TIRANE, 13 Mars/ATSH/-Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u mbajt sot seminari me temë: “Përdorimi i droneve në studimin dhe menaxhimin e siteve arkeologjike dhe të territorit”.
Ky seminar erdhi si organizim i Universiteti Macerata në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, me mbështetjen e Rajonit Marche dhe Muzeut Historik Kombëtar.
Në hapjen e këtij seminari të rëndësishëm për fushën e arkeologjisë, ishin të ftuar Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Ambasadori Italian, Massimo Gaiani, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Adriana Frisenna, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, drejtori i Institutit Arkeologjik Shqiptar, Luan Përzhita dhe shumë studiues të fushës.
Që nga viti 2005 pranë qëndrës arkeologjike të Hadrianopolis (Sofratike), në jug të Shqipërisë, ushtron aktivitetin e tij misioni arkeologjik italo-shqiptar drejtuar nga Profesorët Roberto Perna dhe Dimiter Çondi, përkatësisht të Universitetit të Macerata-s dhe Institutit të Arkeologjisë Shqiptare.
Gjatë gërmimeve të fundit të kryera në verën e vitit 2014, në sajë të projektit “Adriatik”, të financuar nga Rajoni Marche, janë kryer fluturime dhe xhirime nga lart nëpërmjet droneve të radio-komanduara mbi qëndrat arkeologjke në Hadrianopolis, Antigone, Jercuzat, Frashtan dhe mbi Kalanë e Gjirokastrës.
Shkrepjet fotografike dhe xhirimet të përpunuara për çdo qendër arkeologjike kanë bërë të mundur krijimin e modeleve në 3D të qendrave si dhe ortofotove që do të përdoren për studimin dhe menaxhimin e Hartës arkeologjike të Luginës së Drinos dhe për zbatimin e Planit të Mbrojtjes Civile të Trashëgimisë Kulturore të Luginës.
Këto të dhëna do të lejojnë gjithashtu përpunimin e hartës së re të zonave, të planimetrisë arkeologjike të përditësuara dhe të planit të përgjithshëm të menaxhimit të Parkut të Antigonesë – Hadrianopolis.
Ky seminar paraqiti disa objektiva: së pari, ndarja me ekspertët vendorë të rezultateve të arritura në vitin 2014, së dyti, përhapja e potencialeve të ofruara nga këto teknologji midis gjithë ekspertëve dhe profesionistëve në fushën e kërkimit shkencor, në menaxhimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, në planifikimin dhe në punët publike, dhe së fundmi krijimin e një rrjeti operatorësh dhe institucionesh kulturore midis Shqipërisë dhe Italisë që ndajnë përvojat dhe praktikat më të mira.http://www.ata.gov.al/perdorimi-i-droneve-ne-studimin-dhe-menaxhimin-e-siteve-arkeologjike-dhe-te-territorit-236737.html
Nessun commento:
Posta un commento