22 aprile 2013

Elbasani, ky vend i mahnitshëm për turizëm kulturor, Çfarë të zbulosh/ Vlerësimet e studiuesve vendas dhe të huaj


ARTUR AJAZI
Në përshtypjen e tij studiuesi gjerman Jurgen Karlmansen do të shprehej se “Qyteti i Elbasanit, mbetet një vend i mahnitshëm për turizmin kulturor”. Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, Kalaja e lashtë e Elbasanit, tregon historinë e vërtetë e këtij qyteti, pasi në çdo pjesë të saj ka një copëz histori, të cilën dheu i harresës shekullore kërkon ta mbajë gjithnjë të tillë. Shekuj me radhë, gurët e saj rrinë të mbyllur aty, duke mbajtur të patreguar një botë sa të padukshme aq e sjellëse të kureshtjes. Duke qenë një vend i populluar prej kohësh nga lagja që mban të njëjtin titull, kanë dalë figura të shquara që i kanë dhënë shumë Shqipërisë. Brenda në kala, është mbajtur edhe Kongresi i Elbasanit i vitit 1909, ku u vendos ndër të tjera edhe ngritja e të parës shkollë normale në Shqipëri. Një mur i gjatë i nëndheshëm, paralel me murin ekzistues të kalasë së Elbasanit është zbuluar kohët e fundit. Shpesh në muret e kalasë dhe brenda saj, në rrethana të rastësishme janë bërë zbulime nga më interesantet. Mure, objekte të ndryshme, monedha të llojeve të ndryshme, etj, kanë qenë pjesë e gjetjeve të zakonshme në të për shumë vite. Një zbulim i tillë i mbetur pa rrrugëzgjidhje ishte edhe ai i vitit 1996, gjatë punimeve të zakonshme në kryqëzimin e ish-lulishtes “1 majit” për hapjen e një grope nga Telekomi, u zbulua një mur i veçantë kalaje që merrte drejtimet mespërmes shëtitores kryesore të qytetit dhe nga ana tjetër, drejt rrugës “Janaq Kilica”. Për shkak se bllokonte trafikun në të dy rrugët në fjalë, si dhe duke qenë e vështirë të jepej një rrugëzgjidhje, kjo gropë u mbyll, ndërsa Telekomi i zhvendosi punimet e tij në anë tjetër të rrugës. Kjo pjesë historie vazhdoi të flerë sërish. Nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në vitin 2009 u dha një fond që mundësoi gërmimin në pjesën perëndimore jashtë mureve të kalasë së Elbasanit. Pikërisht në pjesën që ka qenë dikur në zotërim të kushërinjve dhe kundërshtarëve politikë, Dervish Biçakçiu dhe Aqif pashë Biçakçiu (Elbasanit), filloi një gërmim paralelisht me anën perëndimore të kalasë. Në një largësi të barabartë nga muri i kalasë drejtimi i murit të zbuluar vazhdon drejt veriut në vendin ku është shtëpia e njohur e Aqif Pashës. Pjesa tjetër pritet të zbulohet në ditët në vazhdim.
Një historik i shkurtër nga Skampini te Elbasani
Historia e qytetit që ndodhet sot në qendër të Shqipërisë, nis me emrin Skampin. Qyteti nuk u ka qëndruar ndryshimeve të mëdha. Ka humbur pas shkatërrimeve të mëdha të dyndjeve barbare dhe ka rilindur rastësisht shumë shekuj më vonë me emër të ri, por me të njëjtën kala që kishte pasur më parë. Po për të arritur deri këtu, historia na njeh me të tjera zhvillime.
Guri i varrit të Mark Sabidius Aemilia Maximus
Në vitin 1922 është zbuluar krejt rastësisht në muret e kalasë, një gur varri i ushtarit romak Mark Sabidius Aemilia Maximus, ku gdhendej emri i qytetit Skamp. Ky gur që ruhet në muzeun etnografik të Elbasanit mbahet edhe si dëshmi që vërteton emrin e lashtë të qytetit. Në përmbajtjen e këtij guri shkruhet: “Një ushtar romak, banues në Skamp, që ka kryer shërbimin ushtarak në Moesia (Bullgari), Siri, Palestinë, në të cilat luftoi 3 vjet kundër jezuitëve në Jeruzalem, ka kaluar në Daki (Rumani), Moesi dhe pas 40 vjet shërbimi ushtarak është kthyer në Skamp. Pas vdekjes, bashkëqytetarët e tij i kanë ngritur këtë gur përkujtimor”.
Skampa në burime të tjera
Në shekullin IV ose në fillim të shekullit V mendohet se është formuar Notitia Dignitum, ku ishte vendosur legjioni pseudocomitatenses. Në shekullin V Skampis përmendet dy herë në burimet historike. Së fundmi qyteti përmendet në shekullin e VI, gjatë sundimit të perandorit romak Justinian. Pas kësaj kohe, kur gjendej i rrënuar, për qytetin fillojnë vitet e harresës.
Ndërtimi i kalasë
Në brendësi të Skamps-it ishte ndërtuar kalaja, si qendër e legjionit romak, duke pasur 2 porta kryesore hyrjeje dhe dy rrugë që e përshkonin në drejtimet jug – veri dhe lindje – perëndim. Kalaja kishte 26 kulla. Specialistët mendojnë se duke vërejtur muret e kalasë, vihen re tri periudha të ndërtimit të saj që janë periudha e vonë romake, periudha e hershme bizantine dhe periudha osmane. Kështjella ka formën e një katërkëndëshi kënddrejtë të përmasave 308 x 348 metra. Në nivelin e poshtëm të saj, gjendet muri i periudhës së vonë romake që duket edhe sot në gërmimet e reja që janë bërë.
Pikat kulmore
Në kështjellën e Elbasanit, vihen re kullat që janë nëpër 4 pikat kulmore saj. Në gjendje të mirë, sot ruhen kullat e pjesës jugore nga lindja e nga perëndimi (në shëtitoren kryesore të qytetit). Ndërkohë kulla verilindore është e shikueshme, por shumë e dëmtuar, ndërsa kulla veriperëndimore është e futur midis shtëpish të ndërtuar, por me siguri ruan themelin e saj në gjendje të mirë. Kështjella ka humbur midis shtëpish në pjesën veriore të saj, në të cilën nuk shihet asnjë gjurmë, si dhe në gjysëm e anës lindore. Sigurisht nëse do të ndërmerrej ndonjë nismë ndërtimi, rikthimi i vlerave të vërteta të kalasë do të kryhej nëpërmjet rindëtimit të pjesës veriore.
Rindërtimi i kalasë së re
Studiuesi Teki Selenica në librin e tij “Shqipria më 1927” (Tiranë 1928), do të shkruante se emri i Skampës lidhej edhe me lumin e Shkumbinit. Sipas tij, aty nga shekujt X e XI, qyteti ishte prishur prej barbarëve e më së shumti prej bullgarëve. Qytetin e mbuloi heshtja. Në rrënojat e tij u ngrit një pyll dhe dukej si një vend ku jeta nuk do të rikthehej më. Selenica thotë se kur bëhen gërmime brenda kalasë në një thellësi prej 2 – 3 metrash, gjenden në nëntokë, gurë ndërtesash publike e kishash, copa shtamash, tjegullash të periudhës greko – romake, mozaikë kishash shumë të vjetra. Në portën e hyrjes së kalasë gjendet rrasa e shkruar e ndërtuar nga sulltan Mehmeti II në vitin 870 osmanisht. Aty thuhet se Mehmeti e kishte rindërtuar kalanë mbi themelet e vjetra. Kur ky i fundit kishte ngrehur çadrat e tij në një fshat të Elbasanit të quajtur Shushicë, ishte lajmëruar nga disa oficerë të tij, që kishin shkuar për të gjuajtur. Mehmet pushtuesi dha urdhër të ndërtohej kalaja mbi themelet ekzistuese, të priteshin të gjithë drurët dhe me lëndën e tyre të ndërtohej një objeket kulti i fesë së tij që është edhe sot e kësaj dite brenda kalasë.
Franz Babinger, “zbulon” Elbasanin
Ishte viti 1466 kur do të rilindte qyteti tashmë me emër të ri. Sulltan Mehmeti II gjatë ekspeditave të tij pushtuese në Shqipëri, do të ndërtojë kalanë e qytetit. Ky veprim lidhet më së shumti me ndërrimin e vendit të qëndrimit të atëhershëm që ishte Shushica, në kërkim të një qendre më të sigurt. Zbulimin e parë për emrin e qytetit e bën orientalisti gjerman Franz Babinger (1891 – 1967), i cili kreu edhe një punim për kalanë e Elbasanit.
Vexhi Buharaja, “përkthen” Elbasanin
Më tej do të ishte Vexhi Buharaja ai që do të saktësonte se “Ilbasan” përkthehej me fjalët “shtypës i vendit” ose “sundimtar i vendit”. Por në këtë kohë qyteti është njohur nga vendasit edhe me emrin “Kështjella e re”.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate