Postuar më: 6 Dhjetor, 2013

Juli, për një person si puna juaj, që e ka shkelur territorin e Shqipërisë, në mos me këmbë, me rrotat e makinës, ç’do të thotë të jetë në postin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit?
Në fakt edhe nga e kaluara ime, kuptohet që e kam pasur gjithmonë qejf turizmin dhe jam mundur që në të gjitha aktivitetet e mia të mëparshme të reklamoj Shqipërinë. Në këtë detyrë që jam do të doja t’u tregoja, si shqiptarëve, por edhe të huajve, që ka gjëra shumë të bukura në këtë vend. Gjëra që nuk i shohim. Siç ka vende të pazbuluara, siç ka male të pazbuluara, liqene, siç ka njerëz të jashtëzakonshëm në këtë vend. Siç është mikpritja shumë e mirë, kudo. Siç janë ushqimet, në të gjithë Shqipërinë. Dua, ato pak gjëra që kemi ne, t’i tregojmë dhe të bëjmë një promovim për Shqipërinë me ato çka kemi. Më vjen keq për një gjë: Ne shqiptarët, vetë e shajmë vendin tonë, dhe impaktin e keq që kemi jashtë e kemi pikërisht nga vetja jonë. Këtë duhet ta ndryshojmë.
Çfarë do të bëni ju, që këto potenciale që ne kemi dhe që ju i përmendet, t’i promovoni?

Ne sapo kemi hyrë në stinën e dimrit, ndërkohë flasim vetëm për verën në Shqipëri dhe për mundësitë e shfrytëzimit të saj, por a mund të bëhet turizëm në Shqipëri, edhe në këtë stinë që ndodhemi?
Të gjitha stinët duhet të kthehen në qendër të vëmendjes, për sa i përket turizmit. Ndaj si AKT jemi duke realizuar një panair për dimrin, për të treguar se çfarë kapacitetesh ka Shqipëria në këtë stinë. Këtu futen, jo vetëm restorantet dhe hotelet, por edhe agjencitë që organizojnë ture apo shoqata sportive. Ne mund të flasim për pushime katër ditë, por flasim edhe për fundjava, që mund të jenë të organizuara shumë mirë. Në panair do të marrin pjesë edhe ato shoqata që organizojnë sporte në dimër. Këtu nuk është e rëndësishme që të jesh patjetër një tip sportiv apo profesionist, por mjafton të kesh dëshirën e mirë që të bësh një gjë ndryshe.
Në këtë panair, çfarë do të zbulojmë?
Në këtë panair ju do të zbuloni shumë gjëra. Unë po mundohem që edhe arredimi i stendave të bëhet nga agjencia në mënyrë që të dalim të gjithë me një pamje. Do të ketë oferta shumë interesante dhe disa njerëz që merren seriozisht me këtë punë. Natyrisht, për bizneset kjo është një rrugë fitimi dhe ata e shohin si një ndihmë që jep shteti.
A do të mësojmë nga panairi se ku mund të shkojmë në këtë stinë të ftohtë e të kalojmë një fundjavë?
Patjetër që idetë do të jenë aty. Do të mësoni se ju mund të shkoni në Tamar, mund të shkoni në Korçë dhe aty ka disa vend. Mund të shkoni në Llogora, mund të shkoni në Dajt. Të dielën do të keni 45 mundësi përballë.
Juli, ju njohim si vajzën e “Rally Albania”, a keni ardhur ju te AKT me atë shpejtësi që i jepni makinës. Ka të njëjtin temp puna juaj këtu?
Unë kam ardhur me një temp që nuk e di sa do të vazhdoj (qesh). Ndoshta është edhe tempi i njeriut që di t’i bëj punët ndryshe nga shteti. Megjithatë, mendoj që edhe unë, avash-avash do të qetësohem pak, për të ngritur tempin e rezultateve, në fund.
Flitet për projekte, ide, por kur mund do të kemi një ndryshim real të turizmit në Shqipëri?
Unë mendoj që për shërbimet turistike, shumë shpejt do të fillojnë reformat nga Ministria e Turizmit. Një nga reformat është edhe klasifikimi dhe standardizimi i hoteleve, do të bëhet një data-bazë për gjithë kapacitetet që ekzistojnë në Shqipëri. Do të reformohet totalisht sistemi i shërbimit për turizmin. Do të ketë një call-center për turizmin, do të ketë info-point në pika turistike. Sigurisht, këto janë iniciativa dhe në gjashtë muajt e ardhshëm do të keni mundësi të shihni ndryshimin.
Ka ndryshuar mënyra juaj e jetesës që nga momenti kur morët postin e drejtoreshës?
Në fakt, unë jam munduar gjithmonë të merrem me punë, por ka ndryshuar vetëm në pjesën që ha më pak dhe rri më shumë në zyrë. Shpresoj që shumë shpejt të dal jashtë zyre, pasi promovimi kërkon që unë të lëviz, por jam duke u organizuar dhe kjo më mban këtu.
E braktisët relly-n?
Duhet ta braktisja sepse kam konflikt interesi me vendin e punës, por si pilote mund të jem përsëri, po jo si organizatore.
Keni një plan tjetër për të ardhmen si AKT?
Ne po mundohemi që të realizojmë nga një panair çdo muaj, me tema, në vende të ndryshme, jo vetëm në Tiranë. Duke filluar që nga kulinaria, kultura, plazhet, për malet. Të gjitha këto do të jenë në vende të veçanta. Gjithashtu po mendojmë edhe për propagandën që do të bëjmë jashtë Shqipërisë, duke marrë pjesë në evente ndërkombëtare. Një nga ato janë edhe karnavalet e Venecias që bëhen shumë shpejt, me gati 1 milion shikues, ku duam të bëjmë një reklamë të shkurtër për Shqipërinë.
Keni ju një vend që e keni pikë të dobët për nga ana turistike?
Korçën edhe Vlorën.
Drejtoreshë e AKT-së. Ky është pozicioni që ju donit?
Po. Jam në vendin e duhur. Është gjëja që di të bëj më mirë dhe kam gjithë energjitë e duhura për ta bërë. Dua të merrem me turizëm, pasi Shqipëria ka nevojë jo vetëm për punë, por edhe për ide e mirëmenaxhim. Kemi shumë fusha që mund t’i zhvillojmë dhe tërheqim vëmendje. Sapo kemi filluar.
Panari
E dielë, 8 dhjetor tek salla “Iliria”, Sheraton
Panairi i parë i Turizmit Malor, i cili organizohet në Shqipëri. Informacione nga operatorët lokalë për vendet më të bukura të Shqipërisë, ku mund të kaloni pushime të mrekullueshme. Për më tepër do të mund të përjetoni eksperiencën reale të këtyre vendeve nëpërmjet një ekrani LED.
Nessun commento:
Posta un commento