14 dicembre 2013

KISHA ‘ SHËN MARIA’ Elbasan, MONUMENT I VYER I KOMBIT

Permasat: x


 ELBASAN, 13 Dhjetor/ATSH/Miranda Sadiku/-Kisha Ortodokse “Shën Maria”, si një monument i kultit kristian i ritit romano- bizantin, e ndërtuar në lagjen “ Kala” të qytetit të Elbasanit, mendohet të jetë një ndër dëshmitë më të hershme të praktikimit të viteve kristiane brenda mureve të kalasë.
     Këtë e dëshmon edhe “Kapela” ose “ Pagëzimorja”, e cila sot gjendet ngjitur me trupin e Kishës së “ Shën Mërisë”.

     Kisha Shën Maria, një nga vlerat etnokulturore e arkitekturore të rralla në rajonin e Elbasanit, zëvëndësoi katedralen e stilit roman që mendohet të ketë ekzistuar në vendin ku sot ndodhet xhamia “Mbret”, në qendër të lagjes “Kala”.

     At Nikolla Marku, famulltar i kishës së“Shën Marisë”, rrëfen për ATSH historikun e saj, duke ju referuar dorëshkrimeve të nxjerra nga arkivat dhe materialet studimore arkeologjike për Elbasanin në lashtësi, nga vetë ai.

     Sipas At Nikollës, “Kisha Ortodokse e “ Shën Mërisë”, e ndërtuar në shekullin e XVI-të, kishte pasurinë e saj dhe siguronte të ardhura me një organizim tepër korrekt, ç’ka do të thotë se ajo ka funksionuar kështu prej disa dekadash.
     Hulumtimet e mëpasme do të vërejnë të dokumentuar shtimin e saj. Banorët e qytetit të Elbasanit kryenin në kishën “Shën Maria” të gjitha veprimtaritë fetare me përkushtim e me një respekt të veçantë”.

     Sipas rrëfimit të famulltarit, “në 11 nëntor të vitit 1819, kisha u dogj plotësisht. Kjo ishte një fatkeqësi dhe goditi rëndë besimtarët ortodoksë elbasanas. Megjithatë, ortodoksia diti të organizohet. Ritet fetare ata i kryenin në shtëpitë e të krishterëve, krahas interesimit të vazhdueshëm për rindërtimin e saj”.

     Më vonë, kjo kishë u rindërtua nga një grup mjeshtrish dibranë, duke i dhuruar besimtarëve ortodoksë një objekt kulti estetik e funksional.  

 
                               -Historiku i rindërtimit të kishës-
           

     Në rrëfimin e tij për ATSH-në, At Nikolla tregon se “historiku i rindërtimit të kishës është tepër i çuditshëm dhe shumë interesant. Nga viti 1819, deri në vitin 1826, lagja “ Kala” mbeti pa kult fetar. Kështu, në vitin 1826 u mblodh pleqësia e lagjes dhe i shkruan një letër Portës së Lartë në Stamboll, ku kërkonin ndërtimin e një kishe ku të kryenin ritet e tyre të ortodoksisë.
      Në këtë kohë, brenda në kala qëndronte garnizoni turk, i cili ritet e tyre i kryente tek xhamia “Mbret” ( brenda lagjes kala).
      Sulltani, duke e ditur mirë se në lagjen “Kala” nuk kishte vend për të ndërtuar kishën ( sepse vendi ku ndodhet sot kisha ishte varrezë e lagjes), i ktheu përgjigjen po në këtë vit, duke i thënë:

     “ Gjeni një vend dhe unë do t’jua jap iradenë ( lejen) për ndërtim”

Atëherë, pleqësia u mblodh përsëri dhe u mor vendim që tërë trupat e të vdekurve të nxirren nga varret, kështu të bëhej e mundur hapja e vendit që të ndërtohej kisha.
     Pas kësaj u vendos që eshtrat e të vdekurve të futeshin në bodrumet e kishës, sot skalitë anësore të saj. Kështu, u bë e mundur që të dërgohet letra e dytë, e cila nuk vonoi të kthehej me një vendim të mirë për çudinë e tërë botës, që një sulltan të jepte leje që të ndërtohej një kishë, por ai vuri një kusht, që kur të ndërtohej kisha, lartësia e saj të ishte më e ulët se xhamia aktuale që ishte e ndërtuar. Me këtë leje që dha Sulltani” vijon At Nikolla Marku, filloi rindërtimi i kishës".

      Punimet për rindërtimin e saj përfunduan në vitin 1833. Që nga ky vit, kisha qëndron madhështore edhe sot, me një arkitekturë të ritit bizantin e me vlera të rralla për popullin tonë. Në brendësi të saj janë ndërtuar tunele (katokombe) nëntokësore, me lartësinë e trupit të njeriut, që përfundon në kodër Krastë, në rrugën e Korçës. 

     Kubeja e kishës “Shën Maria” është pikturuar në vitin 1859 dhe Ikonostasi që është më i rrallë dhe me vlera të jashtëzakonshme në tërë Shqipërinë është lyer me llak të verdhë, përzierë me ujë floriri, duke i dhënë një pamje tepër dekorative e të mrekullueshme Ikonostasit, që sot është kryevepra më e arritur e mjeshtrave shqiptarë dibranë që punuan për 40- të vjet në këtë kishë.

     Ky Ikonostas ka tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve që e kanë kqyrur atë me vëmendje të veçantë. Mes tyre shumë ambasadorë të huaj të akredituar në Shqipëri, që nga ata amerikanë e të gjithë të tjerët, pa llogaritur qindra të të huaj që kanë lënë kujtimet e tyre në bllokun e kësaj kishe.
     Afreskët janë punuar nga David Selenica dhe Kostadin Shelcani, ndërsa disa janë punuar nga i madhi piktor iluminist i kohës, Onufri, njeriu që i dha jetë shenjtorëve me portrete shqiptarësh dhe jo të huaj, si në këtë kishë, ashtu edhe në kishën e famshme të Shelcanit, të Valshit dhe Beratit.

     Kjo kishë shquhet edhe për vlera arkitekturore, ku kultura bizantine e aplikuar është e shprehur dhe me një bazilikë mesjetare të veçantë, të punuar nga duart dhe mendja e shqiptarëve që kanë punuar në të me mjeshtërinë e njohurive të kohës.
     Janë këto vlera që e bëjnë këtë kishë një qendër jo vetëm të autoktonisë shqiptare të kulturës religjoze, por edhe një qendër të frekuentimit nga klerikë dhe besimtarë, nga vizitorë dhe personalitete”, vijon At Nikolla Marku. 



                             -Kisha “ Shën Maria” vatër e atdhetarisë shqiptare- 

     “ Kisha “Shën Maria” ka  shërbyer jo vetëm si objekt kulti, por edhe si një vatër e atdhetarisë. Rreth kësaj kishe kanë ushtruar veprimtarinë për shkrimin e gjuhës shqipe dhe deklarimin e psalmeve në gjuhën shqipe që nga Dhaskal Todri, Teodor Haxhifilipi, Konstandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, etj.

      Rreth viteve 1900, për zgjerimin e shërbesave fetare dhe për të përhapur mësimin e shuhës shqipe, ortodoksët e Elbasanit vendosën që pranë kishës të ngrenë një godinë dhuratë. Nismëtar për të ka qenë babi i gjuhës shqipe Aleksandër Xhuvani. ( shumë pranë godinës, ndodhet edhe varri i tij).

     Kati i parë i godinës shërbeu për nevojat e kishës, ndërsa kati i dytë ka qenë gjithnjë shkollë ku mësohej shqip” ( ish Normalja).

     Famulltari At Nikolla Marku, thotë se “ne jemi vashdimi i kishës së paraardhësve tanë : Fan S. Noli, Vissarion Xhuvani, Dhimitruka V. Deliana, të cilët Patriarkia Greke e Stambollit i shkishëroi dhe i anatemoi, se predikonin Biblën në gjuhën shqipe të përkthyer nga babai i gjuhës shqipe Kostadin Kristoforidhi.

     Duhet thënë se në këtë kishë kanë ligjëruar në mesha liturgji ortodokse udhëheqës fetarë të njohur si; Famullitari Fan Noli, At Vissarian Xhuvani e të tjerë.

     Me madheshtinë e saj, Kisha “Shën Mëria” na flet për kulturën e gjerë dhe të lashtë të popullit shqiptar, për vlerat kulturore dhe artistike dhe ato fetarë në shekuj, flet për njohuritë e thella shekullore që janë trashëguar brez pas brezi në trojet shqiptare”./m.sh

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate