Burimet historike tregojnë se Shëngjini është njohur si qendër banimi që p.e.së re dhe banohej nga fisi ilir i Abrejve. Për lashtësinë e qytetit veç të tjerash tregon edhe emri helen që mbante. Në dokumentet e kohës ai njihet me emrin Nimfeu, që do të thotë “vend i nimfave, vend i zanave”. Edhe fakte të tjera historike çojnë në konkluzionin se Shëngjini është themeluar rreth 2400 vjet më parë nga kolonët helenë. Për herë të parë në dokumentet historike të periudhës romake, ai përmendet që në shekullin e parë, p.e. së re, në luftën e famshme që u zhvillua në Detin Adriatik mes perandorëve romakë Pompeu dhe Cezari. Në veprën e tij “Lufta Civile”, Cezari e përmend Shëngjinin si një liman i mbrojtur mirë nga erërat ku strehohej edhe një pjesë e flotës së tij. Në mesjetën e hershme, Shëngjini njihet me emrin Medua. Emrin që mban sot, qyteti e ka marrë nga Kisha me të njëjtin emër që ndodhej në Malin e Shëngjinit, e cila njihej që para pushtimit turk. Në vitin 1462, Skënderbeu shkoi në ndihmë të Ferdinandit të Napolit me kërkesën e këtij të fundit. Siç tregon Marin Barleti, ushtria e tij u nis për në Napoli veç të tjerash edhe nga skela e Meduas (Shëngjini). Mbas vdekjes së Skënderbeut, djali i tij Gjoni erdhi në Shqipëri për të bërë një kuvend si Kuvendi i Lezhës dhe për të bashkuar popullin si në kohën e Skënderbeut. Gjatë viteve 1499- 1505, me ushtrinë e tij qëndroi në Ishull të Lezhës, 4- 5 kilometra në vijë detare me Shëngjinin. Gjatë periudhës të pushtimit otoman, megjithëse Shëngjini ishte një vend shumë i vogël dhe me pak shtëpi, turqit e mbanin si një pikë të rëndësishme strategjike të tyre. Në shekullin e 19- të, Shëngjini i shërbente për tregti qytetit të Shkodrës dhe ishte pothuajse në varësi të tij. Gjatë periudhës së verës, ai luante rolin e një ure të transportit detar që lidhte Shkodrën me Durrësin. Në Shëngjin vinin për transport anije ulqinake, durrsake, por edhe nga Italia, Greqia dhe Franca. Në gjysmën e dytë të shekullit të 19- të, roli i Shëngjinit filloi të rritet më shumë për këto arsye, së pari: sic dihet, në vitin 1881, Ulqini dhe Tivari i kaluan Malit të Zi, pra nuk ishin më porte shqiptare dhe së dyti, pas përmbytjes së vitit 1885, një pjesë e ujërave të Lumit Drin, kaluan në drejtim të Shkodrës, lundrimi në Lumin Drin ra shumë, pra skela e Lezhës nuk e luante më rolin që e kishte luajtur në Mesjetën e Hershme. Kjo bëri që fuqitë e mëdha por edhe tregtarët vendas të shfrytëzonin më shumë skelën e Shëngjinit. Nga viti 1882 e më vonë, vaporët e shoqërisë austriake Lloyd vinin rregullisht çdo javë në Shëngjin. Nga vitet 30, të shekullit 20 dhe sidomos pas çlirimit të vendit, Shëngjini ka marrë zhvillim më të madh, sidomos pas ndërtimit së portit detar. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik e shoqëror të qytetit. Në legjendat e baladat e lashta thuhet se nga deti kanë ardhur bajlozët dhe kuçedrat me të cilët personifikohej armiku. Është e vërtetë se nga deti kanë ardhur shumë pushtues por është gjithashtu e vërtetë sesa herë kanë ardhur ato kanë hasur në rezistencën e popullit të këtyre anëve. Mjafton të përmendim disa shembuj, gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit në Shëngjin kanë ardhur anijet turke për të shtypur Lidhjen e Prizrenit, për të mposhtur rezistencën e popullsisë së Ulqinit dhe Tivarit kundër forcave malazeze dhe të Fuqive të Mëdha, por ato janë pritur me armë. Në vitin 1881, kur ishin dorëzuar Ulqini e Tivari, fregata turke “Selimie” që furnizonte ushtrinë osmane desh të zbarkonte në brigjet e Shëngjinit por u prit me armë dhe u detyrua të dilte në det të hapur. Në ditët e para të Prillit të vitit 1911, malësorët e Ishull- Shëngjinit, Ishull- Lezhës, Malit të Rencit dhe Malit të Shëngjinit goditën me armë ushtrinë turke që zbriti në Shëngjin dhe shkonte për të shtypur Kryengritjen e Malësisë së Madhe. Të besëlidhurit kanë zhvilluar luftime kundër turqve në vitin 1912 në zonën e Shëngjinit e të Grykës së Drinit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Shëngjini u bë përsëri vend i zbarkimit të trupave pushtuese, por siç dihet ato u pritën me armë më 7 Prill 1939. Një grup vullnetarësh nga Shëngjini dhe zonat përreth, të mbështetura nga forcat e kufirit dhe xhandarmëria zhvilluan luftime për disa orë me forcat pushtuese italiane. Me këto qëndrime, Shëngjini bëhet vendi i parë në Shqipëri që së bashku me Vlorën, Durrësin e Sarandën filluan luftën kundër fashizmit. Banorët e bregdetit verior, veç të tjerash, janë ndeshur e kanë luftuar me piratët detarë të fqinjëve tanë malazezë. Ata e kishin bërë “zakon” që të goditnin anijet tona, sidomos anijet peshkatore, tu kërkonin që të hiqnin flamurin shqiptar dhe simbolet e tjera. Me këto forca të errëta u ndesh anija “Islam Mustafës” ekuipazhi i saj dhe kapiteni i saj Fran Ivanaj. Ata nuk pranuan që piratët t`u hipnin në anije, as ti merrnin në arrest por i kundërshtuan dhe luftuan me forcën e trupit dhe mjetet që dispononin kundër tyre. Në këto përpjekje u vra Fran Ivanaj me 15 Dhjetor 1975, duke mbetur një hero- simbol i forcës dhe i qëndresës për ruajtjen e flamurit dhe i kufirit shqiptar. Në hyrje të qytetit të Shëngjinit, është ngritur një lapidar që përjetëson aktin e tij dhe të shumë detarëve trima që luftuan e punuan në këto anë.
Bregdeti dhe plazhet
Komuna e Shëngjinit shtrihet në 2 anët e lumit Drin. Zona ranore dhe lagunat e saj janë krijuar nga prurjet shekullore të tij. Kjo ka bërë që kjo zonë të njihet si Gjiu i Drinit. Në bregun perëndimor të komunës nga Talja deri në kufi me Shkodrën me gjatësi rreth 25 kilometra janë vendosur Plazhet e Vainit, e Shëngjinit, dhe të zonës së Rencit dhe Rërës së Hedhur. Shëngjini përbën plazhin kryesor të kësaj zone. Ai është i futur në brendësi të tokës, çfarë e bën të mbrojtur nga erërat. Ndikim të rëndësishëm për përmirësimin e klimës dhe ruajtjen e pastër të plazhit kanë dhënë edhe skalierat që janë ndërtuar kohët e fundit të cilat e ruajnë atë veçanërisht nga mbeturinat që krijon Porti. Atje janë ndërtuar shumë hotele, restorante dhe shtëpi banimi, çfarë e ka rritur shumë kapacitetin dhe kanë përmirësuar kushtet e pushuesve. Ato zënë fill me lokalin e Pjetër Prelës në Rërë të Hedhur dhe vazhdojnë me lokalet e vëllezërve Gjoka, lokali i Gjergj Lucës, Lokalet “Vuka”, “Boga”, “Jushi”, “Luli”, “Deda”, “Gjeka”, “Ndreu”, “Uldedaj”, “Presidenti”, etj, të cilët u shërbejnë me cilësi pushuesve të verës por edhe në periudhat e tjera. Kohët e fundit kanë filluar të shfrytëzohen edhe plazhet e Rrencit e të Rërës së Hedhur që janë nga më të bukurat në Shqipëri. Gjiret e vogla me rërë të pastër, uji i kthjellët si kristali, kurora malore me pisha që u qëndron mbi krye, i bëjnë këto plazhe nga më atraktivet për pushuesit. Në këtë zonë rëra ngjitet lart në mal mbi 60 metra duke u bërë kështu duna ranore më e madhe në Ballkan e Europë. Pra kjo është një nga gjërat më të veçanta që e ka vetëm Shëngjini. Bien në sy në këto zona toponimet e ndryshme si Guri i Çamë, Shkalla e Ujk Kolës dhe shpella pranë saj, Guri i Peshkatarit ose Guri i Marka Nikës, Shkëmbi i Laçit, etj., të cilat ja shtojnë kureshtjen dhe kënaqësinë vizitorit. Këto i kanë shërbyer popullsisë së kësaj zone dhe secili toponim ka një histori më vete. Kështu bie fjala: Guri i Marka Nikës e ka marrë këtë emër pasi Marka Nika ka qenë një nga peshkatarët më të vjetër të kësaj zone. Ai vëzhgonte detin nga maja e gurit dhe prej aty orientonte shokët e tij peshkatarë që të dilnin me shpejtësi në det e të hidhnin rrjetat, nga kalonin masat e peshkut. Sot Shëngjini është një nga plazhet më të mëdha të Shqipërisë. Në periudhat pik të verës, atje pushojnë çdo ditë rreth 100.000 vetë. Veç pushuesve vendas ai frekuentohet shumë sidomos nga kosovarët dhe banorët e Maqedonisë, kryesisht shqiptarë. Janë përmirësuar ndjeshëm kushtet higjieniko- sanitare, pastrimi dhe mirëmbajtja e plazhit. Këshilli i Komunës dhe Kryetari i saj, Z. Salvador Kacaj, po bëjnë një punë serioze për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e plazhit. Janë harxhuar më shumë fonde për ndriçimin e rrugëve, sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza, etj. Sapo ka filluar shëtitorja e madhe prej 5, 3 kilometra që shtrihet nga qyteti i vjetër deri tek ura e Kunes. Kjo do t`ia shtojë shumë bukurinë dhe do të rrisë kushtet për jetesë. Tërheqim vëmendjen se gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, nga puna e papërgjegjshme e pushtetarëve janë bërë ndërtime pa kriter, jashtë planit rregullues, qyteti i Shëngjinit është bunkerizuar. Shpresojmë që drejtuesit e rinj të komunës do të përpiqen të eliminojnë sadopak pasojat e mëparshme. Tashmë ata kanë në dorë edhe planin rregullues të zonës jugore, prandaj zbatimi i tij është kërkesë e domosdoshme.
Gjuetia e peshkut
Për banorët e qytetit, të Malit të Rrencit e Malit të Shëngjinit, gjuetia e peshkut në det ka qenë dhe mbetet burimi i rëndësishëm i jetesës së tyre. Tradicionalisht ata njihen si peshkatarë të zot, që me barkat e tyre kanë peshkuar Detin Adriatik dhe Jon, kanë furnizuar me peshk jo vetëm Shëngjinin e zonat përreth por edhe një pjesë të Kryeqytetit tonë. Sot në Shëngjin janë mbi 30 anije peshkimi private, që kanë punësuar rreth 200 vetë. Por në të ardhmen kërkohet që peshkimi të ndihmohet më shumë nga shteti mbasi çmimet e karburantit janë shumë të larta, çfarë e bën gjuetinë e peshkut. të shtrenjtë e me kosto të lartë. Lagunat janë gjithashtu burim për gjueti peshku dhe shpendësh. Zona e Shëngjinit është e pasur me laguna, në të cilat rritet peshk i shumëllojshëm, rosa dhe shpend të tjerë. Në afërsi të qytetit të Shëngjinit ndodhet Laguna e Knallës, e veçantë për nga lloji i saj. Ajo ka një thellësi 3- 4 metra, furnizohet nga ujërat nëntokësore dhe është krejtësisht e shkëputur nga deti. Kënalla nuk ka ndonjë vlerë të madhe për gjueti por nga pozicioni që është afër qytetit ajo mbetet një ujëmbajtëse e bukur që ja shton hijeshinë dhe mikroklimën qytetit. Tashmë ajo po rrethohet gjithandej nga ndërtime të bukura e shumëkatëshe. Laguna e Merxhanit është më e madhja me prodhim të bollshëm peshku dhe shpendësh. Ajo tradicionalisht ju ka shërbyer banorëve të Ishull- Shëngjinit e veçanërisht atyre të lagjes Stom si burim jetese për të ardhurat që nxjerrin nga peshkimi e gjuetia e shpendëve. Laguna ka zona të thella si Vija Kular, e pasur me ushqim për peshkun. Ajo që është më e rëndësishme, Laguna e Mexhanit lidhet me detin me Grykën e Merxhanit. Komunikimi me detin bën që peshku të jetë më i shumëllojshëm dhe i një cilësie më të mirë. Përbri Lagunës së Merxhanit ndodhet zona e Kunes që është nga më të pasurat për gjuetinë e rosave në Ballkan. Aty janë rritur mbi 42 lloje shpendësh. Kjo pra është e veçanta e dytë që ka Komuna e Shëngjinit. Dikur ajo ka qenë rezervat- një zonë elitare e rritjes dhe gjuetisë së shpendëve por kohët e fundit gjuetia pa kriter, mungesa e punës së shtetit ka bërë që vlera e saj të bjerë por jo përgjithmonë. Mundësitë janë që Kunja të ruhet e pasurohet me shpendë e të mbetet një burim për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Vlera të madhe për gjueti peshku dhe shpendësh ka edhe zona e Vainit, laguna dhe pyjet përreth saj. Të gjitha këto bëjnë të mundur që territori i Komunës së Shëngjinit të ketë numrin më të madh të gjuetarëve e peshkatarëve, krahasuar me zonat e tjera të rrethit të Lezhës. Lagunat dhe Lumi i Drinit janë burim i rëndësishëm edhe për zhvillimin e turizmit jo vetëm në verë por edhe gjatë gjithë vitit. Lumi Drin dhe lagunat i japin hijeshi krahinës. Aty janë ndërtuar lokale të bukura, të mbështetura në traditën popullore dhe të përshtatura me zonat ku janë vendosur. Bie në sy sidomos lokalet e ndërtuara në Ishull- Lezhë, në krah të majtë të lumit Drin që fillojnë nga lokalet Curri, Hoti, lokali i Cenit e i Celës, i Keqit e deri tek lokalet Loshi në Vain e në Grykëderdhje të Drinit. Këto shquhen për gatime tradicionale sidomos për gatimin e peshkut. Një pjesë e pronarëve të këtyre lokaleve “kanë bërë stazhin” në Hotelin e Gjuetisë. Siç dihet, ai ka shërbyer për 50 vjet me radhë si vendi më turistik i Shqipërisë. Pas shkatërrimeve që ka pësuar në vitin 1997, frekuentimi i tij ka rënë shumë. Kuzhinieri i talentuar Hysen Hajdari ose Ceni si i thërrasim këtej, që ka shërbyer për rreth 40 vjet në këtë lokal, tregon se Hotelin e Gjuetisë e kanë frekuentuar shqiptarë nga të gjithë trojet, turistë nga të katër anët e botës, aty janë kremtuar ngjarje madhore dhe gëzime të rëndësishme, kanë pushuar qeveritarë e personalitetet më të larta shqiptare por edhe vizitorë e qeveritarë të Europës e më gjerë.
Nessun commento:
Posta un commento