26 dicembre 2013

Hidhen përtokë ‘Dy gladiatorët’ e Janaq Paços në Durrës



Nga DHURATA HAMZAI

26 Dhjetor 2013 - 09:23
TIRANE- Këto foto tregojnë sesi është katandisur vepra “Gladiatorët” e skulptorit të madh Janaq Paço (1914-1991), për të cilën janë investuar 20 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Rreziku që i kanoset veprës është paralajmëruar nga “Shqiptarja.com” që nga data 20 gusht 2013, pas largimit nga Qendra e Realizimit të Veprave të Artit, Tiranë, e cila u mor në pronësinë e biznesmenit Mihal Delijorgji. Bashkë me shumë skulptura dhe vepra të realizuara ndodheshin atje dhe kompleksi monumental i “Dy gladiatorëve” i Janaq Paços, i cili pas restaurimit ishte derdhur në beton dhe ishte në pritshmëri për t’u vendosur ne Muzeun Arkeologjik të Durrësit. E alarmuar nga keqtrajtimi flagrant i veprave, dje e bija e Janaq Paços ka konfirmuar se do të vij më datën 7 janar 2014 nga Nju Jorku në Tiranë me urgjencë. “Jam e shokuar nga kjo që po ndodh me veprat e babait tim”, njofton ajo për “Shqiptarja.com”.

E bija e skulptorit të madh shqiptar, Janaq Paço, zonja Dorina Paço-Kliminga shprehet se është e shumë e tronditur “jo vetëm nga pamjet, por edhe nga papërgjegjshmëria e shtetit tonë”. Ndërkohë përballë kësaj pamjeje, një nga familjarët e skulptorit Janaq Paço, Nikolin Kurti, shprehet se “Mihal Delijorgji ia arriti qëllimit, i ngarkoi me mjetet e tij dhe i ka përplasur me miratimin e Ministrisë së Kulturës veprat prapa godinës së Muzeut Arkeologjik në Durrës. Tani ky ndërtues i famshëm e ka gati sheshin tek Qendra e Derdhjes së veprave të Artit për pallate”. Të afërmit e skulptorit kanë qenë që nga muaji gusht në tension për rrezikun që iu kanoset veprave. Nikolin Kurti, pasi ka parë gjendjen shprehet se: “Askush në bashkinë e Durrësit , askush tek Muzeu i Durrësit, askush në Ministrinë e Kulturës nuk di se çdo të bëhet me to. 20 milionë lekë nga buxheti i shtetit që u investuan për t’i bërë ato në beton me çimento skulpturë shkuan dëm”.

gladiatoret e janaq pacos
(Foto: Majtas "Dy gladiatorët" para se të rrëzoheshin; Djathtas "Dy gladiatorët" të rrëzuara përtokë) Foto të tjera


Ndërkohë fotot që po botojmë flasin më shumë se fjalët. “Më tmerrshmja është se po ikin dy vepra të mrekullueshme, pjesë e një trashëgimie kulturore që vjen nga njëri prej skulptorëve më të mëdhenj të kombit. Tërë lufta e përbashkët në muajin korrik i gazetës “Shqiptarja.com” dhe Tv A1Report për t’i shpëtuar veprat nga “Gërdeci i Kulturës” shkoi dëm”, shprehet Nikolin Kurti, i cili prej kohësh ka bërë përpjekje për të negociuar me institucionet që të mos i lënë në mëshirë të fatit këto vepra dhe të mos shkatërrohen për herë të dytë, pasi ato para se të restauroheshin ishin të strehuara prej 15 vjetësh në gjendje të copëtuar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Veprat ishin sjellë pranë Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit, ku u derdh skulptura në beton për t’u vendosur në një shesh publik.

Historia e realizmit të “Dy Gladiatorëve”

Skulptori Janaq Paço u detyrua t’i mbante fshehur “Dy Gladiatorët” që të mos pësonin fatin e nudove të thyera në kohën diktuarës. I fshehu ato në studion ku punonte në mënyrë që askush të mos i dinte. Meqë në vitin 1993 kur çdo gjë u privatizua, ai nuk trashëgoi studio, i strehoi  veprat lart e poshtë nëpër miqtë e tij më të ngushtë. Vepra “Dy Gladiatorët” ishte e ndarë në 43 pjesë dhe meqë nuk ishte e mundur të mbaheshin në një dhomë për shkak të vëllimit të madh, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit iu la një ambient për t’i vendosur, dhe aty u strehuan deri në vitin 2008, afro 15 vjet. Për 5 vjet me radhë kompleksi monumental i “Dy gladiatorëve”, edhe pse është vlerësuar nga komisioni i vlerësimit të veprave të artit pranë Ministrisë me 20 milionë lekë është lënë në harresë dhe rastësisht ka shpëtuar nga shkatërrimi. 

Shkrimi u publikua sot (26.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/hidhen-pertoke-dy-gladiatoret-e-janaq-pacos-ne-durres-193226.html#sthash.17bU0u68.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate