07 aprile 2013

Arbër Kadia drejtori i trashëgimisë, emërimi i kundraligjshëm

TIRANE - 
06 Prill 2013 - 15:27
Ikja e beftë, por jo e papritur e ish-drejtorit të trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Ols Lafe, u shoqërua nga një tjetër emërim, po kaq i beftë, e prapë, jo edhe aq i papritur. Arbër Kadia, më herët për pothuaj katër vite drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë, u vu në postin e "ish-shefit" pak ditë pasi "GSH" lajmëroi dorëheqjen e Lafes. Në pamje të parë, çdo gjë duket në rregull (një drejtor që ikën e një që vjen), sikur të mos ekzistonte një procedurë e mbështetur në ligj për emërimin e punonjësve të administratës. Kjo e fundit parashikon me detaje mënyrën se si zgjidhen nëpunësit civilë, në rastin tonë, drejtuesit e drejtorive nëpër ministri: Duke iu nënshtruar një konkursi. Procedura për të cilën flasim mbështetet në Ligjin nr. 8549 për Statusin e Nëpunësit Civil. Ish-ministri i Kulturës, Aldo Bumçi nuk e ka marrë parasysh këtë pjesë, duke anashkaluar disa prej hallkave kryesore, për të kaluar direkt tek emërimi i drejtorit të ri. 
Ligji Por çfarë parashikon konkretisht Ligji nr. 8549 në Statusin e Nëpunësit Civil? Në nenin 13 të tij, pika 1, kur flitet për pranimin në administratë thuhet se, "Pranimi në shërbimin civil kryhet nëpërmjet konkurrimit të hapur, bazuar në meritat". Në pikën dy shtohet se në administratën qendrore shpallja e konkurrimit bëhet nga Departamenti i Administratës Publike, me kërkesën e institucionit përkatës, ndërsa në institucionet e pavarura, shpallja bëhet nga departamentet e personelit. Pas kësaj, shpallja botohet në dy gazetat me qarkullim më të madh të paktën 30 ditë para datës së caktuar për konkurrim (A zgjati 30 ditë dorëheqja e Lafes dhe emërimi i Kadisë?). Shpallja për konkurrim përmban një listë të kërkesave të përgjithshme dhe të veçanta që duhet të plotësojnë kandidatët dhe të fushave në të cilat do të zhvillohet konkurrimi, të përcaktuara nga Departamenti i Administratës Publike, në bashkëpunim me institucionin propozues të administratës qendrore dhe nga departamentet e personelit për institucionet e pavarura. 
Konkurrimi Ligji nr. 8549 për Statusin e Nëpunësit Civil sqaron në pikën 5 të tij se konkurrimi zhvillohet në tri faza. Në fazën e parë bëhet përzgjedhja e kandidatëve për t'iu nënshtruar testimit dhe konsiston në verifikimin nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. Vetëm kandidatët që plotësojnë këto kërkesa do të pranohen për t'iu nënshtruar fazës së testimit. Kjo fazë zhvillohet nga Departamenti i Administratës Publike për institucionet e administratës qendrore dhe nga departamentet e personelit për institucionet e pavarura. Në fazën e dytë zhvillohet testimi. Për zhvillimin e kësaj faze, Departamenti i Administratës Publike për institucionet e administratës qendrore dhe departamentet e personelit në institucionet e pavarura, krijojnë komitete të veçanta 'ad-hoc' që përbëhen nga përfaqësues nga Departamenti i Administratës Publike, përfaqësues të institucionit të administratës publike qendrore apo vendore që kanë kërkuar plotësimin e vendit të lirë; dy profesorë nga fakulteti apo katedra sipas fushës në të cilën do të zhvillohet testimi ose dy specialistë të njohur nga fusha përkatëse,etj. Në fazën e tretë bëhet vlerësimi përfundimtar i kandidatëve. Në këtë fazë, eprori direkt nën varësinë e të cilit nëpunësi do të punojë, zgjedh një nga tre kandidatët e propozuar nga komitetet 'ad-hoc'. Pika 6 e këtij neni flet për ankesat për zhvillimin dhe rezultatin, ndërsa pika 7 për emërimin: "Marrëdhëniet juridike të nëpunësit civil fillojnë me aktin e emërimit në shërbimin civil dhe janë pa afat. Akti i emërimit firmoset nga Departamenti i Administratës Publike për institucionet e administratës qendrore dhe nga departamentet e personelit për institucionet e pavarura, pasi kalon afati për paraqitjen e ankesave, parashikuar në pikën 6 të këtij neni". Në rastin konkret, ish-ministri Bumçi ka kaluar direkt në pikën 7, duke i anashkaluar 6 pikat e para.

Nga: FATMIRA NIKOLLI
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate