06 gennaio 2015

Reportazh/ Llogoraja, e bukur në verë, mahnitëse në dimër

-Reportazh-
Llogora 96 (2)Vlorë, 6 janar/ATSH-Harilla Koçi/.-Pak ditë më parë, mjedisi i Parkut Kombëtar të Llogorasë, u mbulua nga flokët e dëborës. Ishte dëbora e parë, që ra gjatë kësaj stine dimri në këtë zonë. Ndoshta edhe për këtë arsye, problemet e qarkullimit që u krijuan në segmentin që përshkon këtë qafë, 1050 metra mbi nivelin e detit, nuk u përcollën me ndonjë shqetësim të veçantë nga drejtuesit e automjeteve që e përshkojnë shpesh këtë rrugë.
-Llogoraja, sinonim i dëborës-
Në fakt, Llogoraja, nuk mund të konceptohet pa dëborën, qoftë kjo edhe në lartësitë e majave të maleve, që e qarkojnë atë nga lindja dhe perëndimi.
Pandeli Qesargjoni, banor i këtyre anëve thotë se, dëbora erdhi këtë herë, ndoshta më e bukur se kurrë. Shfaqja e saj në këto ditë janari e shtoi edhe më tepër kërshërinë e njerëzve. Ata nxituan për ta shijuar atë, këtu, në këtë bukuri të rrallë të natyrës shqiptare. Erdhën, pa menduar shumë për rreziqet që krijonin shtresat e dëborës në asfaltin e rrugës.
Tashmë, shumë ditë më pas fluksi i njerëzve që frekuentojnë Parkun Kombëtar të Llogorasë, është edhe më i madh. Vijnë këtu për të prekur e shijuar dëborën, të përjetojnë bardhësinë e saj.
Temperaturat edhe në mesditë, janë nën nivelin “zero”, ndërkohë që era e ftohtë perceptohet këndshëm, në duar dhe fytyrë. Nga shtigjet që lidhin rrugën kombëtare Vlorë-Sarandë me pyllin, herë herë dalin njerëz të të gjitha moshave. Ata kanë zgjedhur të kalojnë orë, apo ditë të këndshme këtu. Shëtitjet e gjata në mjedisin pyjor të zbardhur nga dëbora, janë një nga argëtimet më të bukura.
Arjani një 40 vjeçar nga Tirana, thotë se vjen shpesh në Llogora. Ka shetitur me familjen e vet, bashkëshorten dhe dy fëmijët dhe tashmë do të ulen për të drekuar. Por, për këtë duhet të presin disa minuta, aq sa i duhen kamerierit “për të rregulluar” një tavolinë.
Në Llogara, dimri tashmë është ulur “këmbëkryq”. Kjo reflekton edhe në ngjyrat e këtij mjedisi të rrallë natyror, të cilat përthyhen lehtë, duke krijuar një tablo të këndshme. Mjedisi pyjor këtu, në Llogora, shtrihet në një sipërfaqe prej 1500 hektarësh, por vetëm 1080 prej tye janë përfshirë në territorin e Parkut Kombëtar, që mbrohet me ligj të vecantë.
Mes pemëve, dominojnë pisha e zezë dhe bredhi.
Llogora 101-Kreshmorja çel, “gënjehet” nga rrezet e diellit-
Një lule, në ngjyrë vjollcë, ka ngritur kokën dhe ka çelur petalet, mbi bardhësinë e dëborës. Në fakt çelja e aj është një dukuri e parakohshme. Është gënjyer ndoshta nga ndonjë rreze dielli që është shfaqur herë herë mes reve dhe nga ngritur kokën duke sfiduar dëborën. Banorët e zonës thonë se, shfaqja e saj e parakohshme është një shenjë e keqe se dimri do të jetë i ashpër.
-Mishi i njomë, i kripur si në asnjë vend-
Dëbora është një arsye më tepër që njerëzit të vijnë këtu, për të shijuar e prekur gjithçka që ofron natyra, veçanërisht mishin e pjekur të qengjit, apo të kecit, që ka një shije të athët. Në fakt, mishi “i njomë” i Llogorasë dallon nga ai i zonave të tjera pikërisht për këtë shije. “Nëse kërkon të dallosh mishin e vërtetë të kësaj zone duhet ta dallosh pikërisht nga kripësia”, thotë Hamdiu një 50 vjeçar nga fshati Dukat, i cili kullot disa dhjetra kokë bagëti në këtë zonë. Tufat, që mbarështohen në këtë hapësirë janë përherë të gatshme për të furnizuar lokalet me qengja dhe keca. Ndodh që ndonjë prej lokaleve e porosit mishin gjetkë dhe e tregton si të zonës. Por, ata njerëz që janë mësuar tashmë me shijen e veçantë u kanë treguar edhe vendin, duke mos i frekuentuar më.
Gabriele, një shtetas italian, që punon për një organizatë të huaj, thotë se e shijon mjaft mishin e kësaj zone pikërisht për këtë element. “Askund tjetër nuk e kam perceptuar këtë shije të rrallë”, shprehet ai dhe që vjen në Llogora vetëm për mishin e famshëm të saj.z.t//a.ke/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate