TIRANË, 26 Tetor / ATSH-N.Lena/.- Jemi futur në stinën e ftohtë ku ndryshimi i shpejt i temperaturave sjell ndryshime të papritura të klimës e sidomos në zonat malore. Bora e parë do të sjellë dhe turistët e parë që ngjiten në lartësitë malore për sporte dimërore dhe aventura të borës.
Disa bashki dhe njësi bashkiake kanë nisur përgatitjet për të pritur turistët dhe për t’i udhërrëfyer ata në shtigje të parrezikshme. Këto masa po i merr dhe AdZM-ja dhe bashkia e Beratit.
Ata po përgatisin tabela të reja orientuese drejt lartësive të malit misterioz, Tomorrit. Turistët e parë kanë filluar ngjitjet edhe për të shijuar peizazhin vjeshtor tepër emocionues në këto lartësi. Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.
Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror. Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peizazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore.
Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë, mundësitë infrastrukturore që deri diku janë të përballueshme, në mënyrë normale është dhe Tomorri. Është mali më i veçantë në Shqipëri dhe më enigmatiku. Është quajtur froni i perëndive për lartësinë, egërsinë, bukurinë dhe enigmën e tij.
Sipas mitologjisë, aty mbretëronte Dodona Pellazgjike ose Dodona “Dimër Keqe”. Ka zona të mbuluara me borë të përjetshme si dhe shumë burime ujore, disa edhe të çuditshëm si ai i kuçedrës. Gojëdhëna thotë se atë e komandon një kuçedër që e lëshon dhe e pret ujin kur do ajo. Dhe vërtet uji në këtë burim rrjedh me ndërprerje. Mund të jesh duke pirë ujë në të dhe befas ai ndërpritet.
Gjeologët e shpjegojnë si një fenomen gjeologjik që ndodh në shtresat tektonike të nënTomorrit, por ka dhe një gojëdhënë që flet se ai mal qëndron sipër diçkaje, pra poshtë tij fshihet diçka e palexueshme, misterioze.
Në stinën e dimrit zbardhet i gjithi dhe vizitorët nuk i mungojnë. Turisti duke udhëtuar drejt tij, mund të shfrytëzojë kanionet e Lumit Osum, shpellat e rrjedhës së tij, mund të njihet me monumente kulturetë vjetra si ura, kisha e teqe, por mund të ushtrojë dhe sportin e skive apo atë të kanotazhit.
Jemi në pragfillim dimri dhe përgatitjet në këtë administratë bashkiake kanë filluar. Pritet një turizëm i fuqishëm malor dhe sportiv drejt malit të Tomorrit dhe rrjedhës së lumit Osum këtë dimër, thonë organizatorët e administratës së Zonës së Mbrojtur të Malit Tomorr. /m.m/
https://www.ata.gov.al/bashkia-e-beratit-pergatitet-per-turizmin-dimeror/
Nessun commento:
Posta un commento