin përfituese si vetë guidat turistike shqiptare, ashtu dhe agjencitë turistike, të cilat edhe pse do të paguanin më shumë për guidat e tyre, do të ishin më të nderuara dhe në vazhdimësi bashkëpunimi me partnerë të huaj që sjellin turistë në Shqipëri. *Profesor i Gjeografisë së Turizmit në Universitetin e Tiranës
http://www.panorama.com.al/2012/08/08/pse-na-duhen-guidat-e-licencuara-turistike/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate