
MASHTRIMI Flamujt që valëviten në dritaret dhe ballkonet e qindra mijëra familjeve, apo bluzat që ata mbajnë veshur me shqiponjë nuk përfaqësojnë flamurin dhe shqiponjës sonë kombëtare të përcaktuar me ligj. Flamujt që po shiten me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë nuk përfaqësojnë flamurin tonë kombëtar. Si nga përmasat e tij, por edhe nga ngjyra, pasi nuk është e kuqe gjaku, por është një ngjyrë e kuqe e shpëlarë, por ka edhe raste që është edhe rozë. Ndërkohë që shtrembërim më të madh i kanë bërë simbolit të shqiponjës, në krahët e saj pendët nuk kanë numrin e duhur, por kanë edhe një zgjatje të nofullës së poshtme. Kryetari i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar, Islam Cani ka kërkuar që këto flamuj të hiqen nga tregu, pasi po shkelet ligji për të drejtat e konsumatorit. “Duhet që autoritetet shtetërore të ndërhynë dhe të gjobisin subjektet që po tregtojnë artikujt me simbolet kombëtare, pasi nuk janë origjinale. Shteti duhet të marrë masa, pasi qytetarët po mashtrohen, duke iu shitur simbole të falsifikuara si simbole kombëtare. Neni 5 i ligjit për konsumatorin e thotë shumë qartë, se konsumatori duhet të vihet në dijeni për ato që po blenë. Ndaj një qytetar që po blen një flamur për flamur kombëtar, por që në fakt nuk është, i shkelet e drejta sepse po i jepet një produkt i falsifikuar”, - ka deklaruar Islam Cani. Më tej Cani ka folur edhe për abuzimin që po bëhet me çmimet e këtyre artikujve që po shiten për 100- vjetorin e Pavarësisë. “Gjatë kësaj jave në shoqatën tonë kanë ardhur 40 ankesa nga qytetarët për rritjen e çmimit të flamujve, bluzave, kapelave dhe suvenireve të tjera që po tregtohen me rastin e festës së 28 Nëntorit. Çmimet në pak ditë janë rritur nga 20-50% për çdo artikull”, - ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Konsumatorit.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Nga: ERMELINDA HOXHAJ
Nessun commento:
Posta un commento