TIRANË, 10 Gusht/ATSH/.- Dasma tradicionale mirditore ka tërhequr vëmendjen e dhjetëra turistëve të huaj që kanë vizituar këtë krahinë.
Inskenimi i një dasme me të gjitha elementet tradicionalë bëri që turistët të mos impresionohen vetëm nga bukuritë e Mirditës, por edhe nga tradita e kultura shekullore.
Nëpërmjet këtij aktiviteti të organizuar nga Bashkia Mirditë, jo vetëm që u shpalosën vlerat kulturore tradicionale të kësaj zone, por shërbeu gjithashtu edhe si një mënyrë për të promovuar turizmin.
Aktiviteti u organizua ne një nga kullat më të vjetra të Mirditës, ndërsa të pranishëm ishin me dhjetra turistë të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Në oborrin e kullës u ekspozuan produktet e zonës, që nga zejet e veshjeve dhe veglave muzikore, bimët medicianale si dhe gastronomia e zonës.
Po ashtu u zhvillua me kujdes i gjithë riti i hershëm i dasmës së kësaj krahine, që nga marrja e nuses shoqëruar me këngët dhe vallet e traditës, e deri te kulinaria vendase e shërbyer në natyrë.
Kryetari i bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj u shpreh se pushteti vendor po bën gjithçka për zhvillimin e turizmit në këtë zonë. “Deri më sot turizmi në Mirditë ka qenë turizëm spontan, por bashkia Mirditë ka një natyrë të mrekullueshme, ka banorë shumë mikpritës, ndaj ka ardhur momenti që turizmi i Mirditës të kaloj nga turizmi spontan në një turizëm të organizuar. Ne po bëjmë sa mundemi për të përmirësuar infrastrukturën, ndërkohë që mbetet shumë për të bërë për të shënuar shtigjet turistike”, tha ai. /m.m/
http://www.ata.gov.al/dasma-tradicionale-pjese-e-promovimit-te-paketes-turistike-ne-mirdite/
Nessun commento:
Posta un commento