Skrapari mund të quhet edhe rrethi i kanioneve madhështore. Në të gjenden dy kanione të mëdha, i Osumit dhe i Gërdecit, të dy monumente natyre. Kanioni i Osumit, më i madhi në gjithë Shqipërinë, me të drejtë është quajtur “Koloradoja e Shqipërisë”. Ai ndodhet në sektorin Çorovodë – Hambull të luginës së Osumit. Është rreth 13 km i gjatë, 4 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale, përrfund të cilëve rrjedh “lozonjar” Osumi, duke u “mburur” me krijesën e vetë.
Janë pikërisht ujërat e tij, që me forcën e tyre gërryerëse dhe tretëse, kanë sharruar ngadalë, por pa ndërprerje masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, të përfshirë nga lëvizjet ngritëse tektonike, duke formuar kanionin me bukuri mbresëlënëse.
Kur udhëton në brendësi të tij mahnitesh nga bukuria befasuese, por edhe nga disa përshtypje të çudiçme dhe të pabesueshme që të krijohen. Copërat e qiellit së bashku me pjesë të murreve vertikale të gëlqerorëve gri dhe të bimësisë të blertë pasqyrohen në pellgjet e shumta të lumit, duke krijuar kështu një përzjerje ngjyrash dhe formash të përmbysura, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorjentojnë dhe të zhytin në një botë krejt tjetër, ireale, por që të krijon ndjesi të ëmbla, nga të cilat nuk ke dëshirë të dalësh.
(Foto: Kanioni i Osumit)
Kjo nuk është e vetmia mrekulli e këtij kanioni: në disa sektorë të tij shfaqen ujëvara të mëdha me bukuri befasuese, sidomos në ditët me diell, rezet e të cilit zbërthehen nga piklat e ujit, duke formuar ylbere, që fillojnë nga qielli, vazhdojnë në shpatet e kanionit, nga ku pasqyrohen në pellgjet e ujit dhe në shtratin e lumit. Në këto raste e ke të vështirë të vendosësh kufirin midis tokës dhe qiellit, të shaqen ndjesi të tjera edhe më të fuqishme, që të ndjekin nga pas edhe kur del prej kanionit, madje edhe kur je larg tij, ato të ftojnë ta vizitosh përsëri atë. Prandaj nëse ndonjë skrapalliut i thua se ke qënë në rrethin e tij, menjëherë me një krenari të ligjshme, të pyet: “e vizituat Koloradon shqiptare”?
Në muret vertikale të kanionit ka mjaft guva e zgavërime të formuara nga procest e karstit. Midis tyre dallohet “Vrima e nuses”, që ndodhet 800 m në afërsi të fshatit të Bigazit dhe që është një zgavër apo ndoshta një shpellë karstike në formën e një galerie me gjatësi 7 – 8 m dhe me diametër rreth 2 m. Me siguri në muret vertikale gëlqerore ka edhe shpella të tjera shumë më të mëdha, të cilat presin eksploratorët për t’i zbuluar dhe evidentuar vlerat e tyre të shumta.
Ka qënë pikërisht bukuria e veçantë dhe forma interesante e këtij kanioni që rreth tij të dilnin edhe legjenda, të cilat kanë udhëtar gojë më gojë deri në ditën e sotme. Midis tyre tregohet legjenda e nuses dhe ajo e gjurmës të shenjtit Abaz Aliu.
Legjenda e lidh shpellën e “Vrimës së Nuses”, të përmëndur më lart, me fatin e një nuseje që po martohej padëshirën e saj, por që ishte e detyruar të zbatonte zakonin e vjetër. Krushqit po ktheheshin me nusen që kishin marrë në një fshat tjetër, kur arritën këtu nusja u thotë atyre se “po e çonin tek burri pa dëshirën time”, por krushqit nuk i dhanë përgjigje. Ndaj ajo e mendoi vet planin e ikjes. Duke iu lutur zotit i drejtohet shkëmbit të kanionit: “Hapu, o shkëmb që të shpëtoj nga sikleti që më ka zënë”. Dhe shkëmbi e dëgjoi, menjëherë hapi një vrimë, zgavër. Nusja u hodh nga kali dhe u fsheh në këtë vrimë. Krushqit u kthyen në fshat pa të. Më vonë kjo vrimë nisi të vizitohej nga nuse të reja që kërkonin të bëheshin me fëmijë. Ato hynin në galerinë shkëmbore dhe dilnin të qetësuara se dëshira e tyre do të realizohej. Ky rit pagan ka vazhduar deri vonë.
Legjenda e dytë lidhet me format e çudiçme të krijuara nga karsti (tretja) e gëlqerorëve në ujë. Ato gjenden në shkëmbinjtë gëlqerorë sipër buzës së kanionit, pranë fshatit të Dhorës, rreth 5 km larg qytetit të Çorovodës. Këto forma besimtarët bektashinj i lidhin me gjurmën e këmbës të shenjtit Abaz Ali, të kalit e të shkopit të tij. Legjenda thotë se ky shenjt erdhi në Tomorr nga Qerbelaja, hipur mbi kalin e tij. Ai fluturoi dhe e la gjurmën e tij në dërrasën e Kajcës, nga ku fluturoi në malin e Tomorrit. Besimtarët bektashian për të qetësuar shpirtin, kërkojnë ndihmën e gjurmës së shenjtit Abaz. E vërteta shkencore i shpjegon këto “gjurmë” si mikroforma të relevit karstik, pra të formuara nga tretja e shkëmbit gëlqeror në ujë.
Kanioni formon një ekosistem interesant, me një botë të gjallë të pasur dhe të larmishme. Në shpatet e thepisura gjenden drurë të dushkut, qelbësit etj, të cilët janë mbërthyer fort pas shkëmbinjve të fortë. Mjaft shpendë, sidomos pëllumbat e egër, fajkoi, petriti etj, folenizojnë në zgavërimet shkëmbore të kanionit. Ujërat e shtratit të Osumit dhe pellgjet e tij janë të pasura me peshq të cilësisë së lartë, me amfibë dhe gjallesa të tjera.
Të gjitha këtë elementë e dukuri e bëjnë shumë tërheqës këtë monument natyre, jo vetëm për banorët e rrethit të Skraparit, por edhe për çdo vizitor që vjen në Çorovodë. Kënaqësia është e veçantë nëse udhëton më këmbë ose me barka gome gjatë gjithë gjatësisë të kanionit, sepse në çdo çast ai të ofron surpriza të këndëshme. Kanioni ka vlera të shumta shkencore (gjeologjike e veçanërisht gjeomorfologjike), turistike dhe didaktike.
Nëse evidentohen dhe propagandohen këto vlera, ai do të kthehet në një vend peligrinazhi i të gjithëve atyre që dashurojnë natyrën, kuriozitet e saj dhe këta nuk janë të pakët brenda dhe jashtë vendit tonë. Kjo ka filluar, grupe të rinjsh që dashurojnë natyrën, të organizuar nga një biznes turistik në Berat, udhëtojnë nëpër kanion me varka gome. Skrapari ka kështu tre objekte peligrinazhi të mëdha: teqen e Kulmakut, kanionin e Osumit, por edhe Shpellën e Pirro Goshit, nëse ajo menaxhohet si objekt turistik.
Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 09.08.2013
(e.s/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/metronews/2729/kanioni-i-osumit-joshja-e-turisteve-ne-cdo-stine-171068.html#sthash.gDPjQF2B.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento