16 novembre 2012

Ikona Shqiptare e shek. 14 – 19 NË GALERINË KOMBËTARE TË ARTEVE


14 Nëntor 2012
Prof. dr. Hasan Nallbani
Një ekspozitë e hapur në muajin tetor në GKA, titullohej “Ikona Shqiptare e shek. 14 – 19”, titull që në mos qoftë një lapsus është një papërgjegjësi shkencore që nxit diskutime. Por në këtë rast nuk kam ndërmend të merrem me këtë aspekt.
Shkas për shkrimin tim është historia që mbartin këto ikona dhe përgjithësisht përpjekjet që janë bërë për t’i grumbulluar e ruajtur në vite.
Në vendin tonë ka munguar kultura e duhur për njohjen e vlerave të mëdha që ato paraqesin edhe si pjesë e çmuar e trashëgimisë kulturore. Përtej këtij momenti, në periudhën e pas viteve 67 e në vazhdim, në Shqipëri sistemi komunist bëri përpjekje për të dënuar e nxjerrë jashtë shpirtit të shqiptarëve Zotin dhe ato vende që përfaqësonin selitë e shpirtit të njerëzve që besonin tek Ai. Dhe për koincidencë ikona e Shën Mëhillit e shek. 15-të, që hap serinë e ikonave të ekspozitës, e paraqitur në këmbë, me përmasa gati 2 m x 90 cm, më solli në kujtesë historinë sa të çuditshme aq edhe dramatike të fatit të saj, një vepër që është ndër më të vyerat e koleksionit të Muzeut të Korçës. Këtë ikonë e kam prekur vite më parë, kur ajo duhej t’i nënshtrohej një restaurimi të pjesshëm, për arsye se duhej të çohej në Francë, si pjesë e një koleksioni ikonash. Pra lindi nevoja e kryerjes së disa ndërhyrjeve të kufizuara restauruese, që kishin të bënin kryesisht me pastrimin e ikonave nga mbivënie e shtresëzime papastërtish që mund të largoheshin me mënyra dhe materiale të rekomanduara në vitet ‘70. Kjo ndodhi 40 vjet më parë, kur unë isha i ri dhe pata fatin të përfitoj nga eksperienca e një restauratori italian, nga më të mirët, i dërguar nga UNESCO në Shqipëri. Për të mos zgjatur historinë e ndërhyrjeve tona, më vonë mbi pjesën më të madhe të serisë së ikonave që janë ekspozuar në galeri, po i rikthehem ikonës së Shën Mëhillit; i ndjeri Theofan Popa e kishte blerë këtë ikonë nga një bari për 50 lekë të vjetra, që ishte vlera e një dite pune në fshat në atë kohë. Bariu e përdorte ikonën si një derë gardhi për të mbajtur brenda bagëtitë në ditët e nxehta të verës. Ikona ishte bërë prej një cope dru arre, pjesërisht e djegur dhe ruhej gjithsesi në pjesën kryesore qendrore të saj. Kjo histori dhe histori të tjera të ikonave të ekspozuara duhen njohur për të kuptuar më mirë fatin dhe jetën e tyre, jo vetëm se si kanë mundur të shpëtojnë nga zhdukja dhe dëmtime të tjera, por edhe për mënyrën se si janë trajtuar dhe ç’histori ka procesi i konservimit deri në ekspozimin e tyre.
Kontakti im me ikonat ka qenë në vitet ‘60, kur isha student në Institutin e Arteve. Edhe pse merrja mësime për pikturën dhe ndiqja leksionet e historisë së artit, nuk kisha asnjë informacion mbi këtë kulturë që në ato vite konsiderohej kishtare “pa vlerë, obskurantiste, etj”, terma që denigronin një vlerë të jashtëzakonshme të shumë shekujve, për të cilën historia jonë nuk thoshte asgjë. Dhe befasia ime qe seria e ikonave të ikonostasit të Kishës Evangjeliste të Kalasë së Beratit, e restauruar nga dy restauratorë të dëgjuar çekë, të cilat i prezantonte i ndjeri Theofan Popa në ambientet e Galerisë së Arteve, asokohe në Rrugën Fortuzi në Tiranë.
Ikonat që i atribuohen “Onufrit” më befasuan me elegancën, mjeshtërinë, bukurinë e formës dhe ngjyrës, përshtypje që ruaj të freskët edhe sot pas 52 vitesh. Por cila ishte vlera e këtij momenti për mua, për gjithë studentët e shokët e mi, si edhe për njerëzit e interesuar për t’i kundruar ato? Ajo për mua qe një shkëndijë, ndërsa për vendin dhe kohën qe një dritë që bëri të ndërgjegjshëm shumë njerëz për këtë pasuri që gjendet në vendin tonë. Sigurisht nuk dua të zgjatem rreth tërheqjes time me kulturën mesjetare, por dua të sjell në memorie dhe të vë në dukje një rol dhe punë të jashtëzakonshme të të ndjerit Theofan Popa, atëherë kur në kodra e vende ku ndodheshin kishat, ku nuk mund të përdornim as kafshë, me krahë ne çonim një gjenerator portativ që të ndriçonte ambientet e braktisura të kishave të Shqipërisë, për të dokumentuar ato vlera historike e artistike. Ishte detyrë e ekspeditës tonë të drejtuar nga Theofan Popa, që nga lista e gjatë e monumenteve të artit mesjetar në Shqipëri duhej të shënoheshin në ruajtje shtetërore vetëm 120 syresh, dhe të tjerët të liheshin në dorë të fatit apo të disa kooperativave bujqësore për t’i përdorur si depo ose “vatra kulture”, kjo e fundit ishte “kisha e re” që filloi të ndërtonte sistemi komunist.
Fati i ikonave ndoqi një tjetër drejtim; për ato pjesërisht u bë inventarizimi me një skedë që vendosej nga mbrapa, ku shënohej prejardhja, titulli, autori dhe përmasat. Por veç ikonave të listës së kishave në ruajtje, ishte edhe një numër i madh ikonash i kishave që nuk do të hynin në këtë listë. Të gjitha këto u bënë nëpërmjet një pune e vullneti shembullor nga Theofani, i cili bëri grumbullimin, inventarizimin dhe dërgimin e tyre në Korçë, në ambientet e Kishës së Mitropolisë, të cilën sistemi e ktheu në Muze të Artit Mesjetar. Puna e parë që u bë nga sistemi, ishte prishja e kishës; ambientet e naosit, narteksit, etj., duke i dhënë pamjen e një ndërtimi që ngjante më shumë me një punishte të vogël. Shumë ambiente u mbushën me fotografi, makete shtëpish e kështjellash, kopje mozaikësh etj., për të fshehur karakterin e natyrshëm që duhej të kishte një muze ikonografik, brenda të cilit kishte edhe një fond të pasur që duhej të ruhej në kushte optimale.
Sot që shoh këto ikona, pjesa kryesore e të cilave janë fondi i muzeut “Onufri”, dua të sjell në kujtesë idenë që patëm për t’i grumbulluar dhe ekspozuar në ambientet e hajatit të mbyllur të katedrales në Berat. Mund ta quaj një gjest dashamirës dhe tolerant për frymën që ishte në ato vite, kur ndërtoheshin muze të luftës kundër fesë, ndërsa ne në Berat me një ekip njerëzish të ish-degës së monumenteve të qytetit, ngritëm një muze modest për nga përmasat, por shumë të çmuar për vlerat që përmban.
Në mbyllje të këtij shkrimi të shkurtër për vitet plot trazira e vështirësi që kaloi vendi, theksoj se kishte njerëz si Theofan Popa që nën lëkurën e errët e të frikshme të diktaturës, patën ndërgjegjësimin dhe kurajën të ruajnë një pjesë të kësaj trashëgimie, dhe imagjinoj sesa pjesë të tjera janë vjedhur, djegur, zhdukur e dëmtuar. Pa punën dhe vullnetin e të ndjerit Theofan Popa nuk mund të ishte sot Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë dhe as fondi i pasur i ikonave që ai ruan. Por paradoksalisht, ndërsa Theofani mblidhte ikonat dhe dokumentonte objektet e kultit në territorin e Shqipërisë, me një makinë të vjetër që shpesh mbetej në baltën e rrugëve të Myzeqesë, në lagjen ku ai banonte në Tiranë, i sajuan një gjyq të hapur ku e akuzonin me dëshmitare të rremë se kishte përvetësuar ikonat, të cilat ai i mblidhte dhe i dërgonte në Korçë. Pak kohë më vonë i arrestuan dhe i dënuan me burg të birin, Dhimitrin, me akuzën se propagandonte ideologji fetare. Unë dhe shumë të tjerë që e kanë njohur nga afër Theofanin mund të dëshmojmë jo vetëm përkushtimin e tij, por mbi të gjitha ndershmërinë dhe patriotizmin që e karakterizonte. Ai ishte modeli i njeriut të palodhur dhe kurrsesi të korruptueshëm.
Pra, duke u rikthyer në zanafillën e këtij shkrimi, më erdhi keq që në këtë rast nuk u fol për këto fakte dhe për kontributin e këtij njeriu i cili është lënë në harresë duke nënvlerësuar punën dhe sakrificën e tij. Ekspozita që pashë në galeri më ngjalli mjaft nostalgji, brenda të cilës ka jo vetëm kujtime, por edhe brenga, emocione dhe rijetime të shumë ngjarjeve që patëm rastin t’i jetonim në vitet tona të rinisë, me tërë dramën dhe kompleksitetin e ngjarjeve historike që jetoi gjithë vendi ynë.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate