17 agosto 2013

Ja si po shkatërrohet Epitafi i Gllavenicës

Nga Frederik Stamat 
Në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, në një sallë gjysmë të errët dhe disi të zhveshur nga reliket e kohës ishte ekspozuar në një tavolinë të mbuluar me xham epitafi mesjetar i Gllavenicës.

Thuajse të gjithë ata që merren me kulturën, pavarësisht në se janë studiues të teologjisë, apo të historisë dhe që për dijet e tyre kanë merituar grada dhe tituj akademikë,  mendojnë se ky epitaf është kryeobjekti i muzeumeve të Shqipërisë, një perlë e vërtetë e kulturës materiale.

  Për të është shkruar shumë, duke filluar që nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë nga shqiptarë dhe të huaj. Në dy kolonat anësore të shkrimeve bizantine thuhet se është i vitit 1373. Thuhet edhe së është porositur nga Ballshajt.

Shkruhen edhe gjëra të tjera që përcaktojnë kufij principatash dhe prirje për ndikime zgjerimi kufijsh. Dhe e gjitha kjo vlerësohet maksimalisht nga studiuesit e albanologjisë. Mirëpo ka edhe më. Në vitin 1974, tek e shikoja në hollin e Muzeut arkeologjik (atëherë po e përgatitnim për ta ҫuar në Paris në ekspozitën “Arti shqiptar në shekuj”), Theofan Popa më tha se ky epitaf është qëndisur nga dora e murgut Savia me porosi të Gjergj Arianitit, i cili historikisht i bie që të jetë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut.

Çfarë gabimi të pafalshëm kam bërë në atë kohë! Duhej të kisha mbajtur shënime dhe edhe ta pyesja Theofanin për hollësira të tjera! Isha i ri në punë dhe në moshë dhe nuk e kisha formimin e duhur shkencor, madje edhe nuk mendoja se një ditë njerëzit nuk do të jenë më! Në ndërgjegjen time nuk e justifikoj veten, por nuk e dija se Theofani nuk e kishte shkruar këtë.

Gjithmonë më ka ngacmuar kureshtja e së vërtetës së fshehur. Doja edhe një konfirmim. Vite më vonë  bisedova  me  Dhimitër Shuteriqin. Ai ka qenë njohësi më i mirë i Aranitëve. “Ndëgjo,-më tha,- nji gja duhet ta dish mirë: Theofani nuk ia fuste kot!” Dhe pastaj rindërtoi pemën gjenealogjike të Aranitëve. “Po,- më tha pak a shumë,- rezulton që të jetë ashtu, pra gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut. Mirëpo në dokumente del që ky Gjergj Arianiti të ketë qenë murg”. Kjo çështje nuk dilte e qartë në dokumentet e kohës, sepse ai la trashëgimtarë, por duhet që andej nga fundi i jetës t’i ketë vdekur e shoqja dhe ai të jetë bërë murg.
 
Restaurimi
 
Nxitjen e parë për të studiuar epitafin e Glavinicës ma dha Prof. Dr. Andromaqi Gjergji, etnografe dhe Prof. Dr. Dhorka Dhamo, historiane e artit. Studimi ishte kompleks, i denjë për një kryevepër. Studimet janë të botuara në revista shkencore dhe në gazetat e kohës së sotme. Në studim ftova edhe dy specialistë nga më të njohurit e fushës në Evropë dhe në botë, Dr. Marta Jaro nga Laboratori Qendror i Restaurimit në Budapest dhe Dr. Jan Ëouters nga Instituti Mbretëror i Trashëgimisë Kulturore në Bruksel.

Jaro studioi fillin metalik të përdorur në qëndismat e epitafit, kurse Ëouters ngjyruesit bimorë dhe shtazorë të fillit. Vetë u mora me materialin tekstil. Rezultatet e analizave ishin të habitshme! E gjithë mjeshtëria e përdorur në përgatitjen e epitafit ishte maksimale, nga më të mirat, e krahasueshme me teknologjitë më të përparuara të botës së atëhershme! Gjetëm vlera të jashtëzakonshme, lidhje tregtare, teknologji, prejardhje…Kështu, kësaj perle të kulturës arbërore i u shtuan perla të tjera, duke krijuar një gjerdan me vlerë thesari.
    
 
Ekspozimi në Paris
 
Në vitin 1974-75 epitafi u ekspozua për katër muaj në Paris. Në gazetën “Drita” u shkrua se sipas specialistëve, ky ishte një ndër tre më të mirët e Evropës të shek. XIV. Dy të tjerët ndodheshin në Francë dhe në Gjermani. Franca kërkoi ta blinte me një çmim fillestar prej 2500000 dollarësh me vlerën e asaj periudhe kohore!  Mirëpo të gjitha meritat që ka nuk e ndaluan të shpëtonte nga një vjedhje e lehtë në vitin 1994 e një ordineri, i cili u amnistua në 1977. Për një veturë të vjetër u vodh!

 I impresionuar nga ky epitaf, Jan Ëouters, që në atë kohë ishte edhe kryetari i ICOM-Ç për tekstilet, ( ICOM-Ç është një seksion i UNESCO-s, pra Këshilli Ndërkombëtar i Muzeumeve-Komiteti për Konservimin ), u interesua me autoritetin e vet shkencor nëpër Evropë për të gjetur financime të mjaftueshme, me anën e të cilave epitafi do të studiohej më tej, do të restaurohej përfundimisht nëpër laboratorë tepër të avancuar të muzeumeve apo të instituteve të Evropës dhe do të ekspozohej në të tjera kushte, që do t’i siguronin konservimin. Kështu, ai do të shpëtohej si një vlerë botërore.
 Dhe ja ku doli shansi!
 
 IÇROM, përpjekjet e Dr. Wouters për konservimin
 
IÇROM (Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Ruajtjes dhe Restaurimit të Pasurive Kulturore), e sensibilizuar nga përpjekjet e Dr. Wouters, e mori në konsideratë çështjen  e konservimit të epitafit. Ata dëshironin një kërkesë zyrtare nga Muzeu Historik Kombëtar. Dr. Wouters i shpjegoi të gjitha çështjet në një letër që i dërgoi muzeut tonë. Dërgoi letër se nuk mundi të gjente ndonjë adresë elektronike të muzeut. Por ajo letër nuk arriti kurrë. Dhe natyrisht që nuk u bë gjë. Eh, kot nuk thonë se i varfëri nuk ka fat!
U lidha personalisht me Dr. Wouters. Përsëri ai u interesua dhe ja ku doli një shans i dytë: IÇROM kishte ndërmarrë një nismë tjetër, që ishte një Program Emergjence për Muzeumet, i përcaktuar posaçërisht për muzeumet e Evropës jug-lindore, e ata dëshironin që ta përfshinin në këtë program Shqipërinë. Ky do të ishte një rast tjetër për të sjellë në qendër të vëmendjes çështjen e epitafit të Glavenicës. Vetë IÇROM do të na drejtohej. Do të ishte një kosto rreth 35000-50000 Euro. Dr. Wouters më shpjegoi edhe se si do të ndërhyhej, në cilët laboratorë, në cilët shtete, cilët do të ishin specialistët që mund ta përballonin teknikisht punën që kërkonte ky epitaf, etj.

I nxitur nga një entuziazëm i pafajshëm, fëmijëror, e paraqita çështjen në Muzeun Historik dhe në Ministrinë që mbulon kulturën. Duhej një lobing per të siguruar paratë e siguracionit, etj. Duheshin edhe disa foto për reklamën në kanalet televizive. Rezultoi se nuk kishte foto të mira. Më të mirat ishin ato që ruaja unë në arkivin tim, e që i kishte realizuar Nikolin Baba përpara se të fillonte restaurimi i parë për në Paris. U interesova disa herë për ecurinë e punës. Por ministria kishte edhe probleme të tjera, e nuk mund të përqendrohej në këtë epitaf. Kaq u zgjat kjo punë, sa ministria tashmë kishte turp të lidhej me Dr. Wouters. Dhe përsëri nuk u bë gjë. A mund të më thotë tani ndokush se thënia që i varfëri nuk ka fat nuk është e vërtetë?
 
Pse është kaq delikat epitafi....
 
Veҫ studimit që kam bërë, e kam kaluar dy herë nëpër duart e mija për restaurim, apo konservim siҫ thuhet sot. Ja di të gjitha pikat delikate, grisjet, shqepjet, fijet e kalbura, arnat, dobësimet, njollat e shkaktuara nga qirinjtë, zëvendësimet, vendet ku ka vepruar aciditeti i materialeve të derdhura mbi të, çngjyrimet e fijeve nga veprimi i dritës, përbërjen kimike të ngjyruesve, llojet e fibrave të përdorura, mënyrën e endjes, letrën poshtë qëndismave, dëmtimet nga prekja e duarve të besimtarëve, këputjet e fijeve metalike, të gjitha, të gjitha! Me që ra fjala, filli metalik i qëndismave është dobësuar kaq shumë, sa që këputet e bije copë sa herë që epitafi paloset, apo lëvizet.

Duke e ditur delikatesën e epitafit, Muzeu Historik Kombëtar nuk e lejon që ai të nxirret nga ndërtesa për asnjë arsye. Nuk e lejoi as që të ekspozohej në Bruksel në sallën e Këshillit të Evropës! Mirëpo, ja që doli një më i fortë dhe ja mbushi mendjen ministrisë, apo kryeministrisë dhe befas epitafi u bë pjesë e ekspozitës për 100 vjetorin e pavarësisë  në Itali. Tashmë ka gati një vit që epitafi lëviz  herë kёtu e herë atje nëpër qytete jashtë Shqipёrisё pa asnjë kontroll shkencor të specialistëve të fushës! Instituti i Monumenteve, që menaxhon ekspozitën nuk është ekspert për konservimin, aq më tepër të tekstileve!

Pra, detyrimisht duhet që të ekzistojë një autoritet shkencor i specializuar në konservimin muzeal, që të orientojë drejt dhe të mos lejojë as ministrat dhe as ata më lart, që të japin urdhra arbitrarë dhe të gabuar. Kështu vepron e gjithë bota, natyrisht veҫ Shqipërisë.

Një autoritet i tillë do të ishte Laboratori Qendror i Restaurimit, apo ndryshe Institucioni  Shkencor i Trashëgimisë së Objekteve Muzealë, një institucion kryesisht kimie dhe fizike dhe pastaj restaurimi, një institucion që i mungon Shqipërisë. Duhet të jesh i kësaj fushe, pra i kimisë  dhe i fizikës në trashëgimi, sepse trashëgimia është kimi dhe fizikë dhe aspak art, histori, arkeologji, etnografi, etj, që të mund të kuptosh se sa i domosdoshëm është një institucion i tillë: që të kuptosh se nuk kemi gjë në terezi me trashëgiminë e objekteve muzealë, se kështu si e kemi nisur këtë punë, me kohë nuk do të trashëgojmë dot gjë veç qeramikës dhe disa gurëve, ose do ta trashëgojmë të cunguar kulturën materiale! Duhet një institucion i tillë që t’i vërë shpatullat problemeve! T’i ndjekë ata deri në zgjidhje! Solla rastin e epitafit të Gllavenicës për të parë se sa larg jemi nga e vërteta e trashëgimisë! Kur objekti më i rëndësishëm, po të tjerët?
 
Problemet e restaurimit të trashëgimisë
 
Njëzet e tre vjet më parë, të shqetësuar seriozisht nga gjendja dhe ecuria e punëve në trashëgiminë e veprave të artit dhe objekteve muzeale, pra të gjithë ne që merremi me këtë punë nëpër laboratore, vendosëm, argumentuam dhe kërkuam ngritjen e një institucioni të tillë, jo në rang komunal, por shkencor. Mendimi ynë u kuptua dhe u miratua. Pastaj erdhi 1990 dhe puna mbeti. Madje ka më shumë se katër vjet, që laboratori më i mirë që kishim në Shqipëri, nuk punon dhe po kalbet dita ditës.

A mund të organizohet një punë e tillë pranë Institutit të Monumenteve? Ndo nja tre apo katër vjet më parë u mendua që i gjithë restaurimi të përqendrohej pranë Institutit të Monumenteve. Ishte shumë atraktive: gjysma e ndërtesës së Kinostudios për laborator, përveç disa mjediseve të tjera, personel, perspektiva. Në atë shtrydhje limoni që i është bërë trashëgimisë materiale këto vitet e fundit, nuk kishte rrugë tjetër. Edhe unë e pranova, por me kushtin që nga ky organizim të dilte shumë shpejt si njësi më vete Laboratori Qendror i Restaurimit. Shumë shpejt u pa se gjysma e Kinostudios ishte dhënë me qira për një kohë shumë të gjatë.

Nga gjysma që mbetej, gjysmën e kishte Albafilmi. Kështu për laboratorin mbetej vetëm çereku dhe nga ky çerek Albafilmi nuk ipte nja dy-tre mjedise. Në atë që mbetej, një e katërta do të shfrytëzohej për të depozituar ikonat e Muzeut Historik. Nga rreth 400 m2 sipërfaqe që ka aktualisht laboratori i mbyllur i Qendrës së Studimeve Albanologjike, mezi u sajuan ndonja 80 m2. Pastaj, të tjerat, nën çati apo nën tokë. I gjithë plani për laboratorë shkencorë të  fizikës bërthamore, të kimisë, biologjisë, kabineteve të grafive, etj, etj, u shndërrua në një zhgënjim pa kthim. Instituti i Monumenteve, duke qenë i mësuar me probleme ndërtimore, nuk mund ta përballojë një laborator me kërkesa speciale të shkencave natyrore.

Aq më tepër, ashtu edhe si u mundova ta shpjegoj me rastin e epitafit të Gllavenicës, specifika e objekteve muzeale, veç koncepteve krejt ndryshe, kërkon edhe ndjekje speciale në çdo hap. Krijimi i Laboratorit Qendror të Restaurimit, apo më mirë të Konservimit, si institucion më vete, si Instituti i Konservimit të Objekteve Muzeale, është një domosdoshmëri për Shqipërinë.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com"

Redaksia online
(b.t/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/ja-si-po-shkaterrohet-epitafi-i-gllavenices-171875.html#sthash.OnT8Say8.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate