28 ottobre 2016

Ligji i trashëgimisë/ Ndryshon rrënjësisht, ja kujt i hiqet licenca e restaurimit


h

NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE-
 Ndryshon rrënjësisht Ligji për Trashëgiminë Kulturore. Ka qenë sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Elira Kokona që në një takim në Fakultetin e Drejtësisë me temë “Kontribute në përpunimin e projektligjit të ri të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri”, ka bërë me dije të mërkurën të gjitha ndryshimet. Takimi ishte si një event pararendës i fazës së konsultimeve të projektligjit të ri të “Trashëgimisë Kulturore & Muzeve”. Praktikisht, shkrihen instanca me rëndësi si Këshilli Kombëtar i Restaurimit dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, vihet në funksion Inspektorati për Trashëgiminë Kulturore, ruhet me ligj peizazhi, rregullohet me ligj lëvizja e trashëgimisë së luajtshme (objekte si ikona a piktura), krijohen fondacione që do të menaxhojnë parqe kombëtare si Butrinti, krijohen organe kolegjiale vendimmarrëse, përcaktohet dhënia e licencave të restauratorëve, si hiqen/mbahen ato etj. Kokona theksoi se gjithë ç’po bëhet është në koordinim me UNESCO-n.
LICENCIMET 
Sipas Kokonës, pika e parë me rëndësi te ligji i ri që po diskutohet, është rregullimi i marrëdhënieve me subjektet që merren me restaurim. “Do jenë të licencuara jo vetëm objektet që projektojnë ndërhyrjet në trashëgiminë kulturore e ato që zhvillojnë punimet, por edhe subjektet që mbikëqyrin ndërhyrjet në pasuritë kulturore”. Sipas saj, “subjektet duhet të kenë informacion dhe të bëjnë trajnime të vazhdueshme, nga shkolla e restaurimit pranë IMK-së. Për të gjitha ato entitete që licencohen nga MK, mosmarrja e krediteve dhe e informacionit, a mospërditësimi i informacionit, do të jenë kusht për heqjen e licencës. Kushtet e heqjes së licencës do të jenë të parashikuara shumë qartë, në të gjitha rastet kur subjekti me mosveprim apo me keqzbatim të kushteve të lejes, do të çojë në dëmtimin e vlerave kulturore”. Madje do licencohen edhe operatorët që bëjnë licencimin e pasurive kulturore.
PASURIA E LUAJTSHME 
Kokona theksoi se të gjithë ata që kanë pasuri kulturore të luajtshme do të kenë kushte shumë të qarta jo vetëm në licencimin e koleksioneve a pronave që kanë, por edhe për mënyrën si do t’i mbajnë. “Nëse s’kanë kushte për t’i mbajtur, jo vetëm do të penalizohen, por do t’u krijohet mundësia që këto vlera kombëtare, të mund të ruhen në vendet publike, pa ua hequr tagrin e pronarit. Nuk cenon të drejtat e pronarëve privatë, nuk cenon veprimtarinë profesionale të askujt, por kjo rregullon qartë sjelljen e tyre ndaj vlerave kulturore që janë domen publik”.
KOMPETENCAT QË NDRYSHOJNË 
Te parashikimet e përgjithshme në ligj përcaktohen qartë kompetencat e institucioneve shtetërore e sidomos të organeve kolegjiale. “Këto organe do i dedikohen zbatimit të parimeve të mësipërme. Organi Kolegjial kryesor do të jenë ish-KKR dhe ish-KKA të mbledhur në një organ që do quhet Këshilli Kombëtar i Pasurive Kulturore, e do të jetë një organ tjetër tashmë i ri që nuk është më pjesë e organeve që ka sistemi aktual, që është Këshilli Kombëtar i Menaxhimit të Pasurive Kulturore”, – tha Kokona. Do krijohet, sipas saj, edhe Komisioni i Vlerësimit pranë Qendrës për Inventarizimin e Pasurive Kulturore, që bën të mundur vlerësimin e pasurive kombëtare të luajtshme, por një vlerësim shumë të qartë të pasurive që eksportohen dhe importohen në territorin e Shqipërisë. Ndërkaq, do bëhet edhe rishikimi i tipologjive të pasurive, kategorizimeve dhe klasifikimeve të tyre sipas rëndësisë e rrezikut.
MUZETË E PEIZAZHET 
“Kemi menduar që muzetë të mos kenë ligj më vete, por të trajtohen si të gjitha pasuritë kulturore me një vështrim special në një pjesë të caktuar sa i takon muzealizmit e organizimit të tyre”. Një tjetër risi, sipas Kokonës, është pasuria e peizazhit. “Shqipëria është anëtare e Konventës së Peizazhit dhe për herë të parë në kontekstin e të drejtës së peizazhit kemi një ligj të dedikuar me organe të specifikuara për peizazhin.
ORGANET KOLEGJIALE E KOMPETENCAT 
Duke e konsideruar ligjin më të dobët në rajon, Kokona tha se ligji aktual ka krijuar probleme në praktikë. Sipas saj, ligji rregullon së pari “parimet kryesore dhe politikat shtetërore mbi trashëgiminë. Ka një pjesë të parë me dispozita të përgjithshme që parashikojnë shumë qartë, detyrat e të gjithave organeve shtetërore përveç MK-së, që pasuria të mbrohet nga të gjithë, madje ka përkufizime të koncepteve dhe kompetencave”. Ajo shtoi se kompetencat e organeve të specializuara dhe organeve kolegjiale kanë qenë një dedikim që të mos ketë konfuzion. Ajo shtoi se janë përcaktuar qartë ndërhyrjet në pasuritë e luajtshme, për çka sipas Kokonës, ligji aktual nuk flet fare, madje tani përcaktohet se kush mund të ndërhyjë në një pasuri të luajtshme si një ikonë, një pikturë a një fyell.
INSPEKTORIATI/ GJOBAT 
“Shpronësimi për interes të trashëgimisë kulturore, – tha Kokona, – ka një kapitull më vete në ligj”. “Ekziston në ligjin për shpronësimet, por e kemi të detajuar te ligji i ri. Nuk lihet në vullnetin e qytetarëve, duhet të jetë pjesë e detyrimeve. Ka pasur një ndërhyrje në vitin 2013, për krijimin e Inspektoratit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, por është një ndërhyrje që nuk ka pasur zbatim në praktikë. Inspektorët brenda drejtorive rajonale, bëjnë aq sa munden, por duke qenë se ka pasur një mungesë në aspektin e logjistikës dhe procedurave të parashikuara, ka bërë që inspektori të jetë i pafuqishëm para qytetarit”. Sekretarja e Përgjithshme në Ministrisë e Kulturës vërejti se “kemi fuqizuar Inspektoratin dhe kemi krijuar detyrim ekzekutiv me gjoba të vëna në momentin që ato lëshohen nga inspektori, kemi qartësuar si ankohet qytetari dhe si e kontestojnë për të mos krijuar abuzime, por kemi krijuar mundësinë që gjoba të zbatohet. Si shifër gjobe, ndryshon, por ende nuk e dimë se sa”.
FONDACIONE PËR MENAXHIM 
Veçse është rritur numri i veprave penale në fushën e trashëgimisë kulturore, është menduar edhe një mënyrë si shteti mund të rikuperojë pasuri që janë përfituar në mënyrë të paligjshme. Ajo tha se për menaxhimin e trashëgimisë, do të funksionojë Këshilli Kombëtar i Menaxhimit, sipas të cilit nuk i lihet më vullnetit të ministrit apo institucioneve lokale a kombëtare, por do të bëjë politika të qarta për menaxhimin e pasurive kulturore. “Një format është krijimi i fondacioneve të Ministrisë të Kulturës me partnerë strategjikë, që do të bëjnë të mundur që titulli i pronësisë t’i mbetet shtetit, por formati e mënyra e administrimit të jetë më pranë të drejtës private”. ABUZIMET Kokona, tha në përgjigje të interesit të mediave se “ligji bën të pamundurën për të përshkruar procedurat që evitojnë abuzimet”.
Sipas saj, kjo është arsyeja pse ministria ka menduar të krijojë organe kolegjiale. “Abuzimet në parim krijohen kur: janë vendimmarrje unikale, e një personi; abuzimet bëhen kur nuk ka procedurë të rregullt e vendoset pa procedurë, ose abuzime ka në momentin që nuk ka një kontroll. Këto ne i evitojmë: përmes krijimit të një organi kolegjial, dhënies së formateve shumë të qarta dhe procedurave të qarta dhe si krijohen fondacionet apo entitetet administruese me karakter publik, dhe parashikojmë që të mos jetë vetëm vendimmarrje e ministrit për të dhënë me administrim Butrintin, por të jetë gjithashtu një ligj në parlament kur të jetë momenti për ta dhënë”. Kokona tha se janë ende në fazë diskutimi. Ndërkaq, mbeten të paqarta penalizimet për dëmtuesit e trashëgimisë, përveç heqjes së licencës, ashtu si edhe çfarë cilësohen vepra penale.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate