
Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin.
Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse: të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut. Ky kep nuk ofron vetëm det dhe rërë të pastër, por edhe një “muze të vogël” të historisë tone.
Aty ka një kala që quhet Kalaja e Rodonit, qe u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit.
Pas vdekjes së Skënderbeut, kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, qe në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, beri punime për rindërtimin e saj.

Qëllimi I ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, qe kontrollohej nga Venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim.
Vite më vonë, pasi u pushtua prej turqve, kalaja e Rodonit nuk u shfrytëzua më për qëllime ushtarake. Për t’u mbrojtur ajo kërkonte punime plotësuese, por ishte edhe pre e lehtë për t’u goditur nga artileria e anijeve të luftës. Kështu, ajo u braktis për t’u quajtur një relike e kohës së shkuar, u la jashtë kujdesit për t’u shndërruar në rrënojë.
Pranë kështjellës së Kepit të Rodonit ndodheshin edhe katër manastire katolike, qe kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qënë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout.

Me disa financime gjermane, para disa kohesh u restaurua kisha e Shën Ndout, ku sipas legjendës, këtu ka kaluar një pjesë të kohës së saj motra e Skënderbeut, Mamica.
Drejt këtij vendi pushimi, çdo ditë nisen turiste dhe vizitor, te cilet jo vetëm bëjnë plazh në detin e pastër, por edhe për të mësuar më shumë rreth historisë së këtij vendi. /a.ke/http://www.ata.gov.al/kepi-i-rodonit-jo-vetem-destinacion-per-turistet-e-detit-por-edhe-per-ata-te-historise/
Nessun commento:
Posta un commento