14 ottobre 2012

Në festivalin e parë të mollës “Korça 2012”

KORÇË-13 Tetor 2012 - 19:01  Në Komunën e Progrit në rrethin e Devollit,u çel sot Festivali i Mollës “Korça 2012”, i cili do të zhvillohet për dy ditë rresht ,13 e 14 tetor, në këtë komunë e cila është një nga prodhueset më të mëdha të mollës si dhe në qytetin e Korçës.

Ky festival mblodhi prodhuesit dhe shoqatat prodhuese të mollës nga qarku i Korçës, grumbulluesit, tregtarët, përpunuesit, specialistët dhe agjencitë mbështetëse që kanë bërë të mundur sjelljen në treg dhe tek konsumatori të mollës, me cilësitë më të mira të saj.

Një festival i tillë është i pari i këtij lloji në vendin tonë, organizuar pas vjeljes së prodhimit të mollëve, nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë në Korçë dhe Fondacioni Amerikan USAID, që ka dhënë një ndihmesë të çmuar, në 20 vitet e fundit, ashtu siç u shpreh në fjalën e vet drejtori Xhoni Bernardi, nëpërmjet zbatimit të Programit Konkurreshmëria e Bujqësisë Shqiptare (AAC), duke stimuluar rritjen e qëndrueshme të sektorit bujqësor në Shqipëri për përmirësimin e prodhimtarisë, lidhjen e fermerëve me tregjet, forcimin e kapaciteteve prodhuese e përpunuese etj, e duke e pare e vlerësuar edhe në të ardhmen kontributin në sektorin e bujqësisë, si sektori më i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare që punëson njerëz e gjeneron të ardhura.

Ministri i Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit,Genc Ruli duke përshëndetur fermerët korçarë për rezultatet e arritura në frutikulturë , vuri në dukje nga ky festival, se Korça në 10 vitet e fundit, është kthyer për bujqësinë shqiptare në një fushë eksperimentale të ideve të reja dhe eksperiencave të praktikuara në këtë rajon, ku të ardhurat nga prodhimi i mollës janë nga 15-20 mijë dollarë për ha, ose 10 herë më shumë nga gruri, ose kultura të tjera bujqësore.

E veçanta e fermës korçare, theksoi Ministri Ruli, është specializimi i fermës korçare, ku në këtë rajon gjen sot 1500 ferma të kultivimit të mollës me sipërfaqe mbi 100 ha dhe ku rendimenti në këtë kulture është 10 herë më ilartë, se sa në vitet ’90-të.

Për këtë, i garantoi Ruli fermerët, qeveria shqiptare do ti mbështesë edhe në të ardhmen ata, nëpërmjet skemave financiare për zgjerimin e sipërfaqeve me drufrutorë, aplikimin e teknikave të reja në hallkat e prodhimit e sidomos në ujitje, futjen e kultivarëve të rinj, rritjen e kapaciteteve ruajtëse e përpunuese të frutave etj.

Ai falenderoi USAID-in, si një partner të rëndësishëm të bujqësisë shqiptare, jo vetëm për aftësimin e sipërmarrësit të sotëm të agrobiznesit për të marrë pjesë në zinxhirin global të vlerave, por edhe për kreditimin nga ky fondacion që është një mundësi e madhe për rritjen e prodhimit komercial konkurues.

Kurse Drejtori Rajonal i Bujqësisë Adrian Maho, vuri në dukje se sipërfaqja e mbjellë me mollë në Qarkun e Korçës, ze 1850 ha, me një potencial prodhimi vjetor rreth 40 mijë ton që përbën 65 % të prodhimit të mollës në shkallë vendi.

Vetëm nëpërmjet skemave mbështetëse për fermerët, me grande nga qeveria shqiptare, theksoi Maho, u shtuan pesë vitet e fundit edhe 600 ha pemëtore të reja që priten të hyjnë në prodhim, u futën në system ujitje me pika 250 ha, u ngritën me kredi me interes të ulët 25 frigoriferë me kapacitet 7 mijë ton, për ruajtjen optimale të vlerave të prodhimit të saj, dy fabrika të përpunimit të frutave për lëngje e produkte të tjera, gjithashtu rajoni i Korçës, është sot prodhuesi kryesor i materialit gjenetik të mollës, me rreth 350 mijë fidanë në vit, veçanërisht për shtimin e kultivarëve autoktonë si “Starking”, “Gold”, “Hoçishtare”, etj. që kanë rendiment të lartë e janë ndër më të kërkuarit në treg.

Pikërisht veç ekspozimit të larmisë së prodhimit të mollës e produkteve të saj nga fermerët e përpunuesit, vend të veçantë në këtë festival kapi edhe ballafaqimi i vlerave të mollës nga aktorët që janë përfshirë në tëra hallkat e prodhimit e përpunimit të saj.

Zona e Korçës, është një ndër zonat më të njohura të Shqipërisë për cilësinë e prodhimit të mollës dhe kultivimin e saj.

Tradita në mënyrën e kultivimit dhe kushtet gjeo-klimaterike të zonës, janë vlera të cilat pasqyrohen në shijen e veçantë që ka molla e Korçës.

(d.b/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate