21 marzo 2015

Çelet Muzeu Arkeologjik në Durrës, Event i rëndësishëm për qytetin

rama ne durresTIRANË, 21 Mars /ATSH-Gjergji Mima/ -Në qytetin e Durrësit u çel sot, pas rikonstruksionit mbi bazen e nje projekti të ri, Muzeu Arkeologjik, muzeu më i madh i këtij lloji në vend, brenda të cilit ruhen vlera te medha historike, kulturore dhe arkeologjike te nëntokës tonë.
Përurimi i tij është bërë  nga kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Linda Basha.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Mjedisit Lefter Koka, Kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ambasadori italian në vendin tonë Massimo Gaiani si dhe personalitete të tjera shtetërore.rama ne durres 1
Muzeu Arkeologji i Durrësit ka një fond prej 3204 objektesh, nga të cilat 2400 janë të ekspozuara sot, ndërsa faza e dytë, me muzealizimin e objekteve të tjera, do të vijojë vitin tjetër.
Kryeminstri Edi Rama, theksoi gjatë fjalës së tij se, “ky është një event i rëndësishëm për këtë qytet, por edhe për rrugëtimin tonë për Rilindjen shqiptare, sepse pas shumë e shumë vitesh Muzeu Arkeologjik i Durrësit çel sot dyert dhe jam i bindur se për të githë ata që do ta vizitojnë rrezaton në të gjithë shkëlqimin e vet një trashëgimi të pasur dhe shumë të dëmtuar dhe të harruar e të braktisur të Shqipërisë”.
rama ne durres 2“Ky është një muze që është rindërtuar tërësisht mbi bazën e një projekti të ri dhe falë pasionit të njerëzve që e kanë udhëhequr dhe jetësuar këtë projekt me një ndjenjë të madhe dashurie dhe atdhedashurie”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri Rama nënvizoi se synim i rëndësishëm i qeverisë është transformimi i domosdoshëm i marrëdhënies me trashëgiminë kulturore, marrëdhënie e degraduar rëndë në vitet e tranzicionit. “Pjesë e këtij synimi është gjithë vëmendja në këtë qytet. Pjesë është edhe amfiteatri që është ende larg së qenit një aset i krenarisë sonë Kombëtare, por edhe i politikës sonë për turizmin, por dhe kijimin marrëdhënies tonë me trashëgiminë kulturore”, tha Rama.rama ne durres 4
Ky, theksoi kreu i ekzekutivit, “është muzeu më i madh në Shqipëri. Ne kemi disa muze që mund të konsiderohen të mëdhenj, por janë më shumë muzeume të kopjeve dhe dëshirës për të qenë ata që duam të jemi, sesa muzeume ku çdo objekt, çdo hap është i lidhur me faktet dhe artifaktet historike”.
Kryeministri Rama u shpreh se, ky muze së bashku me amfiteatrtin janë dy pikat më të vizituara në Durrës por edhe më të vlerësuara nga specialistët.
“Mozaiku i Bukuroshes së Durrësit është një ndër logot më të njohura të Shqipërisë. Ky muze u përurua në vitin 2002 dhe asnjëherë nuk u përfundua, por ra viktimë e politikës së prokurimeve njësoj si proverbi, ‘dardha e ka bishtin mbrapa’, duke përuruar dhe duke lënë gjëra mbrapa, duke e lënë të papaërfunduar, gjë që e ka lënë në gjendjen më të keqe këtë Muze”, tha Rama.
rama ne durres 3Kryeministri u shpreh se po vijon bashkëpunimi me bashkinë e Durrësit, për të krijuar një zinxhir projektesh që do ta rrethojnë muzeun, që nga kodra, që ishte një projekt i Ministrit të Mjedisit që qeveria e mbështeti, deri tek Amfitetarit përmes pishinës publike, për të cilën i kemi dhënë së fundmi financimin bashkisë së Durrësit, duke krijuar kështu një zinxhir hapësirash publike për të jetuar që nga rrënojat e lashta deri tek nevojat e trupit për not dhe freski”.
“Në një vit janë restauruar 2500 objekte arkeologjike që nuk ishin prekur prej 30-40 vitesh. Prandaj jemi të kënaqur që çelim sot këtë muze, që do të ketë edhe një program edukativ dhe një ekspozitë antike për të verbërit’, tha Kryeministri Rama.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në fjalën e saj u shpreh se, “Gjatë një viti e gjysëm kemi hapur katër kantiere muzeale, muzeun “Pjeter Marupi” Shkodër, qendren e artit mesjetarë në Korçë, në Tiranë dhe sot hapim për publikun arkeologjinë tonë të çmuar në Durrës. Kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa një bashkëpunim të shkëlqyer të bashkisë së Durrësit”.rama2
“Kemi ndriçuar dhe rehabilituar thesaret e Durrësit. Këtë muze, amfiteatrin, i cili vazhdon të ketë supriza të tjera në muajt në vijim. Po përgatisim gjithashtu një version të kësaj ekspozite arkeologjike për të verbërit”, tha Kumbaro.
Durrësi është i të gjitheve, shtoi Ministrja e Kulturës, “pasi viti 2014 shënoi dyfishimin e vizitorëve të trashegimisë kulturore në të gjithë vendin, falë punës dhe pasionit të njerëzve. Durrësi ka të tjerë njerëz që kërkojnë ta vizitojnë pasi ka ende bukuri për t’u zbuluar”.
Rikonstruksioni i muzeut arkeologjik më të madh të vendit nisi në shtator të vitit 2011, por punimet u ndërprenë disa herë për shkak të një paqartësie në pronësinë e truallit në pjesën e pasme të oborrit, si dhe në vështirësitë e hasura për transferimin e fondeve të strehuara prej vitesh në katin e tretë të godinës.
rama1Muzeu arkeologjik është një nga krenaritë e qytetit të Durrësit. Ai u përurua në vitin 1951 me nismën e arkeologut të njohur Vangjel Toçi në një godinë dykatëshe të shëtitores që mban sot emrin “Taulantia”.
Një pjesë e objekteve arkeologjike, që u vendosën fillimisht në eksponatet e muzeut të vjetër u zhvendosën në vitin 2002 në Muzeun e ri arkeologjik, që u ndërtua vetëm 200 metra më në veri, në të njejtën rrugë. Vetëm në katin e parë të godinës do të riekspozohen rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.
Muzeu arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të Durrësit, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate