Vlorë, 27 Dhjetor/ATSH-
Harilla Koçi/.- Lumi i Vlorës është bërë objekt i një studimi, me perspektivë të afërt shndërrimin në një projekt për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit, që do të financohet nga partnerë italianë.
Mirela Koçi, drejtore ekzekutive e Agjensisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, “AULEDA”, tha për ATSH-në se, vlerat e Lumit të Vlorës janë pjesë e këtij studimi, i cili pritet të konkretizohet në muajt në vazhdim.
Në prioritetet përkatëse të këtij projekti përfshihet edhe zhvillimi i telefonisë fikse, internetit, etj, si dy elementë që janë të nevojshëm në standardet aktuale të turizmit gjithëvjetor. “Aktualisht, jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për realizimin e këtij studimi”, thotë Koçi, ndërkohë që shton se ai është edhe pjesë e prioriteteve të Këshillit të Qarkut për zhvillimin e turizmit.
Anesti Dhimojani, kryetar i Këshillit të Qarkut, thotë se zhvillimi i turizmit në këtë zonë është një prioritet që gjen zbatim jo vetëm në Strategjinë e Zhvillimit të Qarkut, por edhe në projektet e pritshme.
Ai sqaron se në partneritet me qeverisjen qendrore dhe organizma të huaja, janë gati disa projekte që synojnë ridimensionimin e resurseve të kësaj krahine, në funksion të zhvillimit të turizmit. Këtu përfshihet mes të tjerash edhe rikonstruksioni i rrugës që përshkon mespërmes këtë zonë, e cila përfshihet në investimet e afërta.
Sipas Koçit, kjo zonë ka qenë objekt i aplikimit të një numri projektesh për zhvillimin e turizmit natyror. Ajo përmend atë të financimit të projektit të përshtatjes së strukturës turistike “Bend & Breakfast”(Fjetje dhe mëngjes), në fshatin Vranisht, rreth 55 km në juglindje të Vlorës.
Në kuadrin e këtij projekti, këtë zonë malore e kanë vizituar në stinën e vjeshtës dhe të dimrit dhjetra turistë të huaj, kryesisht francezë dhe italianë, në periudha të ndryshme qëndrimi, deri një javore.
Por nuk është vetëm ky shembull. Bukuria natyrore, pyjet, malet, traditat në gatime dhe në veshje, përbëjnë ato vlera që kanë nisur të ngacmojnë kuriozitetin dhe vëmendjen e turistëve për zonën e Lumit të Vlorës. Mjaft të huaj, kanë mbërrritur dhe kanë kaluar në fshatrat e kësaj zone, ditë të këndshme, të mbushura me surpriza.
Prej disa vitesh, çdo vjeshtë, dhjetra turistë italianë bëhen protagonistë të një udhëtimi të paharruar me mushka, që nis nga fshati Lapardha e përfundon në bregdet, duke kaluar mespërmes për 5-6 ditë të gjithë zonën, deri tutje në Kuç, në atë që emërtohet Qafa e Dërrasës.
Duke kaluar nga Vranishti, për të dalë në Dhërmi. Hodoja, një nga shoqëruesit e këtyre udhëtimeve me mushkë, tregon se për turistët italianë, Lumi i Vlorës është një zbulim i vërtetë. “Kalojmë në vende ku rrallë shkel këmba e njëriut”, tregon Hodoja. Në këtë rrugëtim, ai thotë se turistët shuajnë etjen në ujrat e burimeve, hanë mish qengji të pjekur e disa konsumojnë edhe raki të vërtetë, nga ajo që dinë ta ziejnë vetëm në këto anë”.
Zona e Lumit të Vlorës, një pjesë e të cilës përfshihet në atë që njihet me emrin Krahina e Labërisë, është një nga hapësirat më me vlerë në rrethin jugor. Resurset natyrore dhe ato kulturore-arkeologjike spikasin në këtë mjedis me emër që përmbledh 58 fshatra, me një popullsi prej rreth 50 mijë banorësh.
Kjo zonë nis me Kurveleshin e Poshtëm, tek Buronjat dhe gryka e Kuçit, dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vlorës, në një gjatësi të përgjithshme prej rreth 80 km dhe një sipërfaqe 332 km katrorë.
Në Lumin e Vlorës përfshihen shtatë komuna, mes të cilave; Horë-Vranisht, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë, Shushicë, Armen./m.sh/ http://www.ata.gov.al/lumi-i-vlores-nje-mundesi-per-turizmin-natyror-gjithevjetor-5665.html
Nessun commento:
Posta un commento