01 dicembre 2013

Një hartë e rëndësishme e Shqipërisë së epërme e vitit 1689,domosdoshmëri për të gjithë ata që kanë në projektet e tyre udhëtime të karakterit turistik, për pelegrinazh, aktivitet misionar, vizita etj



harta

 

Nga KASTRIOT MARKU  01 Dhjetor 2013 - 06:50
Hartat janë një domosdoshmëri për të gjithë ata që kanë në projektet e tyre udhëtime të karakterit turistik, për pelegrinazh, aktivitet misionar, vizita etj. Në kushtet e sotme teknologjia ka bërë të mundur një lehtësim të skajshëm për këtë. Mjafton të gjesh një guidë, jo vetëm fizike në trajtë libri në libraritë e shumta, por edhe online gjen harta të ndryshme, të dhëna rreth tyre, madje edhe në makinë mund të instalosh GPS apo edhe në telefonin celular dhe orinetimi bëhët fare i thjeshtë. Po jo gjithherë ka qenë kështu.

Që në kohët antike njeriu është munduar të skicojë orientimin e tij në viset territoriale të ndryshme ku do të shkonte. Në mënyrë të veçantë kjo mënyrë orientimi mori rëndësi në periudhën e mejsetës. Në hartat gjeografike apo hartat topografike të shekujve të kaluar, shenjat dhe dëshmitë e rrugëve për drejtuesit e luftërave dhe fushatave ushtarake, udhëtarët, pelegrinët, tregtarët, misionarët etj, morën rëndësi të veçantë, e për rrjedhojë edhe profesioni i hartografit vlerësohej shumë.

Hartat gjeografike paraqesin sot interes sipas kërkesave të ndryshme të përdoruesve të tyre për qëllime ekonomike, organizative dhe kulturore, aktivitetet tregtare, por edhe me nevojat e jetës shpirtërore dhe fetare, të cilat kanë prodhuar fenomenin e pelegrinazheve, aq e zakonshme në botën antike dhe në mesjetë, ku nëpër to tregoheshin intinerare për pelegrinët lidhur me monumentet e kultit dhe vende për të ndaluar, të tilla si manastiret, shenjtoret etj.
Hartografia për pjesën më të madhe të kësaj kategorie udhëtarësh ishte dhe është një mbështetje shumë e dobishme e cila synonte të siguronte një udhëtim të sigurt. Hartat topografike konsideroheshin kështu si vlerësime objektive të punës së një fotografuesi të realitetit, kushtëzuar gjithnjë nga nevojat dhe qëllimet që paraqisnin udhëtimet.

Paraqitja e hapësirës territoriale, objekteve, udhëkalimeve përmes disa simboleve të cilat i referoheshin një zgjedhje korresponduese të elementeve gjeografike reale, merrte karakter praktik mjaft dobiprurës dhe lehtësues për udhëtimet që ndërmerreshin. Simbolet ndryshme të përdorura në këto harta shërbenin për të dalluar qytete të ndryshme, të vogla apo të mëdha, vende për të ndaluar për lutje dhe adhurim etj, e që në njëfarë mënyre ishin një lloj drafti i hierarkisë urbane të epokës mesjetare.

Sigurisht që jo gjithmonë hartat e së kaluarës kanë dhënë apo japin përgjigjet e duhura, qoftë të natyrës së udhëtimit për atë kohë, dhe sot për qëllime studimore dhe krahasuese diakronike; atëherë për udhëtimet e planifikuara dhe sot për rindërtimin e elementëve historikë. Prodhimet hartografike ishin shumë të ndryshëm nga ato të sotmet, sepse me kalimin e kohës ekzemplarët e vjetër të cilët kanë ardhur deri tek ne në origjinal, janë shumë të paktë dhe shpesh rindërtimi i përparimit të teknikës hartografike dhe i përdorimi të saj mund të bëhet pothuajse ekskluzivisht nëpërmjet dëshmive të shkruara mbi këtë argument tejet interesant.

Nga shekulli XV, por sidomos që prej shekullit të XVI-XVII filluan të përhapen në një masë të konsiderueshme edhe hartat e Shqipërisë, me autorë të huaj.
Në to vihen në dukje format e peisazhit, morfologjia e territorit, paraqitja demografike duke i bërë këto harta të njohura si një ndër produktet më të kërkuara dhe më me rëndësi të shekujve që përmendëm. Këtu është rasti të flasim për një hartë të vitit 1689 dhe autorin e saj Giacomo Cantelli (1643-1695), një gjeograf dhe hartograf i mirënjohur italian, hartues i rreth 100 hartave të viseve të ndryshme të botës, ku midis të cilave një vend rëndësi paraqet edhe harta e Shqipërisë së Epërme.

Giacomo Cantelli lindi në Montorsello në afërsi të Vignola, në muajin shkurt të vitit 1643 dhe vdiq në Modena më 30 nëntor 1695. Studioi gramatikë dhe letërsi në Modena dhe Bolonja dhe në fund të studimeve (1669), u punësua si sekretar nga Markezi Obizzi i Ferrarës. Më vonë ai shkoi në Venedik, ku edhe u bë i njohur si gjeograf. Ai ndërmori një udhëtim në Paris, ndoshta si një mik i një ambasadori francez në Venecia, i cili ishte kthyer në gjykatën e Luigjit XIV. Në kryeqytetin francez ai hyri në kontakt me hartografët Guillaume Sanson (djali i Nicolas Sanson), Jacques - André  Duval dhe Michel Antoine Baudrand. Pas kthimit të tij në Bolonjë, u bë sekretar i kontit Rinieri Marescotti.

Udhëtoi gjerësisht në Itali dhe në Romë, ku edhe u takua me botuesin Giovanni Giacomo De Rossi, i cili në 1672 filloi të publikojë hartat e tij. Ndër veprat e tij të para ishin hartat e Tokës së Shenjtë, mbretërisë së Persisë dhe disa pjesë të Perandorisë Osmane. Më 3 nëntor 1680 martohet me Irenën, të bijën e kapitenit Francesco Costa së Bolonjës. Në vitet 1680-1681 u botua Atlasi Gjeografik " Mercury ", në Romë nga Giovanni Giacomo De Rossi, në të cilin u publikuan hartat e tij të Lombardisë Epërme dhe të Poshtme.

Këto vepra tregojnë një ndikim të fortë të stilit të Giovanni Antonio Magini, por gjithashtu paraqesin elemente të reja, të tilla si tregues më të saktë të kufijve territorialë. Këto dy harta janë realizuar me shkallë prej 60 milje italiane = 121 mm. Në vitin 1682 ai botoi në Romë hartat e Mbretërisë së Sicilisë dhe Kinës. Vitin tjetër ato të Tartarëve, Greqisë, ishujve Moluçhe në Filipine me ishujt Sunda, të Indisë (ndarë në dy pjesë: "anës së këndejme të Ganges" dhe "anës së përtejme të Ganges") dhe Hungarinë lindore. Në vitin 1684 ai publikoi harta të ndryshme anembanë Evropës, duke përfshirë edhe atë të Danubit, të arkidukatit të Austrisë, të Dalmacisë, Maqedonisë dhe të Peloponezit. Fama e tij si një përpilues hartash tashmë e konsoliduar, bën që ai të thirret nga Papa Innocent XI dhe nga duka i Modenës dhe Reggio-s, Francesco II d' Este , të cilët që të dy e kërkuan si hartograf zyrtar.

Ai zgjodhi gjykatën e Francis II , dhe në nëntor 1685 u emërua gjeograf i gjykatës. Nga 1686-1689 ai ka realizuar shumë harta të vendeve dhe territoreve evropiane. Ai ndërtoi me dorën e tij një hartë të botës dhe një glob qiellor, i cili mbeti i ekspozuar për disa kohë në atrium-in e Bibliotekës Estense në Modena. Në vitin 1691, Cantelli së bashku me Bernardino Ramazzini, bindi dukën për të thirrur në Modena Benedetto Baçhini-in, i cili më vonë u emërua historian i gjykatës estense. Në autobiografinë e tij, të botuar pas vdekjes në vitin 1721, Baçhini shkruan se në mars 1697 ai mbërriti të bëhej drejtor i bibliotekës estense. Në edicionin e parë të Mercurio Geografico, u botuan 19 harta e tij së bashku me të tjera të Sanson dhe Baudrand.

Në vitin 1692 doli një botim i dytë në dy vëllime që përmblidhte vetëm punët e tij titulluar: Mercurio geografico ouero guida geografica in tutte le parti del mondo conforme le tauole di Giacomo Cantelli da Vignola geografo del Sereiss. Signor Duca di Modana intagliate al bulino da Antonio Barbey. Dato in luce con direttione e cura da Domenico de Rossi erede di Gio Giacomo de Rossi nella sua stamperia. Tomo primo (-secondo). Roma: alla Pace, 1692., përmblidhte vetëm punët e kryer prej tij (88 harta, gdhendur nga gdhendësi Antonio Barbey). Një listë prej 63 hartash e Cantelli-t u përgatit nga historiani Luigi Vischi Luigi në vitin 1886. Veprat e tij të fundit (1694-1695) qenë një hartë e Spanjës dhe një tjetër e Italisë veriperëndimore. Vdiq në vitin 1695, ndoshta në Modena, në moshën 52 vjeçare.

Harta me titull: Albania Propria ouero Superiore detta anche Macedonia Oçidentale / descritta, con Disegni fatti sul Luogo da Giacomo Cantelli da Vignola, Suddito e Geografo del Sereniss. Sig. duca di Modena, e data in Luce dalle sue stampe  in Roma  da Gio. Giac. Rossi alle Pace con Priv. Del S. P. 1689, (“Shqipëria e Mirëfilltë ose e Epërme, e quajtur edhe Maqedonia Perëndimore, e kompozuar, sipas vizatimeve të bëra në vend, prej Xhakomo Kantelit  nga Vinjola, nënshtetas dhe gjeograf i të përndriturit zotit dukë të Modenës. U botua prej Xhovani Jakomo de Rosit, në shtypshkronjën e tij në Romë, pas miratimit me privilegjin e Papës së Shenjtë. 1689.” ), bën pjesë në volumin e dytë të Mercurio Geografico.

Ajo ka përmasat 53,4 x 42,7 cm. Në të majtë të hartës poshtë sikurse e përmendëm lexohet: ALBANIA / Propria overo Superiore/ detta anche /MACEDONIA OÇIDENTALE / descritta, con Disegni fatti sul luogo, / da Giacomo Cantelli da Vignola / Suddito e Geografo / dei Sereniss. Sig. duca di Modena  / e data in Luce dalle sue stampe / in Roma / da Gio. Giac. Rossi alle Pace / con Priv. Del S. P. / 1689. Në krye të hartës lart nga e djathta lexohet dedikimi për Imzot Giovanni Francesco Albani-n nga Giacomo de Rossi si vijon: “All` Ill.mo e Reu.mo Sig.re Proñe Col.mo Monsig.r Gio. Francesco Albani Secretario de Breui di N. Sig.re L`Albania, che due secoli ad dietro, pianse la partenza de suoi piu chiari figli, et Eroi che contro de` Barbari l`haueuano sin allora difesa, Ora che uien dedicata à V.S.Ill.ma si consolarã in parte, rammentandosi che tra quei famosi Guerrieri, ui furono Filippo, e Giorgio della nobil famiglia de Lazij che inuitati dalla fama del Gran Federico di Montefeltro Duca d`Vrbino cola n`andarono, e si fermarono, et iui dalla Provincia, ond`erano uenuti furono chiamati Albani, e trasmessero poi tal nuouo cognome ã gli Illustri loro Posteri tra quali e V.S.Ill.ma che tanto nel nostro Lazio risplende, ã cui mi confermo Hum.mo Deuot.mo et Oblig.mo Ser.e Gio. Jacomo de Rossi”.

Në anën e majtë të saj ka të shkruar këtë kushtim: “Të shkëlqyerit e të përndriturit zotit administrator të denjë për shumë lavdi, imzotit Gjon Françesk Albanit, sekretar i kancelarisë së Papës. Dy shekuj më parë Shqipëria qante largimin e bijve të vet më të ndritur dhe të heronjve që, deri në atë kohë e kishin mbrojtur ndaj barbarëve. Tani, që ju zot i shkëlqyer i jeni përkushtuar, ajo po lehtësohet pjesërisht, duke kujtuar se, midis atyre luftëtarëve të famshëm, kanë qenë Filipi dhe Gjergj prej familje fisnike nga Laçi. Të nxitur prej emrit të Frederikut të Madh të Montefeltros, dukës së Urbimos, ata emigruan dhe u pranuan këtu nga Krahina. Prej vendit nga kishin ardhur ata u mbiquajtën Albani. Më pas ky mbiemër i ri u trashëgua prej pasardhësve të tyre të shkëlqyer, nga të cilët është zotëria juaj i shkëlqyer që aq shumë po ndriçon në Lacion tonë. Shërbëtori juaj po ju rishpreh shumë përvuajtëri, shumë besikëri dhe shumë bindje, Xhovani Xhakomo de Rosi”.

Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë gjendet me index Albh.III.2 dhe numër inventari 527778: me ngjyra në përmasat 52 x 41 cm. Bashkë me hartën gjendet edhe një portret i papës Klementi XI [Gio. Franc. Albani (Clemente XI)], me përmasa 33 x 24 cm. - Në hartë aut.: Giacomo Cantelli da Vignola. - Po aty botuesi: Data in luce da Gio. Giacomo Rossi dalle sue stampe... dhe con Priu. del S. P. - Shkalla e zvog.: di Miglia Italiane. (baraz me 1480 metra)- Kushtim i botuesit, Giovani Giacomo de Rossi-t, për papa Klementin XI (Giovanni Francesco Albani). Kjo hartë është ribotbotuar në botimin: ALBANIA. Immagini e documenti dalla Biblioteca Nazionale Marciana e dalle collezioni del Museo Correr di Venezia., Istituto Italiano di Cultura, Tirana, Fondazione Soros, Tirana, Biblioteca Nazionale Tirana,  Biblioteca Nazionale Marciana, Venezia, Musei Civici Veneziani, Tirana, 1998.

Mendoj se harta e mësipërme me titullin: Albania Propria ouero Superiore/Shqipëria e Epërme, paraqet interes për disa arsye, të cilat po mundohem t’i shpjegoj: E para sepse është hartuar nga hartografi i mirënjohur italian si Giacomo Cantelli (1643-1695), hartues i rreth 100 hartave të viseve të ndryshme të botës. Së dyti: sikurse shihet edhe nga kushtimi në anën e majtë të hartës, ajo me sa duket është bërë me porosinë dhe interesimin e drejtpërdrejtë të Imzot Gjon Fraçesk Albanit (Monsig. Giovanni Francesco Albani), (Papa Klementit X)I, kur ky ishte në detyrën e lartë të sekretarit të të Zyrës së Shkresave (Bulave)  të Papa Inoçentit XI, 11 vjet përpara se të merrte fronin në Selinë e Shenjtë.

Pra edhe kjo është një dëshmi e rëndësishme shqiptarësise së tij, gjë e cila i cila shërben si paraprijëse e vizitës baritore nëpër dioqezat e viseve të Arbërit në vitin 1702 të Imzot Vinçenc Zmajeviq, që do të konkretizohet vitin pasardhës me Kuvendin e Arbërit mbajtur në fshatin Mërqi të Lezhës. Me sa duket Papa ka qenë i vetëdijshëm për vështirësitë e hasura nga misionarët dhe ipeshkvinjtë vendas dhe ata të huaj, përgjatë vizitave të tyre periodike baritore, raportet e të cilave më pas ia përcilleshin Kongregatës Fide në Romë. Ky fakt me sa duket ka qenë arsyeja kryesore që e ka bërë Papa Klementin XI, të interesohet që viset e vendlindjes së tij t'i regjistrojë në një hartë  e cila realizohet drejtpërdrejt në terren nga njëri nga hartografët më të njohur të kohës së tij. Së treti: titulli i hartës e thotë shprehimisht dhe shkoqur: SHQIPËRIA E EPËRME, pra bëhet fjalë për Shqipërinë Veriore, pra nuk është paraqitur në këtë hartë Shqipëria e plotë e asaj kohe,  apo sikurse do të mund të shprehemi sot Shqipëria etnike.

Aty sillet një realitet hartografik në kohën kur Shqipëria ishte ende e pushtuar nën Perendorinë Osmane. Aty jepet shumë qartë shtrirja gjeografike e Shqipërisë që nga Kotorri në veri e deri në Gjirin e Artës. Së katërti: A ka pasaktësi kjo hartë? Sigurisht që po. Asokohe nuk kishte teknologji “digjitale” sikurse e kemi sot, ndaj Cantelli-t i është dashur të udhëtojë me këmbë për të realizuar këtë hartë, sikurse pjesën më të madhe të hartave të tij. Kjo hartë paraqet vetëm Shqipërinë e Veriut dhe nuk përfshin Shqipërinë e Jugut, apo Shqipërinë e Poshtme, edhe pse autori i hartës, aty ku fillon Shqipëria Jugore, përmend "Epiro o Bassa Albania", që do të thotë: "Epiri apo Shqipëria e Poshtme". Po ashtu kjo hartë nuk përfshin në masën e duhur gjithpërfshirëse territoret e viseve të Shqipërisë lindore shqiptare, si pjesen lindore të Shkupit, Kumanovën, gjysmën e Kosovës së sotme, Prishtinën, Preshevën etj.

Pra, kjo hartë përfshin vetëm malësinë e Shqipërisë e jo Dardaninë dhe Maqedoninë veri-lindore. Pjesa e Shqipërisë së mesme, ajo midis lumenjve Mat dhe Drojë, që i përgjigjet sot respektivisht krahinës së Kurbinit, është paraqitur mjaft mirë, përjashto ndonjë lajthitje si psh. Kruja, e cila paraqitet diku midis Laçit dhe Malit të Bardhë të sotëm, Vlora gjendet pothuajse poshtë në jugperëndim të Tiranës, apo Dibra që del diku ku tani gjendet rrethi i Kukësit të sotëm etj. Diku në bregdet në grykëderdhje të lumit Mat gjendet Kulla e Skënderbeut. Duhet shënuar se Cantelli e vendos grykëderdhjen e lumit Ishëm shumë afër grykëderdhjes së Matit dhe në fakt Kulla e Skënderbeut është më afër grykëderdhjes së Ishmit, i cili natyrisht nga mënyra se si paraqitet në hartë është vendosur jo saktësisht. Kepi i Rodonit, Muzhli (Musti) dhe Durrësi janë vendosur shumë në veri në grykëderdhje të lumit Mat. Tirana (Terrana), që me sa dimë ne del për herë të parë pikërisht në këtë hartë, diku në perëndim midis Gjonmit dhe Kuqnës sikurse edhe Petrela, e cila shënohet si vendlindja e Aleksandrit të Madh (Petrela tenuta per patria di Alesi Magno), që me sa duket e ka ngaterruar me Pella-n që është vendlindja e Lekës së Madh.

Po në atë pozicion gjeografik është vendosur edhe Lalësi. Dalin gjithashtu qartë vendosja e krahinave të Bendës e Canovies, çfarë do të paraqiste interes për një qasje krahasuese të toponimeve të kësaj harte me të dhënat që sjellin relacionet e Mark Skurës të viteve 1641-1644 për këto dy krahina. Territori i viseve të përfshira në këtë hartë, vendosja e qendrave të banuara, karakteristikat e relivit, paraqitja e hidrografisë, si dhe përmbajtja e shenjave të tjera konvencionale që identifikojnë objektet mbrojtëse (kështjellat), apo objektet e kultit (kishat, manastiret, rezidencat ipeshkvore), përbën një rast të mirë studimor për studiuesit specialistë të disiplinës hartografike. Këtu kemi një hartë të realizuar 324 vjet më parë dhe para së gjithash duhet ta vështrojmë si dokument historik mbi të cilin duhet gjykuar me gjakftohtësi.

Nga Kurbini paraqiten: duke nisur nga ana veriore që ka për kufi lumin Mat në pjesën lindore në të dya anët e lumit Hurdhazë (Vardasa) kemi: 1. Pescasi (Peshkashi, që i përket administrativisht rrethit të Matit) 2. Bastia, (Bazi, që i përket administrativisht rrethit të Matit), 3. Scuragni (Skuraj), 4. S. Veneranda, (Shën Prendja në Gallatë), 5. Corbino, (fshati Kurbin që dashmë del i humbur), 6. Selito, (Selita), 7. Prodani, (sot lagje mes Selitës dhe Vinjollit), 8. Galeta, (Gallata), 9. Logorezi, (sot lagje mes Selitës dhe Vinjollit), 10. Paelatagni, (sot lagje mes Selitës dhe Vinjollit), 11. Vignali, (Vinjolli), 12. Daula, (Daula), 13. Smathi, (sot lagje mes Selitës dhe Malit të Bardhë) 14. Locupachi, (sot lagje mes Selitës dhe Vinjollit), 15. Nouaia (Nuaja), dikur pjesë e Kurbinit por që sot administrativisht shkon me rrethin e Krujës. Në pjesën perëndimore dalin këto toponime: 1. Malose, (me sa duket Miloti), 2. Selasi (Shullazi), 3. Sebaste, (Laçi i sotëm), 4. Monte Bia[n]co, (Mali i Bardhë), 5. Busenesi, (Bushneshi), 6. Gionemi, (Gjormi), 7. Madasey, (?), 8. Chuchani, (Kuqna) 9. Schiesi, (Shkjezi), 10. Scia (Zheja), 11. S. Maria, (Shën Mëria në Shën Mëri), 12. Droia, (Droja), 13. Biretti, (Brreti), 14. Lusea (Luzi), 15. Dervendi (Derveni), (Luzi dhe Derveni kanë shkuar gjithnjë administrativisht me Krujën),  16. Marmori, (Mamurrasi). Mendoj se nëse do të shtohej kërkimi me i përqendruar në hulumtimin e mëtejmë të hartave të Shqipërisë Mesjetare, (gjetjen edhe të hartave të tjera të mundshme), dhe për më tej të shikohej mundësia e një botim të plotë të tyre në një format të madh në formë libri/atlas në A3, me ngjyra, shoqëruar me një hyrje studimore si dhe me disa të dhëna kataloguese dhe sqaruese të domosdoshme, do të përbënte një vepër me rëndësi në fushën e studimeve historike.


Shënimi në titull se harta është hartuar sipas “vizatimeve të bëra në vend”, duke udhëtuar nëpër pjesën më të madhe të trojeve shqiptare të Shqipërisë së Epërme e të Mesme, për të bërë kompozimin e saj; kushtimi shumë i rëndësishëm dhe domethënës (ndonëse tërthorazi) Gjon Françesk Albanit (emri i pagëzimit i Klementit të XI), dhe botuar me nxitjen e drejtpërdrejtë të këtij të fundi, i cili sikurse thekson botuesi i saj, i ishte përkushtuar Shqipërisë edhe para se të zgjidhej papë; përmendja e dy emrave të dy parardhësve të tij që emigruan nga atdheu i tyre si luftëtarë të famshëm të qëndresës antiosmane, si dhe e Laçit si vendbanimi i mundshëm i  tyre në Shqipëri përbëjnë një tjetër përforcim të vendorigjinës së tij.

Kjo hartë e botuar pas miratimit nga vetë Papa Inoçentit XI, paraqet kështu një vlerë krejt të veçantë në krahasim me simotrat e saj. Kjo ka bërë që në të hartë të jetë i shënuar edhe emri i fshatit Kurbin, që sot ruhet vetëm si emër krahine, ndonëse ka humbur praktikisht dhe ishte i paidenfikuar deri më sot, tashmë mund të themi me siguri se ai gjendej diku në mes të fshatit Gallatë dhe kishës së Shën Prenës. Kërkimi i drejtpërdrejtë nga ana jonë në terren na orienton me saktësi aty ku një pjesë e banorëve të sotëm të fshatit Gallatë kanë pronat e tyre dhe ku ruhet toponimi Shpajat e Vjetra (Shtëpitë e Vjetra).





Shkrimi u publikua sot (01.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/papa-klementi-xi-nje-harte-e-rendesishme-e-shqiperise-se-eperme-e-vitit-1689-189393.html#sthash.LPkQjpS4.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate