NJË REFLEKTIM MBI LIGJIN E TURIZMIT MBI TVSH-NË, QË ENDE NUK PO DUKET TË VIJË
Zak Topuzi*
Shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) përcaktuan prioritetet për turizmin europian në takimin e 4 Prillit 2014.
“Në 2013, të ardhurat nga turizmi u rritën në masën 5.4%, pavarësisht një rimëkëmbjeje të brishtë globale, sidomos në zonën euro “, - tha Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO, Taleb Rifai. ”Turizmi vazhdon të luajë një rol qendror në rritjen ekonomike të rajonit dhe krijimin e vendeve të punës. Ndërsa taksat janë një mjet thelbësor fiskal, ekziston një shqetësim në lidhje me një shtim të tarifave të udhëtimit dhe turizmit, duke penguar konkurrencën e drejtë të destinacioneve” - shtoi ai. Sfidat kryesore afatshkurtra dhe prioritetet për turizmit europian, të identifikuara në këtë takim, përfshijnë lehtësimin e udhëtimit, taksimin dhe krijimin e kushteve të favorshme të biznesit për të stimuluar investimet dhe inovacionet.

Qeveria Rama ka përcaktuar si prioritet bujqësinë dhe turizmin. Korrelacioni pozitiv i zhvillimit të turizmit me zhvillimin e bujqësisë e bën akoma më të drejtpërdrejtë dhe më të plotë impaktin e tij në rritjen e punësimit, reduktimin e varfërisë dhe në rritjen ekonomike të vendit.
Ministria mbështeti iniciativat për një klimë të favorshme për biznesin turistik në paketën fiskale 2015, duke u bazuar në një studim të përbashkët të saj me një grup ekspertësh nga CID Harward University, ku parashikohej ulja e TVSH-së për turizmin 10%, ose subvencionimi i kësaj TVSH-je nga qeveria, por për çudi, aksioni nuk u konkretizua me pretendimet se FMN ishte pengesë, por në takimin kokë më kokë me grupet e interesit, FMN pohoi të kundërtën.
Vendet e rajonit tonë, ku synohet edhe konkurrenca reale, janë agresivë në mbështetjet e drejtpërdrejta dhe indirekte për turizmin, ata kanë histori të suksesshme, kanë traditë dhe përvoje më të gjatë, kanë infrastrukturë më të mirë dhe investime private vendase e të huaja më cilësore. Shqipëria vazhdon të jetë në risk, si rezultat i rrezikut të përballjes me konkurrencën dhe destinacionet rajonale.
Gjithnjë e më shumë po kuptojmë se potenciali ynë turistik është i krahasueshëm në rajon dhe që modelin e zhvillimit duhet ta marrim nga vendet e Mesdheut.
Turizmi sot është mënyrë jetese. Ballkani është kthyer në “brand”, falë bashkëpunimit rajonal në turizëm. Qeveria shqiptare duhet te nxjerrë konkluzionet e duhura nga ky realitet. Turizmi nuk mund të jetë prioritet vetëm me fjalë.
Ne po tregohemi të vonuar në këtë përshtatje rajonale. A do ta kapë Shqipëria trenin e fundit?
* Zv. President i Shoqatës Shqiptare të Turizmit
Titulli origjinalit: TVSH e turizmit, as 10%, as subvencionim
Nessun commento:
Posta un commento