14 novembre 2012

UNESCO monitoron Gjirokastrën për situatën e zbatimit të kritereve të vendosura nga UNESCO për këto dy site të trashëgimisë botërore.

14/11/2012
UNESCO monitoron GjirokastrënEleni Maistru, përfaqësuese e ICOMOS vizitoi fillimisht Beratin dhe më pas Gjirokastrën pas ftesës që ju bë prej autoriteteve shqiptare, për të monitoruar situatën e zbatimit të kritereve të vendosura nga UNESCO për këto dy site të trashëgimisë botërore. 

Ajo vizitoi monumentet kryesore që qëndrojnë edhe në themel të vlerësimit të UNESCO si dhe është takuar me autoritete të bashkisë, Monumenteve të kulturës dhe grupe të tjera interesi. Rreth një vit më parë UNESCO ka kërkuar rishikimin e kritereve që e mbanin qytetin në listën e trashëgimisë botërore.

Në dokumentin e hartuar vitin e kaluar Komiteti Botëror i Trashëgimisë i përbërë prej 21 shtetesh  ka shprehur shqetësimin e tij unanim mbi mungesën e kontrollit ndaj ndërtimeve të paligjshme dhe faktin që nuk ka pasur asnjë plan afat-gjatë mbrojtje dhe në funksion të përmirësimit të vlerës së kësaj pasurie.

Komiteti gjithashtu tërhoqi vëmendjen për mungesën e progresit në hartimin e një plani arkeologjik ndërhyrjesh dhe restaurimesh në zonën muzeale , mungesën e planit që e mbron këtë pasuri nga zjarri duke ripërsëritur kërkesën e hartimit të një plani emergjent veprimi për mbrojtjen dhe konservimin e kësaj pasurie.

Draft-vendimi njohu në atë kohë  përpjekjet e Beratit për të hartuar një plan turistik të bazuar në nevojat e komunitetit local dhe shprehu  shqetësimin e thellë se një plan i tillë mungonte për Gjirokastrën por në këtë pikpamje përfaqësuesja e ICOMOS thotë se ka progres.

“Menaxhimi i qytetit dhe aq më tepër i një qyteti kaq të vecantë sa është Gjirokastra nuk është një detyrë e lehtë. Gjirokastra është një qytet i rëndësishëm por që ka shumë probleme. Pra konkluzioni im është  se janë bërë disa gjëra të rëndësishme, ka mjaft punë që ende duhen bërë dhe disa të tjera që janë planifikuar të bëhen. Unë dua të them se po ecet përmes një procesi të mirë , dhe se po bëhen përpjekje për tja dalë me ato që duhen bërë. Sic e vura re ka shumë plane prej bashkisë  dhe qeverisë qëndrore është një plan menaxhimi , një tjetër plan turistik ka një plan urban dhe një numër i madh restaurimesh për tu kryer. Janë duke u krijuar disa rrjete partnerësh që po bashkëpunojnë në restaurime.Të gjitha këto gjëra së bashku por edhe disa iniciativa të reja unë besoj se do ti ndihmojnë njerëzit që të rikthehen në qytet. Por ky do të jetë një proces i vazhdueshëm dhe një përpjekje e vazhdueshme nuk është dicka që mund të përfundojë”, tha Maistru.

Komiteti i ka kërkuar Qeverisë Shqiptare vitin e kaluar që sa më shpejt të ftojë në Shqipëri një ekip në trajtën e një misioni monitorimi për të vlerësuar gjendjen aktuale të konservimit të kësaj pasurie, progresin e bërë në manaxhimin e saj dhe kriteret  për zhvendosjen e mundshme të kësaj pasurie në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik. Rreth një vit pas hartimit të këtij dokumenti Shqipëria ftoi për të monitoruar situatën Eleni Maistru Eksperte e ICOMOS. Përfaqësuesja e lartë e ICOMOS  do të shkruajë një raport që do të përmbledhë rezultatet e kësaj vizite. Raport i cili pritet  t’i dorëzohet rreth muajit shkurt të vitit të ardhshëm prej UNESCO-s qeverisë shqiptare.
http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=246008

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate