31 gennaio 2015

Vlerat etnokulturore, resurse për turizmin e perfolur edhe në veprat e studiuesve të huaj.

31 Janar 2015 - 12:31
Profili turistik i Vlorës dhe gjirit të saj, shfaqet edhe nëpërmjet vlerave etnokulturore që ndodhen në këtë rajon. Studiuesi dhe historiani vlonjat, prof.dr. Bardhosh Gaçe, thotë se në kushtet e sotme të zhvillimit të turizmit, një vend të veçantë zënë edhe dukuritë e ndryshme social-shoqërore e ekonomike, por edhe lidhjet dhe ndërvarjet midis mjedisit, turizmit dhe pasurive kulturore e monumentale.

-Vlerat etnokultuore, në veprat e studiuesve të huaj-

”Kur flasim për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajonin e Vlorës, duhet të kemi parasysh se tashmë ky zhvillim bazohet jo vetëm në marrëdhëniet e peisazhit turistik të mrekullueshëm të këtyre brigjeve, por edhe në botën njerëzore, si dhe veprimtarinë që kryhet mbi këtë mjedis”, nënvizon studiuesi vlonjat. Sipas tij, për peizazhin turistik dhe vatrat kulturore të këtij rajoni, kanë shkruar mjaft autorë antikë, ata të mesjetës, si dhe udhëpërshkrues të shek.XIX-XX. Në veprën e vet “Bella Civila”, Jul Çezari, në udhëtimin e tij në grykat e Palasës e të Dukatit për t’u ndeshur me ushtrinë e Pompeit në vitin ’48 para Krishtit, thotë se, “Këto male më shfaqen si hone poetike homerike…”. Gaçe nënvizon se, autorë të tillë si, Halil Inalçik, Pier Reiz, Ami Bue, Henri Holland, Pukëvil, Bajroni, piktori i madh anglez Eduard lir, Martin Liku, francezi Leon Rey, studiuesit italian Baldaçi, Ugolini, Pirro Mancone, apo gjermani Karl Paç, e përshkruajnë rajonin e Vlorës “si një perlë të brigjeve Mesdhetare”, me pasuri të mëdha natyrore zakonore dhe minerale.

 -Monumentet e natyrës, në guidat e Qendrës Mesdhetare të Turizmit-

Në element mjaft pozitiv e i vecantë është fakti se, disa nga peizazhet turistike të Vlorës si, Parku Kombëtar i Llogorasë, Laguna e Nartës, Laguna e Orikumit, Kompleksi Natyror Nartë-Zvërnec-Treport, Pylli i Pishë Poros, si dhe Qendrat Arkeologjike Kombëtare të Orikut e Amantias, janë përfshirë edhe në mjaft projekte e guida të Qendrës Mesdhetare të Turizmit.

 Brenda këtij konteksti, roli i monumenteve të natyrës, kulturës dhe historisë është i pranishëm në zhvillimet turistike. Mjaft prej tyre me vlera arkeologjike e etnokulturore, kanë përftuar statusin e veçantë nga shteti shqiptar si Monumente Natyrore apo Monumente Kulture. Në rajonin turistik të Vlorës në këtë listë objektesh përfshihen 77 prej tyre. Në inventarizimin e tyre përmblidhen vlera të rralla shkencore, estetike, kulturore, historike, didaktike, kulti dhe turistike.

Në rajonin e Vlorës ka mjaft qendra arkeologjike, historike e monumentale. Këto monumente janë jo vetëm dokumenta të gjalla që flasin për zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor e artistik të epokës që i krijoi, por edhe për periudhat e mëvonshme. Mes tyre, kisha e Marmiroit në Orikum, ajo e Armenit, qendra e peshkopatës në Himarë, Kaninë e gjetkë, kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas, Kalaja e Himarës, ajo e Kaninës, e Porto Palermos, e Katafiqit në Kuç, Mozaiku i Mesaplikut, Mozaiku i Sherishtës dhe Gorrishtit, shkrimet e Gramatës, Shpella e Haxhi Alisë, Shpella e Velçës dhe ajo e shkruar e Lepenicës, si dhe stadiumi antik i Amantes, përbëjnë muze të hapura të kulturës së lashtë të kësaj treve.

 Studiuesi Bardhosh Gaçe, thotë se, këto vlera të kulturës, historisë dhe artit, duhet të promovohen për publikun shqiptar dhe vizitorët e huaj. Kjo, sepse, përmes këtyre monumenteve si dhe historisë që ato mbartin, shihet edhe mundësia e njohjes së kulturës mes popujve të Mesdheut. Një vlerë e veçantë e kulturës popullore në rajonin e Vlorës, janë edhe monumentet e kultit dhe ato historike. Ato dëshmojnë madhështinë e arkitekturës, afreskat dhe ikonat, punimet e gurit, punimet e drurit etj.

Në secilin prej këtyre objekteve, gjatë periudhave të ndryshme kanë punuar piktorë dhe mjeshtra, që kanë përjetësuar artin e kohës kur kanë jetuar. Gaçe vecon këtu, dy nga piktorët e shquar europianë, Mikelin e Vlorës që ka lënë disa nga pikturat e rralla në kishat e Napolit dhe të Venecias, si dhe David Selecnicasin, që, siç shkruan në afreskat e malit Athos në Greqi, ishte me origjinë nga Vlora. Sipas tij, piktori i madh shqiptar Onufri, në shek. XVI ndërtoi dy kisha në Jonufër, në njërën prej të cilave ai grumbulloi 9 piktorë të vegjël, të cilët, si nxënës të tij prodhonin ikona dhe mësonin në fushën e pikturës murale. Studjuesi vlonjat, shton se, Pirro Marcone, që ka bërë gërmime në Velçë në vitin 1929, si dhe në disa qendra të tjera të Vlorës, ka shkruar mes të tjerash se, “Veprat e artit që ruhen në Shqipëri kanë një rëndësi të madhe, jo vetëm për vendin tuaj, por ato kanë një vlerë të madhe edhe për historinë botërore të arteve, ato do të plotësojnë boshllëqet në zinxhirin e zhvillimit të artit mesjetar në Shqipëri”.

monument kulture

-Periudha 1908-1932, e rëndësishme për pasurimin e vlerave qytetare-

Duke ju referuar periudhës së viteve 1908-1932, Gaçe thotë se, në qytetin e Vlorës u krijua një lidhje mjaft e ngushtë midis tregtarëve dhe njerëzve të kulturës dhe të artit, përmes së cilës u ndërtuan një sërë objektesh me vlera të rralla, mes të cilave, rruga Vlorë-Skelë, shtiza e Flamurit dhe varri i Ismail Qemalit, Merkatua dhe Sahati, lulishtja “Ismail Qemali”, porti i Vlorës, ura e Drashovicës, Ura e Izvorit, Kisha e Shën Todhrit etj. Për ndërtimin e Markatos dhe Sahatit të qytetit, bashkia u bëri thirrje tregtarëve dhe intelektualëve, të cilët financuan për ndërtimin e saj me një arkitekturë të kohës. Po kështu, për ndërtimin e kishës së Shën Thodhrit, financuan jo vetëm të krishterët, por edhe muhamedanët, bektashianët dhe hebrejtë.

Në vitin 1921, shoqëria “Vlora e Lirë”, krahas ndërtimit të portit të ri, financoi edhe për ndërtimin e shkollave, Muzeun Arkeologjik Ballkanik të Skelës etj. Në një arsyetim të tillë, studiuesi vlonjat sugjeron që, do të përbënte një risi fakti që, në fasadat e godinave shumëkatëshe të banimit, të gdhendeshin basorelieve të objekteve të trashëguara nga historia, mes të cilave, basorelievi dhe emblemat e kalasë së Skelës,  e të anijeve lundruese të mesjetës së hershme, të cilat u zbuluan disa vite më parë, në afërsi të stacionit të trenit, në periferi të qytetit të Vlorës. Gaçe evidenton se, Muzeu Etnografik i qytetit, është me një objekt me mjaft vlera artistike, estetike e kulturore, i cili duhet dhe po pasurohet në vazhdimësi.

monument kulture

-Tradita, një vlerë për turizmin-


Sot në fshatra të ndryshme të Vlorës, prodhohen në mënyrë artizanale veshje tradicionale; fustanella, veshje burrah e grash, sherqe, velënxa, flokate e sixhade, të cilat shiten për turistët, por edhe tregtohen në disa vende europiane; Greqi, Turqi, Gjermani, Itali, Francë e Spanjë. Në këtë drejtim mjaft mjeshtra të Labërisë dhe të Dukatit, punojnë drurin e gurin, duke prodhuar objekte artistike e zbukurime, fyej, cula, tavane e orendi shtëpiake.

Përbën një vlerë madhore, kënga polifonike e cila disa vjet më parë, u shpall nga UNESCO, si pasuri e trashëgimisë botërore.  Rajoni i Vlorës ka një trashëgimi të pasur folklorike, grupe e ansamble me emër. “Këngët “Qazimademçe”, “Smokthinjoçe”, “Dukatase”, “Matohasançe”, “Himariotçe”, vallet e Vranishtit, fyejt e instrumentat e Labërisë, tashmë janë regjistruar edhe në albumet e katalogët e Francës, Anglisë, Gjermanisë, Norvegjisë, Greqisë, Turqisë, Italisë e gjetkë. Në këtë kontekst, Vlora, ka kapacitete të mëdha artistike e kulturore për të zhvilluar e pasuruar këtë lloj arti.

Në qytetin e Vlorës gjenden edhe disa qendra muzeale si, Muzeu Etnografik, më i pasuri në të gjithë qytetet e jugut të vendit, Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, Muzeu Historik dhe Arkeologjik, Rruga Muze “Justin Godard”. Këto përbëjnë një pasuri të madhe të kulturës sonë historike, së bashku edhe me objekte të tjera kulti e historie, si Teqeja bektashiane në Kuzumbaba, xhamia në qendër të qytetit, kisha katolike, kisha e Shën Todhrit, shkolla e parë shqipe e Muradies, etj.


Marrë nga//ATSH

Redaksia Online
(shqiptarja.com)
 - See more at: http://shqiptarja.com/kulture/2730/vlerat-etnokulturore-resurse-per-turizmin-269699.html#sthash.ZQ2waXQP.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate