04 dicembre 2013

Nga “Bjeshkë të Nemuna” në “Bjeshkë të Bekueme”

Nga “Bjeshkë të Nemuna” në “Bjeshkë të Bekueme”

Një projekt i BE, i realizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, po e shndërron luginën e Valbonës, në Alpet e Shqipërisë, një destinacion ndërkombëtar gjithmonë dhe më të kërkuar, të turizmit dimëror dhe veror. Kjo perspektivë ka nxitur kthimin nga Europa Perëndimore edhe të emigrantëve të kësaj zone dhe investimin e kapitaleve të tyre në sektorin fitimprurës të turizmit.
Udhëtimi me automjet drejt luginës së Valbonës nuk është më as i gjatë, as i lodhshëm si pak vite me pare. Drejt saj shkon përmes autostradës Durrës- Kukës, të standardeve europiane, dhe më tej vazhdon në terrene pothuaj fushorë ne rrugë dytësore, të asfaltuara. Lugina ka emrin e fshatit dhe të lumit Valbona, i vetmi lum në Shqipëri në ngjyrë të kaltër, me ujë të bollshëm, transparent dhe gurë të bardhë.
Këtu ndodhesh 1 600 metra mbi nivelin e detit dhe bukurisë natyrore që të ofrojnë Alpet e Shqipërisë, pasi Lugina e Valbonës është në zemër të pjesës së tyre lindore. Këtu sheh rrezet e fundit të ditës të ndriçojnë, majat e Bjeshkëve të Nemuna, me dëborë të përjetshme. Kullat e vjetra, tradicionale prej guri shfaqen të heshtura, të braktisura, në të dyja anët e rrugës apo në maja kodrash. Por janë bujtinat e reja prej druri, me çati alpine ato që me dritat e ndezura, avullin në xhamat e dritareve të grishin të zgjedhësh njërën, të ecësh drejt saj dhe të hysh brenda. Hyjmë tek ajo që është në mes të një fushe, të njohur që në kohë të vjetra me emrin “Fusha e gjësë” emër që tani e ka marrë bujtina. Këtu, na tregon pronari i saj, dikur zbrisnin kuajt dhe dhitë e egra, kaprojtë dhe dhelprat, nuset e lalës, arinjtë, e plot kafshë të tjera të një faune të larmishme dhe origjinale. Bujtina ka kafene, restorant dhe në katin e dytë hotel. Këtu të servirin çaj të egër nga Alpet, me një aromë të fortë rigoni, djathë, gjalp e kos nga bagëtitë që kullosin në bjeshkë. Nga dritaret e bujtinës mund të shohësh konturet e “Bjeshkëve të Nemuna..” Duket se të ardhurat që shtohen nga viti në vit nga rritja e numrit të turistëve, udhëtarëve, historianëve, studiuesve nga gjithë bota po i kthen ato në “Bjeshkë të Bekueme”.
Nga “Bjeshkë të Nemuna” në “Bjeshkë të Bekueme”
Kohët kur për malësitë e Valbonës nga këto bjeshkë vinte varfëri, luftë, bastisje, plaçkitje duket se po mbeten në të shkuarën. Që nga funksionimi i autostradës Durrës- Kukës, aty nga 2009 , kjo zonë nisi të rizbulohet si një vend i rrallë, ku bukuritë janë vetëm natyrore, ku nuk ka asnjë ndërtim betoni, ku ka pasuri etno- kulturore dhe një mikpritje proverbiale. Për të përballuar fluksin e turistëve që filluan të joshen nga Valbona u ndërtuan për tre vjet 7 bujtina apo Gesthouse me 70 shtretër. Një projekt pilot i financuar nga BE dhe i menaxhuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) mundësoi realizimin e disa kërkesave thelbësore për turistët e huaj si treinimin e pronarëve të bujtinave, rreth 8 mijë tregues të sinjalistikës rrugore dhe hapjen e 150 km shtigjesh malore.
“Shërbimi në bujtina mbetet ende në fillimet e tij. Por mendoj se ka ecur goxha mirë falë trajnimeve që ka bërë UNDP. Trinimet janë zhvilluar për mënyrën e pritjes së turistëve të huaj, servirjen e menysë dhe sidomos të gatimeve tradicionale” thotë për programin shqip të DW, Ergys Mahmutaj, sekretar i Komunës së Margegajt, me 10 fshatra , ku bën pjesë edhe Valbona.
Në projektin e BE, të menaxhuar nga UNDP bën pjesë edhe ndërtimi në Valbonë i Qendrës informative- Kulturore dhe pajisja e saj me bazën materiali . Kjo qëndër ka teatrin e saj, bibliotekën, zyrën e informacionit, muzeun me pasuritë etno- kulturore, dhe një sallë shfaqjesh. Pjesë integrale e projektit është edhe ndërtimi i një kampingu me gjithë lehtësirave dhe shërbimet e nevojshme.
Pjesa me e madhe e turistëve vijnë nga Gjermania
Në Valbonë turizmi si prioritet nuk ka mbetur i shkruar në letër. Aplikimi në praktikë ka rritur nga viti në vit numrin e turistëve të huaj duke e çuar atë deri në mbi 30 mijë vetë, kur vetëm para tre vitesh ata mund të numëroheshin me gishtat e njërës dorë.
“Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga Gjermania por ka edhe nga Çekia, Polonia, Italia dhe Franca” thotë Ergys Mahmutaj.
Kthimi i emigrantëve dhe investimi i kapitaleve në Valbonë
Perspektiva e zhvillimit të turizmit në Valbonë ka kthyer edhe emigrantët që u larguan nga kullat e gurta në kërkim të një jete më të mirë. Kriza ekonomike në vendet fqinjë Greqi dhe Itali ku shumica e tyre emigruan është një shtysë më tepër për t’u kthyer dhe investuar në Valbonë.
“Emigrantët nga kjo zonë, që kur u larguan ishin në moshe të re dhe nuk e dinin fare se ku po shkonin, tani e dinë se ku po kthehen. Ata kanë ardhur dhe po hedhin në vendin e tyre atë kapital që kanë fituar në mërgim” thotë kryetari i Komunës së Margegajt, Rexh Byberi.
Ai thotë se projekte të tjera prioritare janë, mbështetja e familjeve në Valbonë për të zhvilluar turizmin familjar, ndërtimi i bar-restoranteve, nxitja e punimeve artistike artizanale lokale, rehabilitimi i shtigjeve të vjetra këmbësore, garantim i energjisë elektrike.
”Atëherë “Bjeshkët e Nemuna” do të bëhen vërtet “ Bjeshkë të Bekueme” thotë Rexh Byberi.
/dw/Drita Islame/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate