20 settembre 2013

Krahina e Lunxhërise josh karvanët e Turisteve të huajve ne kete stine shtatori 2013

 20 Shtator 2013 - 16:39    
Nga
Blerina Serjani
Lunxhëria josh karvanët e të huajveKrahina e Lunxhërisë, e parë nga syri i kureshtarit, është një zonë që përfaqëson krejt krahun e djathtë të luginës së Drinosit përballë qytetit të Gjirokastrës, që shfaqet midis kontrasteve dramatike natyrore dhe që përfshijnë një varg të gjatë kodrash të gjelbëruara përfund kreshtës dhe shpateve të zhveshura të malit me të njëjtin emër, mali i Lunxhërisë. Dhjetëra përrenj që përmbledhin ujërat e burimeve zbresin nga shpatet që duket sikur "thyejnë qafën" nëpër hone midis pyjeve me lisa e rrepe. Lunxhërinë e ka përshkuar karvani i Lord Bajronit, në udhëtimin e tij historik Janinë-Tepelenë, ndërsa konsulli francez pranë oborrit të Ali Pashë Tepelenës, Fransua Pukëvil, ka shkruar: "Lunxhëria banohej nga shqiptarë të krishterë që përbënin një popullsi vendase të lashtë me prejardhje pellazgjike të vendosur aty para fiseve të vjetra helene".

Krahas Parkut Arkeologjik të Antigonesë, qytet që i takon shek. III para erës së re ndërtuar nga Pirroja mbreti i Epirit, vizitori dhe turisti gjen këtu edhe shumë monumente të trashëgimisë shekullore si Kalanë romake të Paleokastërs, tëmojat antike të Valaresë, një radhë vendbanimesh antike fshatare, të hapëta apo të fortifikuara, si Sjolla e Erindit, Boste të Nokovës, Breg të Trashë të Këllëzit, kishat bizantine dhe mesjetare si Shën Kolli dhe Shën Mëria në manastirin e Spilese, Shën Ilisë në Stegopul ndërtuar në vitin 1624 dhe pikturuar në vitin 1762. Shën Nikolla në Saraqinishtës ndërtuar dhe pikturuar në vitin 1625, manastiri i Shën Sotirit në Drenovë të Mingulit ndërtuar në 1666, kishat e Shën Mëhillit në Mingul, Shën Premtes dhe Shën Kollit në Selckë, Shën Gjergji në Nokove, etj. Objekte janë dosje të hapura me dëshmi dhe dokumente historike që flasin shumë.

Kryetari i komunës së Lunxhërisë, Ilia Kurro e vlerëson me interes zhvillimin e turizmit alternativ në krahinë. "Megjithëse "Lunxhe" përbëhet nga disa pjesë, kostumi "Lunxhe" është një i vetëm. Atë nuk mund ta përdorësh pjesshëm, çdo pjesë është një lule më vete në buqetën "nuse", nëse i hoqe një element, qoftë edhe një lule ai humbet origjinalitetin dhe kompleksitetin", thotë piktori etnograf, Stavri Çati.

Organizatorja tjetër e tureve turistike të tipit "caravan", Kristina Filli, shprehet në favor të zhvillimit të turizmit alternativ dhe në përkrahje të zbatimit nga ana e prefekturës e një masterplani për zhvillimin e turizmit alternativ në komunat e Lunxhërisë e Pogonit në Gjirokastër dhe Petran të Përmetit, në kuadrin e Programit IPA CBC 2007-2013, por kjo iniciativë mund të përfshijë edhe zona të tjera me resurse të ngjashme si Zagoria, Zona e Këlcyrës dhe Frashërit në Përmet, Zona e Lopsit dhe Kurveleshi në Tepelenë. Karvanët që ajo guidon ndjekin një unazë udhëtimi me kuaj e mushka që nis nga Antigoneja, përshkon krejt fshatrat e Lunxhërisë, ngjitët në Qafë të Çajupit, përshkon fshatrat e Zagorisë dhe Pogonit dhe rikthehet përsëri në Antigone nëpërmjet Qafës së Selckës. "Logjika e përdorur gjatë implementimit të projektin "Net Routes", apo eksperienca e tureve të modelit "caravan" janë eksperienca pozitive që synojnë krijimin, zbatimin dhe promovimin e një rrjeti për zhvillimin e turizmin alternativ, por që kërkojnë alternim dhe shtrirje edhe në zona të tjera me resurse të ngjashme.

"Lunxhëria po kthehet në një "muze të hapur" për qindra vizitorë e grupe turistike ndërkombëtare, prania e të cilave ngjallin shpresa dhe motivon banorët që të kthejnë fytyrën drejt turizmit alternativ, si një mundësi për ta kthyer atë në treg e biznes fitimprurës", shprehet specialistja për turizmin në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, Ornela Çuçi. Natyrisht që ky është një fillim i mirë, por që ka të nevojshme të bëhen përmirësime të infrastrukturës së dobët turistike e rrugore aktuale, duhen masa për mbrojtjen dhe menaxhimin e mjedisit, ndryshime në etikën, kulturën dhe mentalitet të munguar në drejtim të sjelljes ndaj vizitorëve dhe promovimit të turizmit në zonën e Lunxhërisë.


(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate