08 agosto 2013

Trashigimia, zhduken për 3 muaj 100 thesare, u morën e s'u kthyen

 NGA ADMIRINA PECI
07 Gusht 2013 - 12:06
BUTRINT- Në muzeun e Butrintit, këto ditë të nxehta vere ku dyndja e turistëve është e madhe, teksa vizitojmë stendat e shumta me objekte arkeologjike vërejmë një fenomen jo të zakontë. 

Në një vend bosh mes statujave lexojmë këtë shënim: “Portreti i perandorit August, i cili ishte perandori i parë romak pas disfatës së Mark Antonit dhe Kleopatrës në aktium. Është zbuluar në Butrint në vitin 1928”. Pra këtu duhej të ishte portreti i perandorit August, i cili mungon dhe në vend të tij është shënimi: dërguar në ekspozitën me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Romë.

thesar 5

Pak më tej sërish një vend bosh ku duhej të ishte “Portreti i Agripës, gjenerali më i madh i Augustit dhe fitues i betejës së aktiumit. Zbuluar në kullën me mbishkrime në Butrint në vitin 1980”. Edhe portreti i Agripës mungon. Sërish i njëjti shënim, ‘dërguar për ekspozitën e 100-vjetorit’.

thesar 4
Pyesim për këtë çështje dhe mësojmë se objekte të tilla janë larguar që nga nëntori i vitit 2012 edhe nga Muzeu Arkeologjik në Tiranë, Muzeu i Apollonisë, i Durrësit, nga Muzeu Mesjetar në Korçë, Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë etj. Po ashtu edhe në këto muze, objektet mungojnë ende edhe sot.  
 
* * *
Çfarë ka ndodhur me to? Cili ka qenë itenerari i vërtetë i tyre? A është e lejueshme të qëndrojnë për kohë kaq të gjatë nëpër ekspozime? A janë të rrezikuara nga faktorë të ndryshëm dhe në ç’kushte sigurie ruhen ndërkohë?
Më 20 nëntor 2012 në Romë, në kompleksin muzeor Vittoriano u çel ekspozita arkeologjike "Thesaret dhe Trashëgimia Kulturore Shqiptare” ku ishin përfshirë 100 objektet më të vyera të trashëgimisë tonë kombëtare, ekspozitë e cila qëndroi e hapur deri në 6 janar 2013. Ky qe ekspozimi i parë i këtyre objeketeve të rralla. Mandej e njëjta ekspozitë u hap në Torino në Palazzo Madama nga 23 janari deri më 7 prill 2013. Jehona atje ishte e madhe. Impakti në publikun italian po ashtu. Por edhe ekspozimi dhe siguria ishin optimale, kjo bazuar në kushtet e ekspozimit dhe rregullat e forta të sigurisë kur bëhet fjalë për artefakte të këtij kalibri, në këto muze si në Romë dhe Torino.
thesar 3

Hije dyshimesh në Tiranë
Pas 7 prillit 2013, objektet e kësaj ekspozite u larguan nga Italia dhe në Tiranë u njoftua se kjo ekspozitë sipas një marrëveshjeje dypalëshe do të udhëtonte drejt Kosovës.
Kjo konfirmohet edhe përmes një vendim të këshillit të ministrave, i cili për këtë rast ngarkonte me përgjegjësi “Institutin e Monumenteve të Kulturës të kryejë shoqërimin dhe kthimin e ikonave në vendin e origjinës pas mbarimit të veprimtarisë dhe Qendra e Inventarizmit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e lëvizjes së objekteve”.
thesar 2

Në këtë vendim të këshillit të ministrave specifikohen vetëm ikonat dhe jo objektet e tjera arkeologjike. Po ashtu përcaktohet se ekspozita e quajtur "Thesare të Kulturës Shqiptare" do të zhvilloht nga 20 prilli deri në 21 gusht dhe objektet e rralla do të largohen me lejen e posaçme të qeverisë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. 

Sipas këtij njoftimi 100 objektet e rralla të trashëgimisë duhet të kenë mbërritur në Tiranë dhe nga Instituti i Monumenteve të Kulturës duhet të ishin nisur për në Prishtinë po në prill për tu ekspozuar para publikut kosovar nga 20 prilli deri në 21 gusht.

thesar 1
Por ekspozita nuk është hapur me 20 prill në Muzeun Kombëtar në Prishtinë. Ekspozitës i është ndërruar emri dhe e kanë pagëzuar me titullin “Një komb, një kulturë”. Objektet kanë mbërritur në Prishtinë në mes të muajit korrik dhe ekspozita u përurua me datën 19 të po këtij muaji.

Sipas njoftimimeve mediatike në Kosovë, objektet e ekspozuara janë disa prej veprave më të njohura e më të rëndësishme të trashëgimisë sonë historike dhe kulturore si "Koka e Apolonit", e njohur për vite me radhë si "Dea e Butrintit", "Epitafi i Gllavenicës" dhe një përzgjedhje e pikturave ikonografike të mjeshtrit të madh shqiptar, Onufrit. Objektet janë marrë nga Muzeu Arkeologjik i Tiranës si dhe nga muze të tjerë në Apolloni, Durrës, Butrint, Muzeu Historik Kombëtar. 

Nga ky prezantim faktesh, vihet re veç të tjerash se është shkelur një vendim i Këshillit të Ministrave, i cili parashikonte që këto objekte të ktheheshin në vendin e tyre menjëherë pas mbylljes së ekspozitës me 21 gusht në Prishtinë.
Po ashtu hidhen hije dyshimesh për sigurinë dhe ruajtjen e tyre gjatë kohës kur nuk kanë qenë as në muzetë ku janë marrë dhe as të ekspozuara në vend tjetër.
thesare butrint

Ende nuk dihet arsyeja e kësaj shtyrjeje të ekspozitës në Prishtinë nga Prilli në Korrik dhe nuk dihet as ku janë mbajtur në ruajtje këto objekte të rralla për 3 muaj. Mes tyre objekteve ka edhe thesare të brishta si Epitafi i Gllavenicës a ndonjë tjetër, për të cilët specialistët kanë dhënë shpesh alarmin se janë drejt degradimit të plotë dhe se kërkojnë kushte speciale ruajtje.

ARBER KADIA: ARTEFAKTET NGA ROMA NE TORINO DHE NE KOSOVE, KESHTU ISHTE MARREVESHJA
Drejtori i Trashëgimisë në MTKRS tregon se objektet janë të ekspozuara në Prishtinë do të qëndrojnë edhe 3 muaj atje. Drejtori aktual i Trashëgimisë Arbër Kadia, nuk ka qenë në këtë detyrë në kohën kur u inicua kjo ekspozitë në Romë dhe Torino e mandej në Kosovë. Por ai thotë se këto objekte të rralla të trashëgimisë tonë momentalisht janë në Prishtinë të ekspozuara që prej 19 korrikut dhe do të vijojnë të qëndrojnë atje deri në tetor. Sipas tij objektet janë të siguruara ndërsa do të mungojnë edhe për tre muaj në muzetë nga ku janë larguar që nga nëntori i vitit të shkuar, për shkak se kështu parashikohet në marrëveshjet e firmosura mes vendeve respektive.

ARBER KADIA
(Foto: Arbër Kadia, drejtor i Trashëgimisë Kulturore në MTKRS)

Z.Kadia, në disa muze të vendit mungojnë objekte të cilat  u ekspozuan vitin e kaluar në Romë e më pas në Torino me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Çfarë po ndodh me këto objekte të kësaj ekspozite, ku ndodhen ato sot?
Objeket e kësaj ekspozite tani po ekspozohen në Kosovë, me të njëjtën ide si më parë, në vazhdim të të njëjtës frymë bashkëpunimi. Me rastin e 100-vjetorit ne bëmë shumë nisma, ku ishin edhe Kosova edhe Shqipëria bashkë. E njëjta gjë është.
 
Kur është hapur në Kosovë dhe kur mbyllet ekspozimi atje?
Është hapur muajin e kaluar dhe do të vazhdojë edhe tre muaj të tjerë.
 
Edhe tre muaj të tjerë?
Po është pjesë e marrëveshjes.
 
Nëpër muzetë ku mungojnë që nga viti i kaluar, mbase nuk është korrekte që turistët të paguajnë biletat e të mos e shohin objektin…
Nëse doni një përgjigje që është botërisht e njëjtë në të gjithë vendet e botës është kjo: udhëtimet e artefakteve, njihen botërisht. Nëse ka vepra arti që kanë kopje mund të ekspozohet kopja ndërkohë, por në përgjithësi nuk ka asnjë lloj problemi. Pasi edhe kryevepra të artit botëror shkojnë nga një ekspozitë në një ekspozitë tjetër, varet në bazë të marrëveshjeve. Ka pasur raste kur kanë ikur kryevepra si ‘Monaliza’ apo të tjera të ngjashme.
 
Ç'mund të themi për sigurinë e tyre? A janë të sigurta këto objekte në rrugëtimin e tyre nga Tirana në Romë, Torinë, dhe tani në Prishtinë… Si ruhen?
Sipas gjithë standarteve më të larta. Asgjë nuk është e sugurt në çdo vend të botës. Po të flisni me kompanitë e sigurimeve do të thonë se gjithçka është e nënshtruar mbi rrezikun. Ka rrezik nga tërmetet, nga sulmet terroriste.
Por ato janë të sigurta, pasi ka një marrëveshje shtetërore midis ministrive, që anagazhohen, midis presidentëve e kryeministrave, të cilët kanë vendosur firmën që kjo veprimtari të ndodhë në mirëkuptimin më të mirë duke ofruar gjithë resurset njerëzore dhe siguritë e tjera.
 
Nga cila kompani janë siguruar?
Nuk di t’jua them pasi kjo veprimtari është nënshkruar përpara se unë të vija në këtë pozicion ku jam sot, por di që ka qenë një kompani sigurimi që i ka marrë në mbrojtje.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/trashegimia-zhduken-per-3-muaj-100-thesare-u-moren-e-s--39-u-kthyen-170799.html#sthash.iixSY8FG.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate