20 settembre 2013

Themelet e pallateve zbulojnë kulturën ilire... mos njohja e kultures con germuesit ti hedhin si mbeturina inerte

gjetjeGërmimet nxjerrin nën dritë shumë objekte, shpesh hidhen bashkë me plehrat
ARTUR AJAZI
DURRES- Pothuajse çdo themel që hapet për ndërtimin e një pallati në Durrës, zbulon copëza të kulturës ilire e romake. Nën çdo gërmim për hapjen e themeleve të pallateve, po dalin vlerat e jashtëzakonshme të Dyrrahut (Durrësit të sotëm) duke forcuar mendimin dhe parashikimin e babait të arkeologjisë të ndjerit Vangjel Toçi se “ ky qytet bukurinë e ka nën tokë”.
Gërmimet
Gërmimet e makinerive të rënda të firmave të ndërtimit, nxjerrin vazhdimisht objekte me vlerë, të cilat shpesh po bien në duart e matrapazëve dhe atyre që nuk i njohin dhe interpretojnë ato shkencërisht. Vetëm 8 muaj më parë, u zbulua një kokë luani dhe një fazan, nga një piktor, i cili duke ditur rëndësinë e tyre, ka njoftuar menjëherë Institutin Arkeologjik dhe specialistët, duke i shtuar fondit vlera të papërsëritshme botërore. Nga dherat e gërmimeve të firmave të ndërtimit dalin vazhdimisht objekte me vlerë, të cilat bien edhe në duar joprofesionistësh. Të fundit janë një kokë luani dhe një fazan. Dy objekte të rëndësishme arkeologjike janë gjetur mes dherave të gërryera me eskavatorët e subjekteve ndërtimore në qytetin e Durrësit. Vendgjetja e tyre është zona e Currilave, pranë një kthese, të njohur nga vendasit si “Bërryli”. Objektet janë prej mermeri dhe sipas specialistëve me përvojë ato datojë si punime të periudhës romane, përkatësisht të shek. II-III të erës sonë. Hedhja e dherave të nxjerra nga gërmimet e firmave ndërtimore është kthyer tashmë në një shqetësim të vërtetë. Bashkë me dherat po hidhen edhe vlera të së kaluarës së groposur. Objektet e gjetura mes hedhurinave po përfundojnë në duart e qytetarëve të zakonshëm dhe nuk ka asgjë të çuditshme që të marrin edhe rrugët e përtej detit. Një nga objektet e zbuluara është kokë luani që me sa duket nga konstrukti bën pjesë në atë kategori objektesh, që cilësohen si koka bakike ose fontanë. Mund të ketë shërbyer si një çesmë publike ose si një objekt zbukurimi në fontanën e ndonjë vilë të shtresës së pasur të aristokracisë së qytetit. Mermeri i saj është i një cilësie shumë të lartë.
Një qytet nën tokë…
Arkeologu i shquar Ilia Toçi shpreh mendimin paraprak se materiali me të cilin është gdhendur koka e luanit ka shumë mundësi që të jetë mermeri i famshëm i Karrarës. Datimi i tij paraprak përkon me periudhën e përcaktuar si periudha e “bumit” ekonomik të qytetit. Ka shumë mundësi që objekti të jetë prodhim i studiove të artistëve, që i përkasin shek. I- II, një periudhë në të cilën Durrësi pati një lulëzim të madh ekonomik. Kur arkeologu Afrim Hoti, drejtor pranë muzeut Arkeologjik të Durrësit shkruan për këtë periudhë në një vepër të tij, thotë se “Gjatë shek. I e II në qytet u ndërtuan rrugë të reja, amfiteatri, tempuj, ujësjellësi, vila luksoze të shtruara me mozaikë etj”. Arkeologu Ilia Toçi thotë se “koka e luanit mund t’i përkasë periudhës së Perandorit Roman, Adrianit, periudhë që u shoqërua me ndërtimin e ujësjellësit të Durrësit, veprës më të madhe inxhinierike të zbuluar në Shqipëri”. Në tubat prej plumbi të këtij ujësjellësi janë hasur mbishkrime të derdhura me emrin e perandorit Adrian. Arkeologu Ilia Toçi duke e vlerësuar me admirim këtë kryevepër të artit të lashtë, por që për fat të keq civilizimi i sotëm e hodhi në plehra, thotë se “ky punim është tregues i nivelit të lartë të kulturës, pasurisë ose potencës ekonomike të qytetit antik ilir ”. Sipas Toçit, në Durrës ka 2-3 objekte të tilla që simbolizojnë ujin jetëdhënës. Familjet me nivel më të ulët ekonomik kanë përdorur edhe objekte me gur gëlqeror. Sipas Toçit, skulptura tjetër prej mermeri që përfaqëson një shpend, është një mrekulli më vete. Ai është i mendimit se ajo është figura e një fazani. E rrallë në llojin e vet. Fazani i skulpturuar mbi mermer pak a shumë ka formën e një veze të madhe. Në afërsi të qafës ka disa objekte edhe ato në formë vezore me një kordon që i qarkon. Toçi shpreh mendimin se mund të jetë ose pjesë e kontureve të një shporte, ose ka arsye se mund të jetë vezore me vezët riprodhuese në zhvillim. Edhe fazani (që duhet të jetë femër në këtë rast ) është gdhendur mbi një mermer me nuancë të lehtë blu, që është karakteristike e mermerit të Karrarës. Piktori durrsak Ruzhdi Raklli ka vite që ka dalë në pension. I ka kapërcyer të 70-at, por penelin s’e ka hequr nga dora kurrë. Ai është një artist me shpirt rinor. “Që në vitet 1998 dilja në bregdet në Currila, tek vendi i quajtur “Brryli”. Atje punoja çdo ditë dhe më vinte çudi kur shihja se si derdheshin dherat me thesare të kulturës së lashtë të Durrësit. Fillimisht mbaj mend se edhe tek ish- depoja e vjetër e birrës, ku kisha studion, gjatë gërmimeve doli një kodrinë e tërë, që duhet të ketë pasur thesare dhe besoj se nëntoka e atjeshme ka akoma thesare. Për shumë kohë zona e Currilave u bë vend hedhjeje dherash të gërmuara nga firmat ndërtuese. Po të parët që kanë filluar të mbledhin kanë qenë peshkatarët, të cilët kanë gjetur në ujërat pranë bregut fragmente skulpturash, vazo, monedha, etj. Më pas fillova të mbledh edhe unë në breg. Po akoma në dherat e ujërat e Currilave ka shumë material të hedhur e me shumë vlera”. Objektet e gjetura ruhen në shtëpinë e tij, madje ai ka ndërtuar një pus në kopësht me gurë të mbledhur po tek Currilat, ku ka vendosur edhe kokën e luanit e fazanin.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate