TIRANE, 8 Gusht/ATSH/ -Për dekada me radhë Shqipëria shmangej nga turistët, ndërsa sot shihet gjithmonë e më shumë si një destinacion për t’u marrë në konsideratë, shkruan travelnews.ch, e cila i kushton një artikull të gjatë zhvillimit të turizmit në Shqipëri.
Më poshtë vijon artikulli i plotë nga travelnews.ch:
Shqipëria ka vetëm dy dekada që është hapur për vizitorët e huaj, dhe në përpjekje për të rimarrë veten ndërsa kaloi sa nga komunizmi në kapitalizëm, nga kolapsi ekonomik, shpërbërja e institucioneve shtetërore dhe trazira serioze sociale. Për më shumë se 40 vjet ajo ka qenë një shtet autoritar, mbuluar me fshehtësi. Megjithatë, në vitet e fundit, qeveria është përqendruar me vendosmëri në uljen e korrupsionit, zbatimin e sundimit të ligjit dhe tërheqjen e investimeve.
Infrastruktura po përmirësohet shpejt, sidomos pas hapjes së aeroportit të ri ndërkombëtar “Nënë Tereza” në vitin 2008 dhe lidhja e Kosovës dhe e jugut të vendit me Tiranën.
Një udhëtim nga Tirana në Sarandë, për shembull, tani është përgjysmuar. Banka Botërore ka ofruar deri tani 2.4 miliardë dollarë amerikanë kredi dhe grante. FMN dhe investitorët privatë gjithashtu po investojnë para në vend.
Raporti “Doing Business” i Bankës Botërore 2015 vlerësonte se Shqipëria u ngjit me 40 vende nga vendi i 108-te në të 68-in (nga 189 vende), nisur nga faktorë të tillë si regjistrimi i pronës.
Në 2013 investimet e huaja direkte ishin ne masën 1.22 miliardë dollarë , një rritje prej 44% krahasuar me një vit më parë. Në qershor të vitit 2014 Shqipëria u bë kandidate zyrtare për t’u anëtarësuar në BE, ndërkohë që një vit më parë ish-kryeministri britanik, Tony Blair u angazhua të ndihmonte për t’i hapur rrugën anëtarësimit në BE. Prurjet e turistëve janë më shumë se trefishuar në vitet e fundit, nga 1,062,000 në vitin 2007 në 3,341,000 në vitin 2014, sipas Bankës Botërore.
Numri i turistëve zviceranë që vizitojnë Shqipërinë është rritur edhe më shpejt: në vitin 2005 kishte vetëm 6150 vizitorë zvicerane, dhe në vitin 2012 42,546. Kufizuar nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Greqia, Shqipëria ka shumë për të ofruar nga pikëpamja e turizmit.
Ajo ka 362 km bregdet mahnitës të paprekur përgjatë Detit Adriatik dhe Jon, një terren të përsosur të thyer malor në brendësi të saj për ecje dhe sporte të aventurës dhe fshatra pothuajse të paprekura. Ajo ka peizazhe të mbushura me antika greke, romake dhe bizantine, përfshi edhe tre qendra të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s: rrënojat në Butrintit dhe qytetet osmane të Gjirokastrës dhe Beratit.
Ajo ka më shumë se 190 ditë me diell çdo vit – të njëjtën klimë si në San Trope. Kostoja e jetesës është shumë e ulët. Ja një shembull i faktit sa lire janë gjërat: “Unë pagova 6 franga zvicerane për një verë Chateaubriand në një restorant në Tiranë, një pizza Margarita ose një pjatë makarona do t’ju kushtojë rreth 2.5 franga zvicerane dhe një birrë diçka tek 1.5 franga. Biletat e operës nisin tek rreth 3 franga.
Një kryqëzim ekzotik mes Evropës Perëndimore dhe Rusisë së vjetër
Kryeqyteti i saj, Tirana, është një kryqëzim ekzotik mes Evropës Perëndimore dhe Rusisë së vjetër me disa nuance të Lindjes së Mesme aty-këtu. Atmosfera e një qyteti të përgjumur rajonal, më tepër se e një qyteti të gjallë dhe të tejmbushur po zhduket gjithmonë e më shumë, ndërsa qendra po bëhet gjithmonë e më tërheqëse, me rreshtat e palmave përgjatë bulevardeve të sapo shtruara.
Në vitet e fundit janë ndërmarrë projekte të shumta zhvillimi, sheshi kryesor i Tiranës është modernizuar dhe rikonceptuar dhe nëse merrni ashensorin për t’u ngjitur në barin në majë të “Sky Tower” në kryeqytet, pamja panoramike e qytetit me ndërtesat e saj të ulëta dhe malet përtej tyre, do të vëreni një metropol të gëzueshëm me ndërtesat e lyera rishtaz me bojëra rozë, blu, kafe të verdha e të kuqe.
Kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama (që nga viti 2013, Kryeministri i Shqipërisë) bëri që ndërtesat e vjetra gri e të shëmtuara të regjimit komunist të zbukuroheshin nga ngjyrat, dhe Bashkia pagoi që shumë ndërtesa të vjetra të lyheshin. Zhvillimet me pasuritë e paluajtshme janë të dukshme përgjatë bregdetit, ku një nga më të rëndësishme është ajo e Gjirit të Lalzit (www.lalzitbay.com), vetëm 45 km nga kryeqyteti.
Resorti bregdetar me ndërtesa të ulëta i financuar nga britanikët, dhe projektuar nga australianët me densitet të ulët, përbërë nga vila, apartamente dhe një hotel, shtrihet në 20 hektarë tokë të virgjër ngjitur me Bishtaraken, një rezervat natyror i mbrojtur prej 200 hektarësh. Fusha tenisi, një klub plazhi, pishinë dhe spa janë ndër objektet e planifikuara të fshatit turistik. Edhe pse Shqipëria dëshiron të zhvillojë turizmin bregdetar, ajo nuk aspiron turizmin masiv, duke ecur në të njëjtën rrugë si për shembull, Spanja apo Greqia.
Me një vëmendje shumë të madhe ndaj vlerave mjedisore, do të fokusohet më shumë në turet kulturore, agroturizmin, ecjet dhe turizmin malor.
Turet për soditjen e zogjve dhe kafshëve të egra në lagunat e saj të Detit Adriatik kanë marrë kohët e fundit vëmendjen ndërkombëtare turistike, pasi qeveria ndaloi gjuetinë në këtë zonë.
Parku kombëtar i Divjakës strehon më shumë se 242 e 330 specie shpendësh vendase, përfshi edhe pelikanin e rrallë dalmat, shpendin më të madh në Evropë, tufa të mëdha lejlekësh të bardhë, flamingo e shumë të tjera. Edhe pse Shqipëria po transformohet me një ritëm të shpejtë, ka sërish një rrugë të gjatë për të përshkuar.
Pavarësisht nga numri i vizitorëve në rritje, ajo ende nuk është veçanërisht e njohur apo të jetë kthyer në një destinacion të njohur turistik. Shqipëria mund të ketë potencial, por ka gjithashtu një reputacion të keq të së shkuarës që duhet ta zhdukë, që lidhet me korrupsionin dhe kriminalitetin. Dhe sa për turizmin e huaj dhe industrinë hoteliere shqiptare, që janë degë relativisht të reja të ekonomisë, vendi ende nuk ka përvojë të konsiderueshme. Ajo ende ka rrugë të gjatë për të bërë, përpara se kalimi i pushimeve në Shqipëri të bëhet diçka po aq e zakonshme sa në shumicën e vendeve të tjera evropiane. /m.k/ /a.g/ http://www.ata.gov.al/shqiperia-destinacioni-turistik-i-shumepritur-i-radhes/
Nessun commento:
Posta un commento