TIRANË, 16 Qershor /ATSH-N.Lena/- Më 15 qershor u çel në Nikaj-Mërtur sezoni i ri veror me pjesmarrjen e shumë vizitorëve nga vendi dhe te huaj, gazetare, kryesisht gjermane, te cilet interesohen për Shqipërinë dhe zonat e saja turistike. Një prej organizatorëve dhe guidatorëve të këtij eventi, Ndoc Mulaj, njofton nga logu i festës itinerarin dyditor të përshkuar nga vizitorët dhe pjesëmarrësit e kësaj feste të veçantë.
“Nuk kishte se si të përfundonte më mirë turi i gazetareve dhe operatorëve turistike gjermane sesa me një festim në Nikaj Mërtur”, thote Ndoci. Pas Brisës, udhëtarët zbritën në Vranë. Peisazhe mahnitese nga Kakia, thepat e Shtarzes, Maja e Bardhe, Grada, Zalli i Ortekut, Fusha e Vranës dhe një drekë tradicionale e shumë të shijëshme te bujtina e Gjergj Lazrit, vazhdon raportimin e tij Ndoci.
Më pas, shtegëtarët zbresin nëpërmes shtegut Vranë e Madhe – Vranë e Vogel – Ndobreshe – Stakaj – Gjonpepaj – Lekbibaj. Një shteg i lehtë për t’u përshkruar, me surpriza të shumta natyrore dhe shumë impresionues për operatorët turistike gjermane. “Në darkë vizitorët bujtën te kulla e Pjeter Lekës, mikpritje e shkelqyer, gatimet me të mira tradicionale të Nikaj-Mërturit, biseda të këndëshme dhe intervista me plakun 87-vjeçar Lekë Kurteshi. Vizituam edhe kullën mbi 300- vjecare të Kurtesh Kurtit, e vetme në llojin e saj ndoshta në të gjithë shqiptarinë”. Një ditë para festës në Nikaj –Mërtur bëri një mot i keq, një mot që kishte kohë që nuk ishte parë në këtë periudhë stinore. Binte shi pa pushim që nga mbrëmja vone, tregon Ndoci.
U trembëm se do na pengonte festën ditën e nesërme, por pikërisht në momentin që do të fillonte festa, nga bjeshka e bekuar (namun) e Kakisë, lëshohet mbi Nikaj-Mërtur një rreze dielli e cila për pak minuta davaritë krejt retë dhe mbërrin dhurata nga Zoti, një kohë e shkëlqyer për të festuar. Qindra festues nga Nikaj Merturi, Tropoja, Kosova, si dhe Tirana, Durresi, Shkodra e qytete të tjera, u tubuan që në orët e para në Lekbibaj, qëndra administrative e zonës. Prania e dy deputeteve të Tropojës dhe Gjakovës, Mimoza Hajdarmata dhe Teuta Haxhiu, me fjalë zemre për Nikaj-Merturin, ia shtuan gëzimin festës.
Duhen lavdëruar e falenderuar punonjesit e Qëndres Administrative Lekbibaj dhe Bashkisë Tropojë, për punën e bërë si kurrë më parë për organizimin e kësaj feste, si dhe gazetarët dhe artistët pjesmarrës, raporton nga Lekbibaj Ndoc Mulaj për ATSH-në..
Pas përfundimit të programit artistik, festarët vizituan panairin e produkteve vendore dhe provuan shijen e mrekullueshme të gatime tradicionale të Nikaj-Merturit. Një kontribut të veçantë në këtë festim dha Giz Albania me punën dhe mbështetjen që po bën për zhvillimin e turizmit në në zonën malore të Nikaj-Merturit. Giz Albania ka financuar disa bujtina në këtë zonë për pritjen e turistëve në çdo stinë të vitit.
Tashme turizmi atje ka filluar zyrtarish me 15 bujtinat e para për akomodimin e mbi 300 personave dhe numri i tyre po shtohet çdo ditë. Kjo krahinë po kthehet tashmë në një nga destinacionet më të pëlqyera turistike në Alpet Shqiptare. Përfundimisht, sot mund të flasim për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në Nikaj-Mertur dhe për një të ardhme turistike gjithëvjetore.
Nikaj –Mërturi, me natyrë të bukur, me pyjnaja gështenjash, me male të lartë mbushur me bimësi, histori dhe shpella të pa shkelura, me gojëdhëna, me traditë e mikëpritje, pret vizitore në çdo stinë të vitit. Tani kjo zonë është e prezantuar në botën turistike. /a.ke/
Nessun commento:
Posta un commento