-Reportazh- 26 Dhjetor /ATSH-Gëzim Kabashi/.
-Kruja është një qytet që mund të vizitohet në çdo stinë. I ndërtuar në një lartësi mesatare 608 metra mbi nivelin e detit, kur moti është i kthjellët ,“qyteti i bardhë” mund të shihet që nga bregdeti i Durrësit.
Banesat që janë kapur fort pas faqes së malit, kalaja e Skenderbeut që dallohet veçmas, sapo rruga e asfaltuar lë pas pyllin me pisha dhe ullinjtë e moçëm që i gjen në mes të pallateve të vjetër e të rinj të qytetit, janë po kaq mbresëlënëse si në pranverë e vjeshtë e po aq edhe në dimër e në verë.
Qyteti me 15 mijë banorë jeton dy kohë njëkohësisht.
Pasi “përshëndetesh” me Skenderbeun mbi kalë, monumentin prej bronxi të skulptorit Janaq Paço, pazari karakteristik duket sikur të fton në mesjetën e zhurmshme, kur siç tregojnë gojëdhënat, dyqanet vazhdonin për shtatë kilometra me radhë nga lagjia Derexhik deri në Picrragë.
Pazari i vjetër i Krujës shtrihet në të dy anët e rrugës së vjetër të shtruar me kalldrëm që të çon për në kala. Kemi hyrë kështu në një kohë tjetër, ku kanatet e mëdha prej druri të llakuar të dyqaneve, zëvëndësohen më pas më gurët e kalasë mesjetare.
Muharrem Mefaja është pronar i njërës prej rreth 50 njësive tregtare që janë vendosur përballë njëri tjetrit aq afër sa duket se mund t’ia japësh dorën shokut përballë edhe pa zbritur shkallët e gurta të dyqanit.
Rremi, siç e thërrasin rreth e qark, fshin duart pas përparëses së punës dhe qesh me fjalën “pronar”. “Këtu të gjithë jetojmë ende me zejet e të parëve-shprehet ai për ATSH-në dhe tregon me dorë një çifteli të vogël, gdhëndien e së cilës sapo e ka përfunduar.
“Tashmë dyqani është i imi dhe bashkë mua punon edhe bashkëshortja, e ndonjëherë vijnë edhe fëmijët”, shton ai. Megjithëse këto ditë ka patur më pak shitje, ai nuk ankohet.
Në punishten e vogël, pas perdes që ndan dyqanin në dy pjesë, Rremi ka “prodhuar” me duart e veta shishe dekorative konjaku të veshura me kashtë apo allçi të ngjyrosur, bunkerë të vegjël prej alabastre që shërbejnë si tavlla duhani, maketet prej druri të kalasë apo reliefin prej lëkure të një banese mesjetare.
“Në Krujë vijnë të gjithë. Kush nuk ka vizituar Krujën, nuk ka vizituar as Shqipërinë, themi ne krutanët”, shton Veseli.
Në qytet, delegacionet e huaja janë një realitet i përditshëm. Tani në fund të vitit vijnë përsëri thuajse të gjithë ambasadorët e huaj, ndërsa në fillim të muajit janar pritet edhe vizita e presidentit të Bullgarisë.
Edhe Mariza, një këngëtare e njohur shqiptare, i ka sjellë miqtë e saj të huaj në Krujë. Këtu në Pazar kënaqem edhe vetë-qesh ajo.
Zejet, që ushtrohen aktualisht nga mjeshtrat e punës me dorë në Krujë, janë punimet në gur e kockë, mermer e alabastër, thurja e tapeteve dhe qilimave në fill të leshtë, apo edhe punimet në bakër e dru.
Nga rruga dëgjohet zhurma ritmike e avlëmendit dhe ne nuk i rezistojmë dot ftesës mikpritëse të një dyqanxhiu tjetër. Dy gra që endin në vegjë i përgjigjen përshendetjes, pa i hequr sytë nga faqja me fijet e bardha të leshit, ku po merr jetë një qilim shumëngjyrësh ku dominon e kuqja dhe e zeza. “Unë jam ndër më të rejat që vazhdoj të punoj në vegjë”, tregon Miranda, një nga endëset, që vite më parë ka punuar në fabrikën e qilimave. “Është punë e lodhëshme, por do të ishte shumë mirë që edhe më të rinjtë t’i afroheshin traditës”, shton ajo.
Nga rruga dëgjohet zhurma ritmike e avlëmendit dhe ne nuk i rezistojmë dot ftesës mikpritëse të një dyqanxhiu tjetër. Dy gra që endin në vegjë i përgjigjen përshendetjes, pa i hequr sytë nga faqja me fijet e bardha të leshit, ku po merr jetë një qilim shumëngjyrësh ku dominon e kuqja dhe e zeza. “Unë jam ndër më të rejat që vazhdoj të punoj në vegjë”, tregon Miranda, një nga endëset, që vite më parë ka punuar në fabrikën e qilimave. “Është punë e lodhëshme, por do të ishte shumë mirë që edhe më të rinjtë t’i afroheshin traditës”, shton ajo.
Edhe Elida Çela ka bindjen se tradita familjare duhet përtërirë. Në dyqanin e saj shihen kostumet e nuseve të Shqipërisë së Mesme që janë ildisur për merak.
“I kam qëndisur me dorë dhe me makinën qepëse, ja këtu në dyqan”, tregon ajo më tej. Nuk rrihet duke pritur vetëm klientët-shprehet Elida, ndërsa hedhim një shikim në banakët dhe vitrinat e mbushura plot me objekte të vjetra e të reja.
Në mes të dyqaneve kalojnë zhurmshëm një grup vajzash dasmore, të cilat kanë veshur kostumet karakteristike të zonës. Duket shumë bukur dhe të gjithë i ndjekim me sy, deri kur kthejnë rrugën drejt kalasë mesjetare.
Ndën strehët që zgjaten deri sa prekin njera tjetrën biseda e këndshme me zejtarët dhe tregtarët krutanë ndërpritet vetëm kur në krye të rrugës shihen grupet e turistëve që vizitojnë Pazarin e vjetër./m.sh/s.s./http://www.ata.gov.al/kruja-qyteti-qe-jeton-ne-dy-kohe-4007.html
Nessun commento:
Posta un commento