21 ottobre 2012

Përfundon Maratona e Tiranës 21-tetore-2012 ku moren pjese maratonistë nga Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia dhe SHBA, Italia, Gjermania, Franca, Hungaria, Polonia, Turqia, Suedia, Rusia, Kenia dhe Serbia


Keniani Elisha Kiprotich dhe moldavja Svetlana Shepeleva hyjnë në histori si fituesit e parë të Maratonës Ndërkombëtare të Tiranës, e para që bëhet në kryeqytetin shqiptar. Në vendin e dytë në kategorinë e femrave në maratonën e Tiranës, që ishte rreth 42 km, u rendit atletja shqiptare Luiza Gega.
TIRANE - Ka startuar sot për herë të parë, Maratona Ndërkombëtare e Tiranës. Rreth 3000 vrapues, mes të cilëve 800 maratonistë të ardhur nga 13 vende të botës i janë bashkuar sot Maratonës së Tiranës. 

Tirana i është bashkuar sot qyteteve të ndryshme të botës që kanë Maratonën e tyre Ndërkombëtare, ndërsa 21 tetori i vitit 2012 do të mbetet në histori, si nisja e Maratonës së parë Ndërkombëtare të Tiranës. Në ceremoninë e nisjes së kësaj maratone, ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, sportistë të njohur etj. Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka shprehur entuziazmin, që sot u bë realitet ëndrra e qindra maratonistëve shqiptarë. 

Maratona e Tiranës, Basha: Shenjë e përkushtimit për një qytet modern e evropian “Kjo është Maratona e parë Ndërkombëtare në historinë e qytetit tonë dhe na ka bashkuar sot krah për krah në sheshin “Skënderbej”, maratonistë nga Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia dhe SHBA, Italia, Gjermania, Franca, Hungaria, Polonia, Turqia, Suedia, Rusia, Kenia dhe Serbia. Dua që në emër të qytetit të Tiranës, t’u uroj të gjithë maratonistëve, të ardhur sot për Maratonën e parë Ndërkombëtare të Tiranës, një mirëseardhje. Sot, jam shumë i lumtur, që bashkë me partnerët tanë bëmë realitet ëndrrën e qindra maratonistëve, siç po bëjmë realitet ëndrrat dhe dëshirat e mijëra qytetarëve të Tiranës. Tirana është sot një qytet plot shpresë. Këtë gjë e dëshmon edhe prania mes nesh e kampionit Olimpik, në Londër 2012 dhe kampionit të botës Rafael Wilt, të cilin dua ta falenderoj, që u bë pjesë e Maratonës së parë Ndërkombëtare të Tiranës” – u shpreh kryebashkiaku Basha. 

Kryetari i Bashkisë e ka konsideruar këtë maratonë, shenjë të përkushtimit për një Tiranë moderne evropiane, ku të jetohet, punohet dhe shijohet më mirë jeta. 

“Ajo që më mbush plot gëzim është fakti që në këtë maratonë të parë të Tiranës marrin pjesë rreth 3000 pjesëmarrës, 800 prej të cilëve janë regjistruar me dëshirën për të sfiduar njëri-tjetrin dhe vetveten. Them që më mbush me gëzim, pasi krahasuar me Maratonën e parë në Berlin, e cila sot ka pjesëmarrjen më të madhe në botë, në vitin 1974 morrën pjesë vetëm 272 vetë, apo në New York, në vitin 1970, vetëm 500 vetë dhe kjo është dëshmia më e madhe e dëshirës, entuziazmit dhe vullnetit të qytetarëve të Tiranës, për të kapur kohën e humbur, për të vrapuar drejt standardeve më të larta në sport, art, kulturë, ekonomi, pra standarde më të larta në jetën e tyre. Kjo është shenjë e qartë e përkushtimit tonë, që Tirana të kthehet në një qytet modern evropian, ku të jetohet, punohet dhe shijohet më mirë jeta” – theksoi Kreu i Bashkisë. 

Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar këtë maratonë, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Tiranës si dhe një perlë në kurorën e 100 vjetorit të Pavarësisë.

“Organizimi i Maratonës Ndërkombëtare në Tiranë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kryeqytetit tonë. E organizuar në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, vjen si një perlë e vërtetë në kurorën e këtij 100 vjetori. Asgjë nuk shëmbëllen më shumë, rendja në 100 vite e Shqipërisë dhe shqiptarëve, sesa rendja juaj sot në këtë vrapim të lodhshëm, të mundimshëm, por jashtëzakonisht të rëndësishëm. Sot, sytë e mbarë qytetarëve të Tiranës, mbarë qytetarëve të Shqipërisë janë të drejtuar tek kjo garë e bukur, fisnike, tek marathonomakët dhe marathonomaket e kryeqytetit, tek lajmëtarët dhe lajmëtari i fitores. Shpreh kënaqësinë e madhe që kjo maratonë organizohet gjithashtu në një vit të ardhshëm elektoral dhe është një ogur i bardhë, për të gjithë ata që rendin sot për mbarë shqiptarët” – u shpreh Kryeministri Berisha. 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate