06 aprile 2015

Magjia e Thethit mbetet e paarritshme gjatë dimrit

Banorët e Thethit shpresojnë që ta zgjasin sezonin e tyre turistik gjatë muajve të dimrit, por për momentin, rruga mbetet e bllokuar deri vonë në prill dhe e vetmja mënyrë për të mbërritur në këtë fshat është vetëm me këmbë.

Autor: Elvis Nabolli  BIRN  Theth 6 prill 2015
Printo
Qafa e Thores, fotografuar më 6 prill 2015, gjendet në lartësinë 1700 metra mbi nivelin e detit lidh luginën e Bogës me Thethin dhe mbulohet nga dëbora shpesh deri vonë në maj. Foto: Elvis Nabolli
Qafa e Thores, fotografuar më 6 prill 2015, gjendet në lartësinë 1700 metra mbi nivelin e detit lidh luginën e Bogës me Thethin dhe mbulohet nga dëbora shpesh deri vonë në maj. Foto: Elvis Nabolli
Gjatë muajve të verës, fshati malor i Thethit, i cili është bërë një nga atraksionet turistike më të rëndësishme në Shqipëri, arrihet me vështirësi përgjatë një rruge të lënë pas dore ku kanalet janë rrëzuar dhe furgonët e lartë lëngojnë duke ecur me 7 apo 10 kilometra në orë. Por gjatë të gjithë muajve të dimrit, për shkak të dëborës që nuk pastrohet kurrë, i vetmi mjet i disponueshëm për të shkuar atje është ecja më këmbë.
“Gjynah, mjafton me nxjerrë një traktor në rrugë dhe kishim mujt me shku deri në Qaf- Thore, e prej aty ishim ulë në këmbë”, thotë Sadik Pushimaj, shofer me eksperiencë në këtë rrugë, pasi vëren se kësaj here është e pamundur për të vajtur në Theth me makinë.
Ndërsa banorët e Thethit i kanë parë hajrin turizmit dhe po shpresojnë që të zgjasin sezonin duke kaluar te turizmi dimëror, mungesa e pastrimit të rrugës si dhe fakti që ajo mbetet e paasfaltuar vijon t’i mbajë turistët larg për më shumë se gjysmën e vitit.
Të 80 kilometrat nga Shkodra deri në Theth fillojnë me një rrugë normale deri në fshatin Dedaj. Pastaj, pak kilometrat që ndajnë Dedajn me Bogën janë të dëmtuara rëndë nga përmbytjet e vitit 2010 dhe të pariparuara që nga ajo kohë. Pushimaj thotë se pavarësisht se po udhëtojmë me furiostadë, do të duhet të mbërrijmë në Bogë për të parë nëse realisht mund të shkohet në Theth me makinë apo duhet të kthehemi pas.
Rruga e Thethit e mbuluar nga dëbora dhe praktikisht e pakalueshme me makinë e fotografuar më 6 prill 2015. Foto: Elvis Nabolli
Rruga e Thethit e mbuluar nga dëbora dhe praktikisht e pakalueshme me makinë e fotografuar më 6 prill 2015. Foto: Elvis Nabolli
Sipas tij  rruga është përmirësuar gjatë viteve të fundit, mirëpo është fatkeqësi që mungesa e pak kilometrave asfalt, e mban të izoluar zonën gjatë gjithë periudhës së dimrit.
Sapo i afrohemi Leqeve dëbora nis e duket, ndërsa fuoristrada i ngjitet malit dhe trashësia e dëborës rritet. Pak kilometrash në dalje të Bogës Sadiku dorëzohet, pasi e ka të pamundur megjithë eksperiencën e tij ta çajë më tej.
Që nga pjesa e sipërme e fshatit Bogë e deri në Theth rruga duhet të bëhet në këmbë. Pasi Sadiku ka mbyllur makinën i përvishemi malores. Janë rreth 30 kilometra rrugë automobilistike që përfshijnë një ngjitje deri në 1700 metra mbi det dhe zbritje deri në 900 metra, një rrugë e vështirë për t’u bërë në verë dhe akoma më e vështirë në dimër. Megjithatë, për vendësit që njohin shtigjet e këmbësorëve, këto 30 kilometra shkurtohen në dy apo tri orë rrugë.
“Jemi në prag të verës dhe sot jemi të bllokuar nga bora. Është e pafalshme një situatë e tillë,” thotë Sadiku.
“Turistët po kthehen mbrapsht se gjejnë rrugën e mbyllur. Energjia ka probleme dhe turizmi në këtë mënyrë nuk mund të funksionojë. Flitet për turizëm, por vetëm turizëm nuk ka,” shton ai.
Lodhja nis të bëj të vetën gjatë rrugës për në Theth pas disa kilometrash në të tatëpjetë të malit, të cilat bëhen më të vështira për shkak të trashësisë së dëborës, papara se të shfaqet një kryq i cili tregon se jemi në “Qafë Thore”.
“Edhe në këmbë është e rrezikshme, pasi dëbora është mbi një metër dhe mund të biesh në greminë në qoftë se nuk e njeh si rrugë,” paralajmëron Sadiku.
Ka kaluar gati një orë rrugë më këmbë dhe dëbora e lehtë, e shoqëruar me të ftohtin të mpin fytyrën.
Megjithatë ngjitja na ka nxehur muskujt e duke biseduar me njëri- tjetrin i jemi afruar afër ish-kampit të pushimit në Theth.  Aty pranë takojmë kryeplakun e këtij fshati, Gjon Dedën, i cili edhe pse qëndron me muaj i izoluar gjatë dimrit, nuk e braktis fshatin e tij të lindjes.
Teksa na drejton paketën e cigares, Gjoni evidenton faktin se jeta është bërë e vështirë në Theth.
“Llogarite shtatë muaj i bllokuem nga bora, imagjino me t’u smur kush e vetmja mënyrë për me e shpëtu është mundësia e transportit nëpërmjet ajrit,” Deda thotë.
Në bisedë e sipër mbërrin edhe një tjetër banor i Thethit, Pavlin Polia, i cili kur prezantohet nuk harron të shtojë se është banorë i përjetshëm i fshatit.
“Bllokimi i rrugës është një ndër problemet kryesore për sa i përket zhvillimit te gjithë kësaj zone sepse paralizon turizmin edhe si dihet tashmë të ardhurat janë vetëm nga turizmi,” Polia thotë.
Duke kujtuar operacionin antikanabis gjatë verës së 2014- ës, Polia shfajëson bashkëfshatarët e tij duke e argumentuar se banorët ‘kur nuk kanë me çfarë të merren shtyhen në aktivitete të jashtëligjshme.’
“Jam shume dakord që nuk duhet, por po ta shohësh nga ana tjetër edhe fukarallëkun e kësaj zone, lind pyetja me çfarë do jetojnë këta njerëz kur nuk ka rrugë e as shërbimin minimal te shtetit,” Polia pyet.
Rruga e Thethit e mbuluar nga dëbora dhe praktikisht e pakalueshme me makinë e fotografuar më 6 prill 2015. Foto: Elvis Nabolli
Rruga e Thethit e mbuluar nga dëbora dhe praktikisht e pakalueshme me makinë e fotografuar më 6 prill 2015. Foto: Elvis Nabolli
Sipas Polisë dhe Dedës këto biseda janë të njëjta sa herë që në fshatin e tyre mësyjnë gazetarët, te cilët janë te pakët gjate dimrit e të shumtë gjatë stinës së verës.
“Shpresojmë që të lirohet nga bora rruga se ka nga nëntori që është bllokuar,” thotë Polia i cili përmend edhe sms-të që i kanë dërguar përpara pak ditësh kryeministrit Rama.
“Unë personalisht i kam dërguar sms kryeministrit ditën qe ishte n’Shkodër për këtë punë sepse rruga që na lidh me Shkodrën vetëm rrugë nuk është,” Polia thotë. “Nga Shoshi e Kiri duhen gjatë orë për të mbërritur në Theth edhe a mrrin apo jo, pasi në këtë aks kanë vdekë mbi 80 veta ne 35 vite,” shton ai.
Pavlini dhe Gjoni shpresojnë që reforma e re administrative do sjellë dhe vëmendjen e drejtuesve të ri vendor për të investuar në zonën e Thethit.
Thethi do të jetë pjesë e Bashkisë Shkodër, e cila do të shtrihet nga Alpet e Shqipërisë deri në bregun e Adriatikut në Velipojë.
“Bashkia e re  ka një largësi t’madhe me fshatin e Thethit  por shpresojmë tek drejtusat e ri se do të japin kontributë për këtë  zonë të mbetur pas dore,” thotë Gjoni.
Pavlini bie dakord, duke shtuar se përmirësimi i infrastrukturës rrugore është shumë i rëndësishëm për zonën.
“Duke llogaritur se bukurin ja ka dhanë Perëndia dhe frekuentohet nga gjitha shtetet e botës, me pak përkushtim Thethi mund te zhvillohet  por kryesorja mbetet rruga,” Polia thotë.
“Unë personalisht jam optimist edhe e shoh asnjë të ardhme më të mirë për këtë zonë e cila ka një potencial të madh të turizmit që do të gjenerojë të ardhura edhe për bashkinë e re,” shton ai.
Qendra e fshatit Theth përgjatë lumit Shalë e mbuluar nga dëbora dhe me re që fshehin malet përreth, fotografuar më 6 prill 2015. Foto: Elvis Nabolli
Qendra e fshatit Theth përgjatë lumit Shalë e mbuluar nga dëbora dhe me re që fshehin malet përreth, fotografuar më 6 prill 2015. Foto: Elvis Nabolli
Kisha në qendër të fshatit Theth, fotografuar më 6 prill 2015. Aktualisht vizita në këtë fshat është thuajse e pamundur nga rruga e mbuluar nga dëbora. Foto: Elvis Nabolli
Kisha në qendër të fshatit Theth, fotografuar më 6 prill 2015. Aktualisht vizita në këtë fshat është thuajse e pamundur nga rruga e mbuluar nga dëbora. Foto: Elvis Nabolli

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate