03 aprile 2015

Krijohet Inspektorati Shtetëror i Turizmit, qeveria gati projektligjin

03 Prill 2015 - 09:50
Qeveria i pzopozon Kuvendit miratimin e një projektligji, që lejon krijimin e një strukture të re të kontrollit shtetëror: Inspektoratit Shtetëror të Turizmit. Kjo klauzolë bën pjesë në ligjin e ri për turizmin, që zëvendëson atë, të miratuar në vitin 2007.

Ai synon vendosjen e Shqipërisë si një destinacion të preferuar në ofertën mesdhetare të tregjeve ndërkombëtare të turizmit; krijimin e një modeli turizmi vjetor të integruar, aktiv dhe social; zhvillimin e turizimit, që do të jetë pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm, me potencial të madh rritjeje, që gjeneron zhvillim ekonomik dhe garanton punësim, si dhe formalizimin dhe standardizimin e industrisë së turizmit e, veçanërisht, atij akomodues, etj.

Ministria përgjegjëse për turizmin, nga fondi buxhetor i miratuar çdo vit, sipas këtij p/ligji, do të financojë projekte edukimi, promovimi dhe studime apo modele produktesh turistike në ndihmë të zhvillimit të turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas e të huaj. Ky fond nuk do t’i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik. Për të ndihmuar sektorin privat të turizmit, qeveria parashikon që pasuritë e paluajtshme, në pronësi të shtetit apo të njësive të qeverisjes vendore, që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, me vendim të Këshillit të Ministrave, brenda 2 muajve nga miratimi i një zone si zonë turistike, kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për turizmin.

Dhe Këshilli i Ministrave, rast pas rasti, miraton me vendim të veçantë transferimin, në favor të shtetit, edhe të pasurive të paluajtshme në pronësi të njësive të pushtetit vendor. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin, miraton vënien në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore për projekte investuese në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit.

Kohëzgjatja e vënies në dispozicion do të jetë deri në 99 vjet. Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore mund të bëhet edhe nëpërmjet kontratës simbolike 1 euro. P/ ligji parashikon edhe standarde për klasifikimin e subjekteve turistike.

Shkrimi u botua ne gazeten print Shqiptarja.com

Redaksia Online
(f.i/Shqiptarja.com)
 - See more at: http://shqiptarja.com/aktualitet/2731/krijohet-inspektorati-shteteror-i-turizmit-qeveria-gati-projektligjin-283068.html#sthash.Q13LdXx8.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate