26 agosto 2016

Mozaiku i termës romake dhe i Baptiserit në Butrint, të hapur deri në 1 shtator 2016

butrint1TIRANË, 23 Gusht/ATSH/.- Mozaiku i dyshemesë së dhomës së veshjes të termës romake pranë Teatrit dhe gjysma e mozaikut të Baptisterit të Butrintit do të qëndrojnë hapur për vizitorët deri në 1 shtator 2016.
Gjatë viteve të fundit, ky mozaik është lënë i ekspozuar në muajt korrik dhe gusht dhe më pas mbulohet për t’u mbrojtur nga uji. Hapja e mozaikëve nuk është e rëndësishme vetëm për t’i ekspozuar për vizitorët, por mbi të gjitha për të parë nivelin e ruajtjes së tyre dhe për të realizuar mirëmbajtjen.
Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Kulturës, gjatë muajit korrik Parku Kombëtar i Butrintit ka pasur një fluks vizitorësh vendas e të huaj, duke e çuar në 28 mijë numrin e tyre.
Baptisteri u ndërtua në çerekun e dytë të shek. 6 pas er. së re dhe mund të ketë qenë punë e artizanëve lokale, të cilët janë bazuar te Nikopoli aty pranë. Ai u zbulua më 1928 nga Misioni Arkeologjik italian. Është baptisteri i dytë më i madh në Perandorinë Romake, kurse më i madhi ndodhet në Aja Sofia, Stamboll. Të gjitha aspektet e arkitekturës dhe të dekorimit (si dyshemeja me mozaik) e baptisterit është simbolikë e ritit të pagëzimit, me burimin në anën e tij të largët që përfaqëson burimin e jetës së përjetshme.
Mozaiku i jashtëzakonshëm shumëngjyrësh i dyshemesë së Baptisterit të Butrintit, është një nga mozaikët më të kompletuar dhe më kompleks të të gjithë baptisterëve të asaj periudhe. Dizajni i përgjithshëm i dyshemesë konsiston në shtatë unaza, të cilat rrethojnë vendin e pagëzimit që ndodhet në qendër, duke e rritur numrin në tetë – numri kristian për shpëtim dhe përjetësi.
Vëmendja e vizitorëve që kalojnë pragun e hyrjes kryesore, tërhiqet nga dy pallonj në një hardhi që rritet në një vazo të madhe. Pallonjtë simbolizojnë parajsën dhe pavdekshmërinë; vazoja dhe rrushi, Eukarsinë dhe gjakun e Krishtit. Në periudhën mesjetare ndërtesa u modifikua me diga guri dhe një apsidë gjysëm-rrethore; një dysheme me pllaka guri u vendos mbi mozaik. Në vende të tjera në qytet deri më tani janë gjetur tetë kisha, më domethënësja është e vendosur në fushë përballë kanalit të Vivarit./k.s//m.m/
https://www.ata.gov.al/mozaiku-i-termes-romake-dhe-i-baptiserit-ne-butrint-te-hapur-deri-ne-1-shtator/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate