18 giugno 2016

MASAKROHET PARKU SHUMËVJECAR I POGRADECIT

Qytetarët të pafuqishëm përballë sopatës vrastare të Bashkisë.
Prej fillimit të kësaj jave punonjës të gjelbërimit të Bashkisë Pogradec, i kanë hyrë me sopatë e motosharë në dorë parkut të qytetit në breg të liqenit, duke masakrauar drurët dekorativë shumëvjecarë të tij, me prerje nga qafa e rrënjës dhe krasitje të rëndë në kurorë deri në majën e rritjes. Përballë një fakti të tillë qytetarë të shumtë kanë shprehur shqetësimin e tyre, madle ka patur nga ata që kanë dashur t’i pengojnë në këtë krim mjedisor, por janë larguar forcërisht nga policia bashkiake.
Kurse specialistët e pyjeve kanë zgjedhur ekranin e mediave për të protestuar e për t’i thënë ndal, këtij operacioni të marrë që është me pasoja të pandreqëshmë për këtë pasuri të madhe të qytetit, vec liqenit. Kështu inxhinieri Y. Galo, duke dënuar një veprim të tillë, tha se në parkun e drurëve dekorativë, ndërhyrjet janë vetëm sanitare, kryesisht për ta ruajtur dhe përmirësuar shëndetin e tij. Krasitje bëhen vetëm për degë të thata ose të sëmura, duke filluar nga vjeshta, deri në pranverë, kur edhe drurët mund të lastarojnë më pas, po jo në verë, në stinën e vegjetacionit. Sepse një operacion i tillë i rëndë, si ky që po bëhet tani është me pasoja të parikoperueshme. Thënë më shqip: pylli i qytetit nuk mund të rigjenerojë veten.
Por protestat e qytetarëve dhe specialistëve deri tani kanë rënë në vesh të shurdhër dhe gjendja ka marrë përmasa dramatike. Bizneset janë në prag të sezonit turistik dhe sapo kishin vendosur tavolinat e karriket për pushuesit nën hijen e drurëve, por bashkia po u rekomandon cadrat. C’i mbetet qytetit me nje territor urban ku mbi 95 për qind e tij është i betonizuar po i shkatërrove parkun, e vetmja pasuri e pacmuar ekologjike e mushkëria e tij, me një sipërfaqe prej 3, 5 ha e, me rreth 3000 drurë dekorative të llojeve të ndryshme që hijeshojnë atë?
Vetëm premtimet elektorale të kryetarit Eduard Kapri për turizmin, i cili pa një raport teknik nga ana e specialistëve të pyjeve e mjedisit, po i ve minën Pogradecit në mes të ditës. Burime pranë kësaj bashkie, bëjnë me dije se kjo bashki e ndodhur përballë moratoriumit qeveritar të pyjeve e masave shtrënguese të tij, po siguron me këtë rast lëndën djegëse për ngrohje të cerdheve, kopështeve e stadiumit të qytetit, ku edhe po shkojnë drurët e prerë e krasitur deri në majë të parkut. Atë që bën natyra për dhjetra vjet, vjen i paafti dhe i papërgjegjëshmi dhe e shkatërron për një orë.
http://atapa.org/blog/news/20160617-006/masakrohet-parku-shumËvjecar-i-pogradecit

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate