Në Zvërnec, ku natyra prek historinë
TIRANË,14 Korrik / ATSH- N.Lena/ – Zvërneci gjendet pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të saj.
Pamja e parë mbi të mund të merret madje që në kodrat nga Kriporja deri sa mbërrihet në qytetin e Vlorës përgjatë rrugës që vjen nga Fieri.
Një urë druri rrethë 100 metra e ndërtuar mes për mes kënetës të çon drejt manastirit.
Në anën tjetër të ishullit gjendet “Kisha e Shën Triadës”, kjo kishë është e dëmtuar dhe e pa riparuar akoma. Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ndodhen rreth 14 km larg nga Vlora, aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon laguna e Nartës.
I tërë peisazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste dhe ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi. Përveç bukurisë natyrore, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X-të pas Krishtit.
Ai kishte një bibliotekë kishtare shumë të pasur. Murgu i fundit nga manastiri është larguar në vitin 1967, kur në Shqipëri u mbyllën objektet fetare. Për shumë kohë manastiri qëndroi i mbyllur, u plaçkit dhe u dogj. Gjatë kohës së komunizmit, ishulli i Zvërnecit shërbeu si vend internimi përkundërshtarët e sistemit dhe manastiri si strehëz e tyre. Pas vitit 1990, manastiri iu rikthye përsëri funksionit të tij fetar. Sot ai gjendet i rikonstruktuar dhe shumë interesant për tu vizituar.
Veçanërisht ditën e 15 gushtit, e cila përkon me ditëlindjen e Shën Mërisë, manastiri dhe gjithë ishulli është i mbushur me besimtarë dhe vizitorë të shumtë
Gjatë gjithë stinës së verës manastiri nuk mbetet bosh. Kisha ortodokse ngre aty kampingje për fëmijët që vijnë si pushues disa ditorë nga i gjithë vendi.
Jo vetëm Zvërneci me ishullin dhe manastirin e tij, por e gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët.
Laguna e Nartës zë gjithë pjesën veri-perëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhët nga duna ranore. Nga që laguna komunikon nëpërmjet dy kanaleve me detin, uji i saj është i kripur. Kjo ka krijuar mundësinë që rreth 1/3 e lagunës të shfrytëzohet për nxjerrjen e kripës.
Me interes të veçantë për tu vizituar nga turistët janë edhe dunat e Nartës. Ato gjenden në perëndim të lagunës , në brezin rënor që ndan lagunën me detin. Mbi to ka bimësi barishtore, por edhe shkurre kripëdashëse të vogla. Në një pjesë të tyre rreth 30 vjet më parë janë mbjellë bimë drurore si pishë dhe akacje.
Rritja e tyre dhe gjëndja është e mirë. Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike, pasi mbrojnë tokat arë në lindje të tyre.
Vizitorët mund të futen në Zvërnec duke u nisur nga qyteti i Vlorës apo duke ardhur edhe nga qyteti i fierit. Zvërneci mbetet një nga pikat më të afërta ku gërshetohet bukur turizmi natyror me atë detar dhe kulturor, ku historia prehet në krahët e natyrës./a.g/http://www.ata.gov.al/ne-zvernecku-natyra-prek-historine-288895.html
Nessun commento:
Posta un commento