Një muze për Mat’hauzenin
shqiptar -Hidhet ideja për
burg-minierën e Spaçit
Miredite nje nha vlerat e kujteses historike te vendit tone eshte dhe burgu i spacit ne Mirdite, i cili mbeshtillet me nje pelhure historike dramatike.
Lindur si nje aushvic i nje diktature komuniste ku mbizotronin qindra mija metra tele me gjemba, ku torturat ishin ne rendin e dites sot kjo strukture po frekuentohet shume nga turiste te huaj ashtu si dhe vendas. Nevoja per ta para dhe ta kujtuar kete aushvic vuajtjesh per shqiptaret ku pjesa me e madhe e te denuarve ishin intelektuale, nga kjo lind nevoja per Investimet dhe projekte per te rindertuar kete strukture e cila tregon te ardhmen duke na kujtuar qe ato kohe nuk duhen te riperseriten me.
Ne germallat e ketij monumenti prej tulla, llac, hekura e beton fshihen historira qe nje personi nomar nuk do i shkonin ne mend por vetem ata qe e kane perjetuar mund tju tregojne se si ferri egsistonte edhe ne shqiperi.
Po te shkoni te vizitoni kete strukture sot sdo te gjeni rrjetat, rojet apo terror por ne grykat e lugines dhe ne portat e minierave do te vereni gervishjet e nje diktature plot terror ku mijra persona dhe intelektuate lane nje pjese te tyre per nje akt qe nuk kishin bere.
Pak shënime…
“….Asgjë më
reale se përfytyrimi i një fëmije nuk mund të ta sjellë
në kujtesën e kohës Spaçin, këtë fshat disi të humbur,
por me një histori të kahershme mjaft të pasur për nga
krerë të zëshëm, klerikë të lartë si Dom Prend Suli, e
pse jo, studiues të njohur në historinë mirditase, por
që për fat të keq që nga viti 1968 zëmadhja i erdhi prej
kampit famëkeq, m’u në Mekuç, aty ku si me porosi dielli
e ndriçonte vetëm 2 a 3 orë në ditë në mes të gushtit
atë “sofër vend” mbi krye të këtij ferri dantesk!
Je veçse 5 a 6
vjec, banor në anën tjetër, në këmbë të maleve, që
mbështeten rëndë si një kurriz gjigand, që fillon buzë
Repsit e ngjitet përpjetë majë Mollëzës për të
përfunduar në formën e një harku në qafë të Munellës,
kur në kokë të është formuar misteri i një bote tjetër
“me armiq”, siç na e tregonin më të rriturit. Dhe këta
të fundit, në ato anë, kishin filluar një punë nga më të
çuditshmet, gjysëm të lirë, gjysëm të burgosur. Kështu
ritualisht, prej dekadash, një jetë të tërë, gjysh,
babë, bir. Dekada të tëra kështu, qëkurse kish nisur të
çahej “barku i pasur” me bakër e pirit i Spaçit,
fillimisht i shfrytëzuar me karrierë e më pas përmes një
rrjeti të tërë me tunele, galeri, furnele, shembje të
mëdha ku rehat mund të vërtiteshin avionë brenda e deri
traverbangë, gati sa për shtegtuar brenda edhe trena
elektrikë. Një hapësirë kjo e përshkuar prej qindra
kilometrash nga mirditorë, por dhe banorë të trevave të
tjera, sëbashku me “armiqtë e popullit”.
Kampi i
tmerrshëm
Sapo kalon
Qershizën me jeshillëkun e saj, relievi thyhet krejt
papritur në hone të pjerrëta, sa duhet të kesh mendjen
në çdo hap që hedh. Këto ulje-ngjitje të thepisura
punëtorët e lirë, siç quheshin, që nga fshatrat e Fanit,
Oroshit, Kacinarit, Gjegjanit të Pukës e më tej, i bënin
ditë për ditë, tri turnesh. Gati kaq ishte dhe liria e
këtyre njerëzve, përjashtuar orët në mes kampit që
qarkohej nga tela me gjëmba. Natën
sidomos,
prej këtu, shfaqej një det i tërë dritash, që kundrohej
që nga larg. Kampi megjithë fjetore e shpatet e galerive
të shumta, përafrohej me një qytet goxha të madh,
ndriçimi natën bëhej i veçantë, me lloj-lloj dritash e
prozhektorë të fuqishëm, që rrotulloheshin peridokisht
nga ushtarët e vendkomandove për të ndriçuar çdo kaçube
a gëmushë. Nëse ndërpriteshin dritat një stacion i
fuqishëm gjeneratorësh me rezervat e tij ishte gati,
ndërkaq në intervalin në mes ndezjes së tyre, dhjetra
fishekzjarre çanin qiellin e Mekuçit, jo për të zbavitur
e kënaqur syrin e kureshtarit, por për të ruajtur
“kufirin e burgut” nga shkelësit armiq!
Kampi përbëhej
nga dy ansamble fjetoresh, njëra më e madhja e ngritur
në majë të një shkëmbi, improvizuar si shesh, ndërtuar
me mundin e vetë të dënuarve, kjo për të burgosurit
politik dhe në anën tjetër, në pak distancë ndërtesat
përdhese të ordinerëve.
U zbulua një
armik në fshat
Gjithnjë më
mundonte në imagjinatën time fëminore të atyre viteve,
përfytyrimi për një armik, të dije diçka brenda tij duke
t’u feksur si një fantazmë, “diçka e egër”, një njeri
kundër pushtetit, diçka si tej njerëzores. Rrëfimet e
prindërve, mësuesve, aktivistëve të frontit etj, ku si
kureshtarë nuk mungonim aty në rradhët e fundit të
mbledhjeve të kësilloj, e kishin bërë të veten: armiku i
klasës me të këqijat e tij na ishte ngulitur në tru si
simbol i së keqes së madhe që i kanosej përditshmërisë
sonë të jetës në “sistemin e lumturisë”!.
Ndaj dhe Spaçi
m’atanë,
ato njerëz me rroba të kuqërremta e me kapela të bardha
më së shumti, që varg merrnin rrugën për në turrnet e
punës nga fjetinat e anasjelltas të tre turnet, na
përngjasej me një botë misterioze me qenie gati
jashtëtokësore.
Por, ja që një
ditë, “armiku i popullit”, na u bë realitet pikërisht në
fshatin tonë. Një banor, të cilin e njihja mirë, kisha
qenë disa herë tek shtëpia e tij, mësova se e kishin
arrestuar. “E more vesh për Zefin, më tha dikush. Hë?
Doli armik! Si?! Zefi armik….”.
Po kush ishte
ky Zefi?
Një marangoz i
mirë, njeri i urtë, i dashur sidomos me ne fëmijët,
zanatli dhe i përpiktë. Nuk kishte ndonjë shkollë, por
ishte i mbarë dhe i qetë, strukur në punët e veta.
Ku vajtën dhe
na e nxorën armik Zefin?!-shqyenim sytë ne fëmijët nga
habija, dhe mundoheshim, të pikasnim diçka të tillë kaq
misterioze që ai nuk na paskësh rënë në sy dhe ne të
vegjëlve. Thjeshtë qe ankuar për bukën-gur të misrit!
Kush ishte
armiku i vërtetë?!...
Duhet të ketë
qenë marsi i vitit 1967 kur Mehmet Shehu me një grup
shoqëruesish, duke inspektuar minierën e Spaçit, që
asokohe punohej me punëtorë të lirë të zonave përreth e
më gjerë, pasi i hedh një sy terrenit perfekt që të
kujtonte ishujt izolues të romaneve me personazhe ku
ngujohen të rrezikshmit e mbretërive a tjetër, duhet të
ketë thënë me vete: “po, këtu e meritojnë armiqtë e
Partisë dhe të Popullit!”.
Dhe kaq u desh
që miniera e Mekuçit në Spaç të shndërrohej në kamp
riedukimi prej punës njëvjeçare të të burgosurve
ordinierë, në kohë rekord ata e bënë gati bujtinën e
madhe për 400 të dënuarit e parë politikë të ardhur nga
reparti 307 i Valasit të Elbasanit, e kjo daton dhe
majin e vitit 1968. Këtë ditë nis dhe historia zyrtare
me “armiqtë e vërtetë të Spaçit të famshëm…!”.
Që në vitin e
parë të ngritjes së këtij kampi, pak kilometra tutje
fshatit tonë, përveç perceptimeve nga tregimet e
librave, si fëmijë që ishim po e përjetonim dhe një
mënyrë tjetër punën e armiqve të klasës! Ngjiste që në
mes të natës, prindërit tanë të merrnin pushkët gjermane
e të zinin pozicionet e caktuara në pikëkalime për të
kapur të arratisurit nga ky burg, kur ngjiste kjo gjë.
Ne dridheshim më shumë për prindërit tanë, duke i
menduar të burgosurit jo vetëm si xhindër, por dhe të
armatosur më së miri, pa e ditur se ata të mjerë, për
t’i rezistuar shijimit të lirisë, që e kishin provokuar
nëpër tunele të hapur apo ikje nga rrethimet me tela,
kishin nëpër xhepa veçse nga dy a tri qese sheqer e
biskota 10 lekëshe, shqyer nga rrobat e murme, gjakosur
nga këmbët, tretur nga frika.
Dhe historia e
arratisjeve nga ky burg, pavarësisht pozicionit shumë
strategjik, rrethimeve me tre palë tela, vendkomandave
të fortifikuara, janë nga më befasueset, që nga ato të
drejtpërdrejta duke shfrytëzuar netët me mjegull e deri
tek ato përmes galerive të nëndheshme. Megjithatë liria
e këtyre guximtarëve nuk vazhdonte më shumë se 4-5 ditë,
pasi “populli-ushtar”, do t’i fuste shpejt në çark për
t’ua bërë dhuratë edhe disa vite të tjera dënimi.
Jeta në kamp
Në fakt jo
shumë të dënuar e sillnin në mendje arratisjen nga
burgu. Fatin e jetës ata ua kishin nënshtruar rregullave
të këtij burgu, duke u adaptuar me to deri në
perfeksion, fjetjen e përbashkët në kapanone, punë,
lexim gazetash, letërsi politike (sidomos veprat e E.
Hoxhës), koha e lirë dhe më e shumta në meditime përmes
një xhiroje që bëhej në një taracë pallati, nga ku ne i
shihnim me habi çdo ditë në të njëjtin orar, thuajse;
ndonjë gatim i vogël, letra për familjet e të afërmit,
natyrisht të dërguara në zarfa të hapur! Pastaj
shoqëritë. Nuk ekzistonin dhe aq shumë të zgjeruara,
edhe në ndodhtë në ndonjë rreth 3-4 vetësh, pak si e
dyshimtë në vetvete, hija e spiunëve ishte kthyer në
instikt vetmbrojtjeje. Ngjiste kjo, siç pohon një burim
konfidencial i ish-sigurimit, se “nuk mund të mbaheshin
ndryshe 1000 burra atje...”
“Mbaj mend që
të dënuarit politikë jetonin si nën hije, -thotë burimi,
nga frika e spiunëve, sepse prej tyre, mbase i kishin
dhe ato vite burg, ata dëshmitarët “në të rrenë”,
profesionistë ama! Po ç’ishin këta? Vetë burimi
konfidencial vazhdon të sqarojë se këta njerëz të vesit
të ulët, duke dhënë dëshmi të paqena, stimuluar dhe nga
operativë sigurimi që kërkonin karrierë përmes këtyre
farsave, futnin në rrjetë viktimën e rradhës. Sidomos
vitet 1976-80 shënojnë dhe kulmin e kësaj veprimtarie të
dëshmitarëve profesionistë.
Siç përmendëm dhe më sipër të burgosurit shkruanin shumë letra
për të afërmit, por ato më parë i nënshtroheshin leximit
nga komanda e burgut. Komanda e ndjente veten ngushtë me
letrat që shkruheshin me metafora apo simbole ose
shprehje lakonike të mezikuptueshme, ku disa përfundonin
dhe në gjykata dhe në varësi të gjykimit të ekspertëve
gjuhësorë, vendosej dhe për fatin e letërshkruesit!
Letra u
bëheshin edhe autoriteteve zyrtare si Kuvendit Popullor,
Kryetarit të Qeverisë, ministra, por dhe Enver Hoxhës
direkt. Këtij të fundit madje i shkruhej më shumë, sepse
siç thonin ata “po ta dijë Enveri punën time, unë s’jam
më në burg”. Psh, një letër iu desh një të dënuari Ukë
Mustafa, shofer nga Puka, duke i treguar Enverit
historinë e një fotoje të tij, që e mbante me dashuri në
xhamin e përparmë të makinës. Një ditë xhenerikët ia
bënë atë padashje me graso duke ia lerosur fytyrën
Enverit në foto, gjë që e detyroj Ukën ta griste atë,
por që u gjendën menjëherë dëshmitarët-spiunë, që
shkruajtën letra për grisjen që ai na i paskësh bërë
portretit të Enverit. Për këtë u dënua me disa vite
burg, por letra sqarurese për Enverin, bëri që nga ana e
këtij të fundit të dilte porosia për ta liruar në vend.
Takimet
speciale
Shumica e
këtyre burrave ishin të martuar, një pjesë jo,
megjithëse të dy palëve fati u kishte kurdisur beqarinë
e përjetshme, larg vatrës familjare, thënë më shkoqur,
shtratit bashkëshortor. Por takime bëheshin që nga ato
10 minutëshe, 1-2 orë e deri tek ato të zgjaturat të
quajtura speciale. Të parat bëheshin pa ndonjë burokraci
të tepruar, por gjithsesi të survejuara, të fundit jo,
ato ishin thuajse tërësisht intime. Katër dhoma të
posaçme qëndronin çdo natë të mbushura e madje, kur
rastiste oficeri i rojes shpirtmirë, lironte dhe ca
dhoma të tjera të izolimit, që këta burra të paktën “të
patredhur” ende fizikisht, të mund të shfrynin dhe
epshet e tyre mashkullore, kuptohet tek gratë e tyre.
Ndërkaq përgjuesit ose “çimkat”, siç thuhej, viheshin
vetëm për ndonjë objekt me interes për Sigurimin.
Ardhja e grave
të të burgosurve, sidomos nga viset joveriore, sepse
burrat namuzli të këtyre anëve nuk para i pëlqenin
takime të tilla, ishte një odise më vehte. Si të ishin
të damkosura dhe ato, makinat me targa të vendit nuk i
qasnin, ndaj shpesh ato e bënin rrugën në këmbë që nga
Shpali në Spaç, afro 3-4 orë të mira, ku dhe shpesh
binin viktima të dhunimeve seksuale nga shoferë maniakë
seksualë a të tjerë, por ngacmime seksuale u ofroheshin
edhe prej ushtarakëve apo punëtorëve, që u siguronin
shtëpi për të fjetur atë natë pritjeje, në mungesë të
një hoteli a bujtine tjetër shtetërore në atë gropë që
quhej Spaç. Ndërkaq dhe kthimi prej Spaçit u përcillte
të njëjtin fat.
Kjo ishte një
vuajtje e madhe për këta njerëz, të brenda burgut dhe të
përtej burgut, ashtu si dhe mënxyra tjetër, që kur
rastiste që iks i dënuar të vdiste në burg, nuk lejohej
marrja e kufomës, por varrosej dikund për ta vuajtur
dënimin kokërr më kokërr, ose tej përroit të Seftës, ose
në kodrën e Shpalit, kuptohet jashtë rrethimit ku ishin
varrosur ata, të lirët!...
Hafiz Sabri
Koçi kthehet në burg!
Kreu i njohur i
muslimanëve shqiptarë të pas ’90-së Hafiz Sabri Koçi ka
qenë për disa vite një prej të burgosurve politik të
këtij kampi. I njohur si burrë i pazë, i bindur në idetë
e tij antisistem, por i përpiktë deri në ekstrem në
zbatimin e rregullores, shquhej si një mekanik-tubist i
zoti në galeritë e minierës, por punonte dhe në pjesën e
repartit të jashtëm. Vitet e fundit të pleqërisë rrëfen,
një prej drejtuesve të brigadës së tij, e kishin lënë
pikërisht në repartin e jashtëm, jo në galeri. Kur
ngjisnin vdekje të të burgosurve, qoftë nga shembjet
aksidentale, apo vdekjet nga sëmundjet dhe vuajtjet e
gjata fizike, të burgosurit varroseshin kryesisht në
varrezat e Shpalit, por jashtë rrethojës, aty ku
varroseshin banorët e ndarë nga jeta të këtij fshati.
Varrimi bëhej në fshehtësi dhe kryhej pikërisht nga këta
punonjës të repartit të jashtëm, të cilët dërgoheshin
atje me autoburg, kryhej varrimi dhe ktheheshin sërish
në kamp.
Pikërisht në
një rast të tillë, pasi u bë varrimi i një të burgosuri
të aksidentuar, tek varret e Shpalit, kur i hipën në
atubourg të burgosurit, Hafizi u harrua, ndërsa
drejtuesi i kësaj brigade e pikas vetëm kur zbresin të
gjithë të burgosurit në hyrje të kampit. Mungonte
Hafizi. Mendja u shkoj se ai ishte arratisur, ndaj u
lëshuan në kërkim të tij. Por pikërisht disa kilometra
në mes Shpalit e Repsit, rrugës e shohin atë tek po
kthehej vetë në burg.
1973, revolta e
famshme!
Në vitin 1973
burgu i Spaçit banohej nga plot 1200 vetë. Në këtë masë
burrash bëhej kujdes të mos ndodhte revoltë a greva që
zëri të mos depërtonte tej rrethimit me tela, por më 21
maj të këtij viti ndodhi e papritura. Kampi u përfshi në
grevë totale, ndërkaq bateritë e shtetit u drejtuan
pikërisht në këtë gropë të madhe me emrin Mëkuç.
Si ngjau?
Sipas dëshmitarëve,
të burgosurve kishte ardhur në majë të hundës puna e
rëndë, kushtet e punës, pasi këtu jo vetëm do të kryeje
dënimin si i burgosur politik por dhe të punoje në
zgafellat e nëntokës në tre turne. Disa prej të
burgosurve e kundërshtonin punën, dhe përfundonin në
qelitë e posaçme për 30 a më shumë ditë, ndërsa më pas
detyroheshin të futeshin me zor në minierë. Kjo ishte
dhe kategoria e më të guximshmëve. Njëri prej tyre Pal
Zefi nga Sukthi i Durrësit, por me origjinë nga Mirdita,
e kishte kundërshtuar këtë, por i ishte nënshtruar
torturave çnjerëzore në sy të të burgosurve të tjerë.
Kjo i revoltoj dhe ata, duke ndërhyrë ndaj policëve
xhelatë, gjë që precipitoj më keq. Revolta u zgjerua në
rrathë koncentrikë, dhe për tri ditë kampi i Spaçit
ishte në duar të të burgosurve. Ishin tri ditë që i
njoftonin botës se liria kishte trimfuar në një oaz të
tmerrshëm të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Por liria brënda
burgut nuk zgjati për shumë kohë. Forca speciale dhe
reparte ushtarake të ardhur nga shumë qytete të vëndit,
nën thirrjet kërcënuese dhe me armët deri tek ato të
rënda si topa e mitrolozë u vendosën përqark burgut.
Vetë Feçor Shehu, eksponenti më i lartë në Ministrinë e
Brëndshme të kohës, ka drejtuar të gjihë operacionin
deri në shuarjen totale të saj.
Më pas filloj
kalvari i dënimeve të organizatorëve. Gjykata e Lartë e
cila instalohet me të shpejtë brënda kampit të Spaçit,
dënon duke dërguar për ekzekutim të shpejtë 4 të dënuar
të cilësuar si më aktivët: Pal Zefi, Skënder
Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko, që
do të merrnin dënimin kapital me pushkatim, ndërsa
dhjetra të tjerë do të ridënoheshin. Revolta do të
shtypej, por jehona e saj do të zgjaste jo pak.
Kjo revoltë, më e
madhja në historinë e revoltave antidikaturë në
Shqipëri, mund të konsiderohet dhe si përpëlitja e
fundit e inteligjencies shqiptare, që “shihte kah
Perendimi”, në ato vite të vetmisë së madhe, kur shpata
e Hoxhës po priste në mënyrë makabër dhe me mendje
paranojake grup pas grupi puçist. Kjo do t’i shtonte
vendit dhe afro 20 vjet lëngatë kombëtare.
Si e kujtojnë revoltën ish
të burgosurit?
Asllan Patrioti,
nga Durrësi:
Protesta
nisi fillimisht kur një i burgosur Pal Zefi, në shënjë
proteste për mbajtjen me të padrejtë në birucë erdhi me
shpejtësi në oborrin e burgut.
Policët që po e
ndiqnin e kapën dhe filluan ta rrihnin barbarisht. Ne
hezituam për momentin por një i burgosur në moshë të
vjetër, Gjin Doçi thirri duke thënë: o burra, o burra na
koriti qeni, pasi një i tillë që mbante për litari
filloi të lihte me forcë duke tentuar të largonte
policët. Menjeherë të gjithë të burgosurit si një ortek,
janë sulur mbi policët duke i përzënë nga burgu e duke
marrë të gjithë situatën nën kontroll. Pas kësaj filloi
djegja e këndeve të emulacionit me citatet e diktatorit
Enver Hoxha dhe u mundësuar ngritja e flamurit për herë
të parë pa yllin e kuq komunist.
Fran Gega, nga Mirdita:
Në
Spaç kam ardhur që me fillimin e këtij burgu në prill të
vitit 1968, dhe kam vijuar deri në vitin 1973, pra në
momentin e revoltës kam qënë i pranishëm. Një konflikt
me policinë, kur një bashkëvujtës i joni i quajur Pal
Zefi
nga Durrësi, nuk pranoj të punonte sepse një i burgosur
politik nuk kishte përsë punonte. Për këtë atë e patën
futur në birucë disa herë. Rastin më të fundit e lanë në
birucë për një muaj, por që rregulli nuk lejonte për më
tepër se një muaj. Për këtë ai u largua në mënyrë të
dhumshme nga biruca dhe u kthye në kamp. Në mëngjes ka
ardhur operativi me 12 policë për ta ridërguar me forcë
në birucë.
Një bashkëvuajtës i
yni që ishte agjent i komandës, edhe ai u sul për ta
kapur. Por një tjetër i burgosur Pavllo Popa nga Vraka
e Shkodrës, e kapi atë dhe e tërhoqi. Në kohën kur
policia e vuri nëpër këmbë, përmes një skene të
llahtarshme, 12 policë me një të burgosur, i gjithë
kampi plasi në revoltë. Kemi bërë grusht me policinë të
cilën e nxorëm përjashta.
Sa ditë zgjati
revolta?
Dita e parë ka qënë
e rëndësishme, ndërsa të nesërmen sikur u tulat i gjithë
burgu, e dinim mirë se shteti do të hakmerrej ndaj nesh.
Gjatë këtyre orëve pa kontroll, mbbaj mend se të
burgosurit filluan të hakmerreshin ndaj disa të
burgosurve që ishin spiunë dhe që kishin dalë dëshmitarë
në të rremë në shumë raste. Në moment policia e
shfrytëzoi këtë rast, dhe filloi të merrte disa nga më
aktivët. Kur po merrnin Pavllo Popën, shpërtheu një
revoltë më e fuqishme dhe gjithçka doli jashtë
kontrollit. Këtu filluam për herë të parë të shanim
sistemin përmes parullave politike. Situata u bë tejet e
rëndë pasi policia qëllonte pa pushim në drejtim të
godinave të kampit. Ja edhe sot e kësa dite duken vëndet
ku binin predhat e armëve të policisë. Për ca kohë e
gjithë vëmendja e shtetit u përqëndrua këtu. Gjatë kësaj
kohe ne përcaktuan disa pika të një rezolute me disa
pika që ia dorëzuam komandës.
Po ngritja e
flamurit si u arrit?
Ishte pjesë e
pashmangshme e atij procesi të atyre ditëve historike.
Dikush u kujtua për këtë. Një i burgosur solli një beze
të kuqe. Mersim Vlashi nga Mati, mundi të improvizonte
një shqiponjë pa yll në të. Sëbashku me një të burgosur
tjetër, Gjet Kadelin mundëm t’i vinim një ristelë për ta
ngritur. Shumë të burgosur mbani njëri-tjetrin deri në
taracë ku ai u vendos. Ishte një natë e vrullshme që
kurrë nuk na shlyhet nga kujtesa.
Ndërsa ajo pati
edhe fundin e saj?
Patjetër që ajo do
ta kishte një fund. Fundi ishte i hidhur për të dyja
palët. Diktatura mori një shuplakë të rëndë, ndërsa nga
ne u ekzekutuan 4 të burgosur, dhe 8 të tjerë u dënuan
me burg të përjetshëm.
Isa Isufi nga Shkodra:
Jam arrestuar në
vitin 1962 dhe kam qëndruar në burg deri në vitin 1981,
i akuzuar për strehim dhe përcjellje jashtë atdheut të
disa
“diversantëve” në zonën time të Postrribës. Isha i
martuar dhe kisha lënë një vajzë dy vjeçe të lindur. Kur
dola nga burgu e gjeta vajzën time të martuar, dhe me
një vajzë të vogël po 2 vjeçe. Me dukej sikur kjo ishte
vajza ime dhe koha kishte mbetur në vënd.
Bukurie Muho Bala, nga Shkodra:
Kam
ardhur në moshën 8 vjeçe për herë të parë në këtë kamp,
për të parë babain tim Muho Bala i cili më kishte lënë
një muajshe e gjysë . Kujtoj se rrugën nga Repsi e deri
këtu në burgun e Spaçit e mora në këmbë. Erdha dhe e
pashë babain tim të cilin nuk e kisha parë kurrë, por e
njoha edhe pse polici deshi të bënte një eksperiment
nëse e njihja në mes tre të burgosurve të tjerë. Më lanë
në takim me babin tim vetëm 7 minuta. Kam ardhur edhe
një herë në moshën 10 vjeçe dhe më pas vetëm kur u kthye
nga burgu. Më gjeti me dy fëmijë të rritur, pasi ai bëri
rreth 27 vjet në këtë burg por edhe në burgje të tjera.
Gjok Zefi, vëllai i të pushkatuarit Pal Zefi:
Përse qe dënuar
vëllaj juaj?
Ne
i vendosëm një Fletë-Rrufe komitetit qëndror të PPSH, në
qëndrën e fermes së Sukthit në Durrës. E bëmë këtë të
nxitur nga vetë diktatori sipas të cilit “cilido pa
frikë mund të thojë e shkruajë me germa të mëdha
mendimin e tij”!
Në fakt
fletë-rrufeja nuk u hoq për disa ditë dhe u bë një
analizë ku ne na u dha të drejtë. Por vetëm një javë më
pas ne u arrestuan që të dy dhe përfunduam këtu në
burgun e Spaçit, unë i dënuar me 8 vite burg, ndërsa
vëllai im me 10 vite.
Gjithsesi, e kam
thënë që atëhere në burg: Lum unë që jam në burg dhe
mjerë populli që është i lirë! Edhe vetë Pali e dinte
dhe e kishte parashikur se do ta vrisnin. Unë e mora
njoftimin për vrasjen e Palit pas shtatë muajsh, kur
isha në burgun e Burrelit, ishte diçka që e prisja herët
a vonë.
Në epilog, projekti për muzeun
Ka mijëra ë mijëra
dëshmi për këtë kamp famëkeq, dhe pikërisht nga një grup
i zgjeruar faktorësh intelektualë e politikë në Mirditë
është menduar prej kohësh të ngrihet muzeu i rikompozuar
në detaje këtu në Spaç ku gjenden ende në këmbë dy
godinat kryesore si fjetore a vende të tjera të
shënuara, gjë që është mbështetur nga të gjithë
vuajtësit e këtij vendi ferri.
Vetë Ministria e
Kulturës e ka përkrahur një nisme të tillë dhe e ka
futur në axhendën e përcaktimit si një muze të tillë të
tipit “Mat’hauzen shqiptar”, dhe për këtë kanë filluar
dhe përgatitjet e para, për të rikompozuar me vërtetësi
vendin e vuajtjes së dënimit, disa galeri, rrethimin me
tre palë tela, me karrakolle të ushtarëve ruajtës e
prozhektorët “cikllopë”, siç do të shprehej vuajtësi i
dënimit për disa vite Fatos Lubonja, i cili është
angazhuar shpirtërisht në këtë projekt.
Ai tha se nuk mund
të ketë të dytë në Europë të këtij lloji, një
burg-minierë, që i kishte rrathet e ferrit në çdo hap,
tek bujtinat, birucat, detyrimi për të lexuar literaturë
komuniste, ato ecejeka tre turneshe nga fjetoret tek
galeritë lart disa qinda metra, ku të burgosurit
lidheshin dyshe për dore për të mbërritur në vendin e
punës, (një kërrusje barbare në dinjitet), dhe deri tek
galeritë e nëndheshme, në pesë zona të bakrit dhe të
piritit, dhe ku aksidentet ishin permanete, ndërsa
trupat e të vdekurve përjetësisht nuk shiheshin më nga
familjarët.
Donacionet e para
për këtë projekt ambicioz human dhe njëherit kujtesë e
fortë historike kanë ardhur nga njësitë vendore të
Mirditës pikërisht ditën e djeshme në një takim, por
janë afruar dhe nga humanistja austriake Marianne Graf
si dhe priten dhe të tjera, për të kujtuar këtë vend
unikal që do t’u përgjante krematoriumeve naziste.
Gj. Marku
A. Ndoja
Nessun commento:
Posta un commento