29 giugno 2016

Fshatrat turistike nën “këmbët” e Tomorrit, një perlë e harruar e natyrës shqiptare

  • dardha-1.jpg
  • dardha2.jpg
  • dardha4.jpg
  • dardha7.jpg
  • dardha9.jpg
  • dardha1.jpg
  • dardha3.png
  • dardha5.jpg
  • dardha8.jpg
  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
dardha3TIRANË, 28 Qershor / ATSH-N.Lena/ –  Nën këmbët e malit madhështor të Tomorrit, ndodhen disa fshatra malore që tashmë janë kthyer në kuriozitete për turistët e aventurës, historisë dhe të mitologjisë. Këtu ndodhen  Dardha, Qaf-Dardha, Perisnaka, Kostreni i Madh, Bogdani…. Bukuritë përrallore të kësaj zone nuk mund të rrëfehen pa i parë me sy. Ndër to, dy liqene në rrëzë të malit, 1100 metër mbi nivelin e detit, të mbushur dimër e behar plot me ujë e gjallesa ujore.
Për në këto vende mund të udhëtosh nga Gramshi ose nga  Skrapari. Rruga le për të dëshiruar por është e kalueshme.
Peizazhet janë befasuese me ujëvara, burime, liqene e shkëmbinj të thepisur. Ka disa liqene akullnajore ku në krye të tyre ndodhet Sheshi i Shën-Pjetrit. Rreth e përqark tij bëjnë temená pisha të rritura e të parritura. E tërë lëndina është mbuluar me bar të gjelbër dhe të njomë gjatë gjithë verës.
Pak me tej gjenden rrënojat e një qyteze të  çuditshme, me themele dhe murnaja që nuk dihet kush i ndërtoi dhe kush i shkatërroi. Qyteza ende pret arkeologë të vënë emra dhe mbiemra, të caktojnë ditëlindje dhe ditëvdekje.dardha8
Në verilindje të malit shikon dhe dëgjon një nga ujëvarat  më të bukura në vend. Uji i saj del prej këmbëve të Tomorrit dhe vërvitet tatëpjetë nëpër zallishte e nëpër pyje.
Në Qaf- Dardhë ndodhet edhe çezma e Tarikos. Aty në një pllakë guri shkruhet : “Pini ujë dhe uroni/ Tarikon ta kujtoni/ Jam e ëma e Demirit/ Mbeta garibe (e vetmuar) nga dora e qafirit”.
Një legjendë ku tregohet se nënës i vranë djalin e vetëm në avllinë e saj, ditën që i kishte ardhur nusja në shtëpi. Vrasësi qe nga një krahinë e largët. Tregimtarët thonë se qe një xhelozi e çmendur: “Pse nusen e bukur se mora unë, por e more ti”…si shumë legjenda ballkanase.
dardha2Rrëzë malit  gjarpëron si i përgjumur Vromi i madh. Kjo rrugë ka lidhur prej qindra e mijëra vitesh Beratin, Korçën, Selanikun e më tej deri në Kostandinopojë. Në këtë rrugë që kryqëzohej me Egnatian në kufijtë e Prespës, karvanët transportonin mallra të ndryshëm ndërmjet qyteteve dhe shteteve. Në fshatrat  Perisnakë dhe në Dardhë ndodhen dy hane ku çlodheshin karvanët me kafshët e ngarkesës.
Hani i Perisnakës ka qenë me nam aq sa për të ka dhe një gojëdhënë. Meqë ishte një vend kyç në rrugkalimin e karvaneve, këtu herë pas herë hajdutë e kaçakë grabitnin mallrat e karvanëve, duke përdorur edhe dhunë ndaj tyre. Sipas traditës së hershme, turpi u mbetej vendasve (perisnakallinjve). Për të shpëtuar nga turpi, disa djem trima nga ky fshat, kapën gjashtë hajdutë. I sollën në fshat. Pleqësia mori vendimin që të kastroheshin, për të mos mbetur më pas farë hajdutësh. A u grabitën më pas karvanët? Rrëfenjësit betohen për qiellin e për tokën se as u panë e as u dëgjuan hajdutë në këto anë.
Në Dardhë e Qaf- Dardhë, në Perisnak e në Kostrenin e madh kanë “mbretëruar” edhe kafshët dhe shpendët e egra, thëllëza, pëllumba, kunadhe, dhi të egra, sorkadhe, derra, arinj, ketra, etj që me vendosjen e moratoriumit të gjuetisë, janë shtuar e janë kthyer në objekt për turistët e vëzhgimit të natyrës dhe të faunës.dardha4
Për bukuritë e kësaj ane ka shkruar edhe kronikani turk, Evliha Çelebiu në vitin l670 kur vizitoi Beratin. Ndër të tjera, ky kronikan ka shkruar:“ Në këtë mal ka llojë-llojë bimësh, barnash e drurësh. Këtu vijnë dijetarë dhe specialistë frëngj e zotërinj të tjerë, të cilët mbledhin me mijëra barna mjekësore. Me këto barna shërojnë të sëmurët në vendet e veta“!
Aty, në prehërin e Tomorrit, ka mbretëruar, sipas legjendës dhe  Dodona Dimëregëra, sipas historianit Perikli Ikonomi.
Ata që duan të dinë për misteret dhe çudirat pse ajo lindi e jeton në malin e Perëndive dhe pse gjithkush nga fqinjët tanë kërkon pa një pa dy ta bëj të vetën, le të studiojë librin e Ilir Cenollarit “Profecitë e Zotit të Tomorrit“ dhe të pellazgologëve të tjerë që janë të gjithë të një mendje se Dodona Mëmë, Dodona Pellazgjike Dimërkeqe ka qenë në Tomorr.
Për fat të mirë , mrekullitë dhe stolitë e kësaj zone janë të paprekura dhe janë kthyer në një nga destinacionet  më të preferuara për turizmin e natyrës, të historisë dhe të aventurës.
dardhaPo punohet për rindërtimin e rrugës, e cila  po ecën në gjurmët e Vromit të Madh, pra rrugës antike. Ajo ndoshta do të lidhë qytete e shtete si në kohë të vjetra.
Me rindërtimin e rrugës, priten të ngrihen shtëpi pushimi verore dhe dimërore, ambiente kurative dhe  sportive, lokale shërbimi për turistë të huaj dhe  vendas.
Sot kjo zonë bënë pjesë në Parkun Kombëtar “Mali i Tomorrit” dhe është një zonë e mbrojtur. Ka një sipërfaqe 4000 ha dhe ndodhet në lindje të qytetit muze të Beratit. Në të ndodhet Mali i Tomorrit që nga larg të jep përshtypjen e një kështjelle natyrore gjigante.
Bukuritë natyrore të parkut janë evidente në çdo stinë. Këtu ndodhet edhe varri i Abaz Aliut (Tyrba e Kulmakut) 1200 m mbi nivelin e detit, ku çdo vit në fund të muajt gusht mijëra pelegrinë ngjiten për të zhvilluar një javë rresht ritet e bektashinjve, duke prezantuar kështu edhe turizmin fetar.
Janë vende të natyrës sonë të bukur që duhen zhvilluar e destinuar për një turizëm gjithëvjetor ku edhe vlera ekonomike e këtij turizmi do të jetë e lartë./m.m/
http://www.ata.gov.al/dardha-nen-kembet-e-tomorrit-nje-perle-e-harruar-e-natyres-shqiptare/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate