TIRANË, 3 Gusht /ATSH-N.Lena/.- Një nga perlat e natyrës shqiptare, tepër e lakmuar prej vizitorëve që rendin nëpër Shqipëri është edhe “Syri i Kaltër”. Por, mund të udhëtosh rehat prej Gjirokastrës apo Sarandës drejt tij dhe “merohesh” siç thonë gjirokastritët për dy kilometra rrugë. Kthesa nga rruga nacionale deri te burimi është një torturë e vërtetë.
Rruga është e paasfaltuar dhe me gropa. Janë bërë shumë promovime për këtë perlë të natyrës shqiptare si një destinacion turistik, por akoma nuk është menduar për 2 kilometra rrugë të paasfaltuar. Është një destinacion që vizitohet shumë edhe nga të huajt, por shërbimi në këtë pikë turistike lë për të dëshiruar. Edhe shërbimi ambulant apo i përhershëm atje duhet menaxhuar më mirë. Të kujdesemi që këtë sy të kaltër ta kthejmë në një sy që shikon drejt një turizmi modern.
Syri i Kaltër ndodhet pranë rrugës midis Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një luginë shumë piktoreske ku nga një burim i kaltër del një ujë i kristaltë. Nga thellësia e burimit uji merr ngjyrën e kaltër nën rrezet e diellit dhe hijes së pemëve. Eshtë burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Gjerë.
Syri i Kaltër është shpallur monument natyre. Forma e tij është ovale e ngjashme me formën e një syri, shpërthen nga toka i errët në mes dhe i kaltër anash. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 m thellësi. Ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 m nën nivelin e luginës së Drinos dhe është shkarkim kryesor i malit të Gjerë. Është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.
Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra. Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltër e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët.
Bukuria e kërkuar nga shumë vizitorë, gjendet pikërisht aty buzë rrugës nacionale Sarandë-Delvinë-Gjirokastër. Nëse udhëtimi ndjek të kundërtën e rrjedhës së Bistricës, arrin në burimin e Syrit të Kaltër, aty ku gjelbërimi shkrihet në ujërat që rrjedhin.
Një tabelë udhëzuese të drejton për nga Syri i Kaltër. Një ndalesë e vogël për të hyrë në parkun që administrohet nga ndërrmarrja pyjore Delvinë, në një rrugë gjarpëruese, paralel me basenin e madh të burimit. Gjithë uji i ëmbël i burimit rrethohet nga një bimësi e shumëllojshme. Kënga e zogjve, aromat e gjelbërimit dhe fëshfërima e rrepeve mbetet grishëse. Këtu vizitorët e huaj ndalen, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike.
Ka një legjendë për këtë mrekulli natyrore. Në vitet e ndërtimit të puseve të naftës, një inxhiner e përafroi me sytë e të dashurës ngjyrën e ndryshueshme të burimit, e kështu historia e një dashurie u bë refreni i një pastërtie ujërash dhe kthjelltësie marramendëse.
Sipas legjendës, në ato zona sundonte një dragua që rrëmbente vajzat, ndalte ujin dhe ua kishte bërë tejet të vështirë jetën banorëve. Derisa më në fund e vranë dhe, kur e vranë, nga syri i dragoit buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë teposhtë në formën e lumit të Bistricës duke ushqyer atypari një bimësi të rrallë për nga dendësia e forca dhe duke dhënë më tej dritën që ndriçon qytetet dhe fshatrat e jugut.
Një dragua që ndal ujin dhe rrëmben vajzat është i urryer, kurse fakti që syri i këtij dragoi të vrarë shndërrohet në burim jete sikur të çorienton emocionalisht, duke shkrirë në një të vetme të mirën dhe të keqen. Megjithatë, kuptimi i kësaj legjende, si i shumë të tjerave të ngjashme me dragua, është i qartë. Ajo simbolizon përpjekjen e njeriut për të mposhtur të keqen, apo forcat e natyrës dhe për t’i hapur rrugën jetës; por edhe varësinë e tij prej natyrës. “Ne nisi parendo vincitor” (nuk mund ta nënshtrosh veçse duke iu nënshtruar) thotë Bekoni për natyrën.
Syri i Kaltër me gjithçka përreth tij është tamam një tempull natyror që i kushtohet misterit të jetës, luftës së njeriut për të mbijetuar në natyrë dhe njëherësh pandashmërinë e tij prej saj. Një tempull ku në vend të kolonave prej guri, rreth altarit (syrit), ngrihen rrepet e lartë qindravjeçare që e marrin fuqinë nga uji. Gjithçka aty përreth të imponohet me forcën e asaj që shpesh e quajmë “e shenjta” e cila herë shfaqet me nuanca magjike, herë me misterin dhe frikën që të ngjall, herë me respektin dhe madhështinë, por gjithmonë me forcën për t’i qëndruar pranë.
Veç natyrës së bukur është edhe mikëpritja e vendasve, gastronomia karakteristike e krahinës, qetësia e natyrës që e detyrojnë vizitorin të ndalet e të kërkoj paqe për disa orë në këtë parajsë natyrore.
Dhe në gjithë këtë mrekulli të natyrës, mungon një rrugë 2 km. e asfaltuar dhe komode për të mbërritur atje./m.m/
http://www.ata.gov.al/syri-i-kalter-nje-perle-e-turizmit-shqiptar-dhe-nje-rruge-e-keqe-qe-te-con-drejt-tij/
Nessun commento:
Posta un commento