07 aprile 2015

Reportazh/ Kruja turistike, Historia dhe Jeta

NGA AGIM PIPA
07 Prill 2015 - 07:40 | përditesuar në 09:19



  
TIRANE- Kruja, një prej qyteteve më të dashur për shqiptarët, jeton mijëvjecarin e saj të tretë në historinë antike, mesjetare dhe moderne. Sot ajo banohet nga 15 mijë banorë dhe symbol i jetës së tyre është kalaja e lashtë skënderbejane, me rrënjë të thella në histori.

Dokumentet e datojnë Krujën si vendbanim qysh në shekullin e IV – III p.e.s. Kalaja, në vetvete, ka një trajtë epilektike, ze një sipërfaqe prej 2 hektarë e gjysëm dhe ngrihet mbi një kodër shkëmbore.

Udhërrëfyese e udhëtimit të kameras së A1 Report dhe gazetës Shqiptarja.com në reportazhin kushtuar kështjellës skënderbejane dhe lagjes Kala në këtë qytet, ëshë Besa Sheta Hyka, drejtore e gjimnazit Skënderbeu në qytetin e Krujës, e diplomuar në fakultetin e historisë dhe master shencor në fushën e arsimit. E miqësuar me kalanë qysh se ishte fëmijë, ajo vjen në mjediset e saj me krenarinë e një gruaje që mban një emër të bukur: Besa. Me propozimin e Besës, udhëtojmë brenda mjediseve të kalasë.

Muret rrethuese të qytetit të lashtë, kurora e lartë si pjesë e vargmaleve të Skënderbeut, bujtinat dhe catitë e kuqe të lagjes Kala, një ndër lagjet më të vjetra të qytetit, bëhen pjesë të rrëfimit të Besës. Ajo thotë se të parët e Krujës, banorë autoktonë dhe të njohur ndryshe edhe si albanë, kanë lënë trashëgimi të madhe në të gjitha fushat e jetës.

Ndërtimi I banesave, punimet artizanale, punimet e qilimave, punimet e veshjeve tradicionale të zonës; jelekët, këmishët, brezat, shallët, shamitë, qeleshet e bardha, xhubletat; punimet me grep, të armëve të punuara me filigranë, të enëve prej balte dhe prej bakri; të dyerve me qemer të shtëpive; të mureve me gurë dhe kalldrëmeve prej guri gjithashtu. Ja, kjo është një pjesë e madhe e thesarit të trashëguar nga të parët e krutanëve të sotëm.

Një kafe me Besën nën kurorën e malit, ndanë kullës së kalasë skënderbejane, shijohet pa masë, nën diellin e pranverës. Pas kësaj, marim rrugën drejt mureve rrethuese të kalasë, në hyrje të lagjes “kala”, një prej lagjeve më të bukura jo vetëm në Krujë, por edhe në të gjithë vendin, për shkak të strukturës urbane të banesave dhe rrugëve, që lidhin të gjitha banesat, ose shtëpitë, me qendrën e kalasë skënderbejane.

Pak pasi kemi hyrë në rrugicën e parë të lagjes, mes mureve të rëndë dhe që kumbojnë prejn hapave tanë kalldrëm, Besa zgjedh të ulet mbi një gur të madh, ndanë një porte të drunjtë. Dhe shpjegon: “Këtu jemi në portën e familjes Tufa, një prej familjeve që tradicionalisht njihen si punues të qilimave. Shikoni portën, me dru të punuar nga mjeshtrat krutanë. Shikoni dhe qenerin, apo harkun e gurtë të portës. Ja dhe doreza, që troket mbi portë: një unazë e bukur me bakër që, e përcjell trokitjen deri Brenda dhomave të shtëpisë.

Ja, ta provojmë…” Ajo e kap lehtë dorezën në formë unaze dhe troket mbi portë… tak-taku I saj shkon në oborrin e madh të shtëpisë. Dëgjohet një “Urdhëroni…” dhe Besa hap portën. Oborri I shtëpisë është mbreslënës. I madh, me bar të gjelbërt, me trëndafilë dhe kumbulla. Lart, mbi murin rrethues të shtëpisë, mbi disa tjegulla të kuqe, një mace e bardhë ecën sikur po thyen qelqe…Lart, në verandën e bardhë, një zonjë qëndis mbi një mbulesë shumëngjyrëshe. Është Mejte Tufa, punonjësja e vjetër e qilimave të Krujës…

Tezgjahu
Jemi ngjitur sëbashku me Mjeten dhe Besën në katin e dytë të vilës së Tufajve. Këtu, gjithçka shëndrit nga pastërtia dhe perdet e qepura me grep, tavolinat në salon punuar me dru arre, parmakët e shkallëve edhe ato punuar me ornamente dhe me dru arre, na sjellin tek tezgjahu I drunjtë, I vjetër, prej gati 100 vjetësh. “ Unë tezgjahun e kam mësuar qyshse isha vajzë e vogël, tek gjyshja ime e mirë.

Më vonë, kur erdha këtu nuse, dija të punoja dhe hyra në ndërmarjen e qilimave të Krujës. Aty kam nxjerrë nga duart e mia me qindra qilima me motive të Krujës. Por, mësova të end edhe sixhade. Dikur sixhadet e Krujës kërkoheshin shumë në tregjet e Europës dhe ne ndjeheshim krenare për punën që bënim, sepse, përmes sixhadeve dhe qilimave, përcillnim tek të huajt motivet dhe shpirtin tonë të pasur. Ja, shikojeni këtë qilim, që kam në tëezgjah.

Është I gjithi me motivet tona: fushë e kuqe dhe shqiponja të zeza brenda fushës së kuqe. Kornizat e qilimit janë të bardha, edhe ato sipas traditës sonë.” “Keni ende kërkesa për qilima nga turistët e huaj, që vijnë dhe vizitojnë Krujën  Mejte?” - e pyet Besa.

“Edhe kemi, përgjigjet Mejtja. Por këto kërkesa janë spontane. Qyshse është mbyllur ndërmarja e qilimave, shteti ka hequr dorë nga sigurimi I tregut për qilima dhe sixhade dhe tani punojmë në dy firma private. Dhe qilimat tanë kanë nevojë për njohje nga të huajt, që vizitojnë Muzeun. Mungojnë pra revistat dhe fletëpalosjet. Këtu, tek unë, vazhdojnë të vijnë dhe bëjnë porosi të huaj, që mbajnë në duar adresën tonë, të cilën ua kanë dhënë vizitorët e hershëm.

Vijnë me rekomandime pra. Nuk ka ende një promovim të organizuar të tregut të qilimave dhe sixhadeve…” Pas bisedës, ne pijmë një çaj mali me zonjën e shtëpisë dhe vazhdojmë udhëtimin drejt rrugicave të tjera të lagjes Kala.

Rrugica, ku është luajtur filmi “Skënderbeu”  
Ka ardhur meësdita. Dhejtra fëemijë të vegjël, që kanë mbaruar ditën e shkollës, vërshojnë mbi kalldrëmet e rrugicës. Mjaft prej tyre lëvizin krahët në ajër, duke imituar lëvizjen e trimave të Skënderbeut me shpata në duar. Dëgjohen imitime zërash të personazheve të filmit. “Gjin, e ke mbi kokë turkun… bjeri Gjin…” ose “Gjon, shko tek muri dhe rrëzoja shkallët turqve… forca Gjon…” Ne qeshim.

“Ah, tamam këtu, në këtë rrugicë, është luajtur një pjesë e filmit dhe fëmijët tanë duan t’I ngjajnë të gjithë Skënderbeut. Dhe Gjinit. Ja, pikërisht në këtë vilë me portë të madhe dhe me mure të lartë… Veçse, vini re… Vila është braktisur. Aty nuk jeton më asnjeri. Të zotët e saj, krutanë të hershëm, pas viteve ’90 kanë emigruar në Amerikë dhe shtëpia ka mbetur e braktisur. Aq sa, dalngadalë, po rrënohet nga viti në vit, për shkak të motit të egër që bën në dimër. Po thyhen tjegullat, po kalben dritaret dhe dyert e shtëpisë; po nxihen trarët e çardakëve. Dikur aty kanë jetuar mbi 4 familje. Sot… heshtje e madhe.

Në këto kushte, unë mendoj se shteti, Ministria e Kulturës dhe drejtorias e Trashëgimisë Kulturore, duhet të flasin me të zotët e shtëpisë dhe të bien dakord ta kthejnë në muze këtë vilë, duke investuar për rikonstruksionin e saj. Ndërsa ballpërballë kësaj vile të madhe, ja ku jemi në shtëpinë e familjes Pikli. Edhe kjo një familje shumë e njohur në Krujë, për traditat e saj patriotike dhe mikpritjen. Ja, shikoni. Mjeshtri duarartë I punimeve në dru, Nazmiu, u bë ditë që po punon për restaurimin e portës së madhe, me qemer guri të bardhë. Shikoni sa bukur…” Bedsa ka të drejtë. Kjo shtëpi u ngjan shtëpive të ëndrrave.

Besim Pikli, një burrë tipik krutan, na fton të hyjmë brenda në oborrin e vilës. Hyjmë dhe, pasi I urojmë për gjithçka të bukur shohim aty, pijmë nga një limonatë me lëng trëndafili dhe vazhdojmë të ecim në rrugica të tjera të lagjes Kala. Deri sa vijmë në tek sheshi I madh para Muzeut. Aty ku vila më e bukur, e shëndrruar në Muze etnografik, na kujton familjen e madhe të Toptanëve, thotë Besa. “Cilat janë disa prej familjeve më të mëdha krutane?” - e pyes.

“Toptanët, familja e fisit Kupi, Ramat, Shetat, Dollmat…Një prej përfaqsuesve të fisit Dollma, Bakiu, ka shkruar për Krujën disa libra historikë, që shërbejnë edhe si guida për turistët e huaj, që vizitojnë Krujën. Ndërsa me këtë rast, shton Besa, unë po ju njoh edhe me emrat e lagjeve më të mëdha në Krujë: lagjia Varosh, lagjia Zaharia, lagjia Abaze dhe Kasme… Kruja është një perlë e vërtetë në historinë e Shqipërisë.

Dhe unë jam krenare, që jam pjesë e saj…”Një grup I madh turistësh nga Kosova, kanë ndaluar pranë pazarit të vogël brenda oborrit të kalasë. Marrin në duar sende dhe objekte të ndryshme, blejnë disa prej tyre. Burrat vendosin mbi koka qeleshe të bardha ndërsa gratë varin ndën krahë çanta të leshta dhe të qëndisura bukur. “ Gjysh, nuk ngjaj si Skënderbeu?” - thotë një djalosh I vogël reth të 12-tave, që ka vendosur në kokë një përkrenare si ajo e heroit tonë kombëtar. Ai afrohet tek dy prindërit dhe, ashtu siç janë, në grup, bëjnë sellfie me një kamera të vogël…Nuk ka kujtim më të bukur, se ky në Krujë…  
kruja




























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 - See more at: http://shqiptarja.com/kulture/2730/reportazh--kruja-historia-dhe-jeta--283727.html#sthash.IpayuOXj.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate