TIRANË, 31 Maj/ATSH/.- Punimet e Asamblesë së Agjencive të Lajmeve të Detit Mesdhe (AMAN) vijuan me diskutimet rreth rolit të medias në promovimin e turizmit, që është dhe tema qendrore e takimit të 25-të të kësaj organizate, që po mbahet sot në Tiranë.
Sekretari Përgjithshëm i AMANI-t, George Penintaex, pas fjalës së ministres së Ekonomisë, Milva Ekonomi u sugjeroi autoriteteve shqiptare që të përkujdesen për pasuritë kulturore të Shqipërisë, dhe veçoi tolerancën fetare si një avantazh në këtë drejtim.
“Është hera e pestë që vij në Shqipëri dhe më lejoni t’ju sugjeroj, kujdesuni për asetet tuaja, pasuritë kulturore, por dhe avantazhe të tjera, mes tyre toleranca fetare, për të ndryshuar panoramën që vendi ka trashëguar nga e kaluara. Ajo që konstatoj është se Shqipëria ka bërë një ndryshim thelbësor”, u shpreh Sekretari Penintaex.
Përfaqësuesi i agjencisë turke të lajmeve Anadolli Agency, Ahmet Sel, tha se AA publikon 2 mijë foto në ditë, ndërsa kjo agjenci ka vendosur marrëdhënie efektive me mediat e tjera, përfshirë këtu dhe rrjetet sociale. Ai e konsideroi promovimin e turizmit me mjaft rëndësi për ekonominë e vendeve të rajonit të Mesdheut.
Ndërsa përfaqësuesi i Agjencisë Marokene të Lajmeve (MAP), Rachid Tijani, tha se kjo ishte hera e parë që vinte në Shqipëri, për të cilën kishte dëgjuar vetëm nga lajmet. Ai u shpreh i impresionuar nga bukuritë shqiptare, ndërsa vlerësoi takimin e organizuar nga pala shqiptare si një mision me rëndësi në promovimin e turizmit.
Nabila Zajati, përfaqësuese e agjencisë italiane të lajmeve ANSA, e konsideroi përgjegjësi të mediave, anëtare të AMAN-it, promovimin e turizmit të vendeve të Mesdheut. Ajo kërkoi rritjen e bashkëpunimit mes agjencive dhe të shkëmbimit të ideve.
“Ne përfaqësojmë ANSA MED, që merret me promovimin e turizmit mesdhetar, pasi siç e dini, Italia identifikohet me Mesdheun në promovimin e turizmit”, tha Zajati.
Përfaqësuesi i KosovaPress, pasi bëri një prezantim të punës në këtë agjenci, vuri në dukje se ndonëse e re në moshë, ajo po përparon në shtimin e shërbimeve përmes informacioneve me foto dhe video. Ai kërkoi që edhe KosovaPress të bëhet pjesë e Aleancës së Agjencive të Lajmeve të Mesdheut. /e.xh/a.s//m.m/
Nessun commento:
Posta un commento